Kosova

Qeveria e gatshme të debatojë për marrëveshjet me Serbinë

Qeveria e Kosovës thotë se “rishpreh gatishmërinë e plotë për të zhvilluar debat shterues dhe me argumente, brenda institucioneve të Kosovës, lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, më 25 gusht 2015”.
Ashtu siç ka deklaruar në vazhdimësi, para dhe pas arritjes së marrëveshjeve të fundit, kryeministri Isa Mustafa është plotësisht i hapur që në seancën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës të prezantojë çdo detaj të marrëveshjeve të arritura, dhe që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës, deputetët e opozitës dhe të pozitës, të debatojnë dhe të kërkojnë sqarime lidhur me çdo aspekt të marrëveshjeve në fjalë, duke përfshirë edhe marrëveshjen për asociacionin, thuhet në kumtesën e Qeverisë, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se Qeveria është e përkushtuar maksimalisht për transparencë në çdo veprim të saj, e veçmas lidhur me vendime madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë faktorët politik dhe opinionbërësit në vend, që të jenë pjesë aktive e debateve të moderuara dhe me argumente, duke mos i krijuar hapësirë gjuhës dhe veprimeve ofenduese dhe kërcënuese ndaj personaliteteve publike, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ato do të fuqizojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës”.

“Me këto marrëveshje, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe Kosovës i është hapur perspektivë e fuqishme integruese në strukturat euroatlantike, në organizatat ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button