Ekonomia

Rama: Së shpejti nis ndërtimi i dy autostradave; sigurohet financimi për linjën e interkonjeksionit me Maqedoninë

Kryeministri Edi Rama thekson se, procesi i Berlinit në Vjenë bëri një bilanc të plotë të arritjeve politike dhe të punës intensive njëvjeçare për të përcaktuar projektet rajonale dhe prioritetet e zhvillimit të tyre.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama shkruan se, “Korridori i Kaltër ose ndryshe autostrada Adriatiko – Joniane si edhe autostrada Nish – Prishtinë – Durrës do të nisin nga puna me projektet në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim; një arritje e bukur e përpjekjes sonë që Shqipëria e shqiptarët të fillojnë të marrin frytet e merituara në këtë process”.

Po ashtu, nënvizon kreu i qeverisë, “u sigurua financimi për linjën e interkonjeksionit me Maqedoninë që së bashku me linjën e interkonjeksionit me Kosovën, zhvillojnë në drejtimin e duhur sistemin tonë elektroenergjitik”.

Gjithashtu, thekson Rama, “u mbështetën plotësisht dy propozimet tona strategjike lidhur me Unionin Ekonomik, për të cilin do të nisim bashkarisht punën bashkë me Serbinë për të rrëzuar të gjitha barrierat tarifore e burokratike që pengojnë krijimin e një zone të përbashkët tregtare në Ballkan, si edhe do të punojmë po së bashku me Serbinë për të themeluar Bankën Rajonale të Zhvillimit me mbështetjen teknike të Bankës Europiane për Rindertim e Zhvillim; në të dyja këto nisma do të synojmë gjatë këtij viti përfshirjen në proces të të gjitha paleve”.

Po ashtu, vijon kryeministri Rama, “çelëm një dialog shumë të dobishëm me palën gjermane për të siguruar bashkëpunimin në zgjerimin e forcimin e rrjetit të shkollave profesionale në Shqipëri si edhe punësimin e rregullt të të rinjve shqiptare në Gjermani”.

“Këto e të tjera rezultate të këtij procesi përbëjnë një arsye të fortë për t’u ndjerë shumë të inkurajuar në përpjekjen tonë serioze për rritjen e ekonomisë e të mirëqenies së vendit po edhe të rajonit tonë ‪#‎DrejtimiDuhur”, përfundon postimin e tij kryeministri Rama‬.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button