Politika

Protesta e deputetëve të PD për Obeliskun, Rama: Si sigurimsat tek monumenti i Enverit

monumentt-320x260Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në rrjetin social “Facebook” një status mbi arsyet që çuan në prishjen e Obeliskut të Demokracisë në Kavajë, me titull “Fiks fare njëlloj”.

“Nuk e di kush është shpikësi i zhanrit të përkujtimoreve buzë rrugëve, ku tragjikja dhe komikja bashkëjetojnë në një formë aq makabre. Por, di që nuk ma kanë zënë sytë kund tjetër nëpër botë këtë lloj forme krijimtarie që lulëzoi në Shqipëri. E sa për mua, ata lapidarë të ndërtuar nga familjarët a shoqëria e të vdekurit a të vrarit në rrugë, janë forma më e sinqertë e dekompozimit të Realizmit Socialist në trajtën e përçudnuar të një “Realizmi Demokratik”, të cilin e bartën, motivuan dhe financuan për vite të tëra si përçues aktivë të dhunës estetike, pushtetet qendrore e vendore të Shqipërisë përmes përpjekjes së tyre qesharake për t’iu kundërvënë heronjve të bronxtë të haxhiografisë së regjimit të vjetër me heronj të historisë së rishkruar sipas oreksit politik, apo me dëshmorë prej bronxi e pishtarë prej betoni të kohës që erdhi mbi piedestalët e zbrazur”, shkruan Kryeministri Rama.

“Eshtë e mbushur Shqipëria me të tilla shembëlltyra hekuri e çimentoje, vijon kreu i qeverisë, “që në fakt dhe fatkeqësisht, janë përqeshja më e madhe e të shkuarës në jetën e re të vendit tonë. Ky vend nuk e meritonte këtë tallje të madhe prej dy dekadash që ia bën Enveri nga varri, përmes politikanësh dritëshkurtër të brumosur me frymën e diktaturës proletare dhe artizanësh mediokër të farkëtuar shtrembër në kudhrën e artit proletar”.

Por, thekson Kryeministri Rama, “padyshim, talljen në fjalë e bën edhe më therëse serioziteti mahnitës i vendimmarrësve që janë angazhuar në mbjelljen e në kultivimin e këtyre shartesave qesharake ngjitur mbi piedestale e shkallare groteske. Jo vetëm kujtojnë se kanë bërë gjënë e duhur duke ngulur larteposhtë kësisoj shpërfytyrimesh të çdo norme estetike apo qoftë edhe thjesht të çdo kriteri logjik, po me kurajon e atij që për argument ka vetëm injorancën e vet, na qenkan gati të shpërthejnë edhe në revoltë për të mbrojtur argumentin e tyre të vetëm”.

Sipas tyre, vijon Kryeministri Rama, “të prekësh këto lloj ngrehinash monumentale na qenka jo mëkat, po krim. Madje, këto ngrehina absurde nuk qenkan thjesht volume të kota monumentale që mund të shkulen vendit kur vendi duhet për një punë tjetër, po qenkan vetë historia! Qenkan shpirti dhe gjaku i popullit! Qenkan demokracia dhe partia! Qenkan ç’nuk qenkan përveçse reaksioni antiestetik që janë me siguri!”.

“Vetëm dy forca historike e histerike njoh unë që identifikonin shembëlltyrat artistike me vetveten dhe prekjen e një shembëlltyre druri a allçie e merrnin si prekjen e tyre, të nderit të tyre, të historisë së tyre e me radhë: Inkuizicionin dhe Diktaturën! Kjo që po na shfaqet këto ditë me revoltën e vetes së prekur, e nderit të prekur, e historisë së prekur e me radhë e pjesëve të tjera të prekura prej shkuljes së një gollogunge prej çimentoje në Kavajë, është një forcë e tretë, e panjohur më parë. Tamam si Realizmi i panjohur Demokratik që mori jetë nën hyqmin e saj, kur me vrullin e revolucionit antikomunist erdhi në pushtet këtu e njëzet e ca vjet më parë dhe pastaj bëri kërdinë me revanshin e reaksionit antiestetik. Një forcë e rënë së fundmi nga vakti bashkë me liderin e saj historik, që ndryshe nga Inkuzicioni dhe Diktatura, argument të vetin nuk ka as Biblën as Manifestin, po Injorancën”, shkruan më tej Kryeministri Rama.

“Duke parë partinë e lindur nga lëvizja studentore e vitit ’90, të katandisur në një tufë deputetësh mbi shkallaren e zbrazur të “obeliskut” të Kavajës, m’u kujtua një tufë sigurimsash të mbledhur tek shkallarja e zbrazët e monumentit të Enverit, fill pas rrëzimit të tij. Këta të sotmit me dy gishta ata të atëhershmit me grusht. Këta firmato e në televizor me ngjyra ata prej teritali e në foto bardhezi. Por, të dyja palët, si vëllezër të barkut të njëjtë të kulturës totalitare të ngritur në piedestalin e reaksionit antiestetik”, përfundon postimin e tij Kryeministri Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button