Politika

Rebelim brenda mazhorancës, nuk votohen KLD-ja dhe pesë ligjet e drejtësisë

tom-doshi-320x216Gazetarët – Tensioni për mosgrumbullimin e deputetëve të mazhorancës në seancën e djeshme plenare, detyroi Kryeparlamentarin Ilir Meta që të urdhëronte largimin e gazetarëve nga salla

Ndërprerja – Për më shumë se 1 orë e 10 minuta, deputetët e pranishëm në Kuvend do të detyroheshin që të qëndronin në sallë, në pritje të formimit të kuorumit të nevojshëm për ligjet me tre të pestat

Indiferentizmi – Në mungesë të opozitës në sallë, deputetët e mazhorancës shpeshherë shfaqeshin të painteresuar për të ndjekur fjalimet e kolegëve, edhe pse diskutoheshin një sërë ligjesh të rëndësishme

Gjashtë veta – Në seancë kanë munguar gjashtë deputetët e mazhorancës, Tom Doshi, Mark Frroku, Parid Cara, Armando Prenga, Vangel Dule dhe Pjerin Ndreu. Kjo solli dështimin e votimit të ligjeve

Rama – Kryeministri Edi Rama është ulur në sallë pranë Gramoz Ruçit. Me kreun e grupit të PS-së ka diskutuar edhe për mungesën e deputetëve të mazhorancës, të cilët sollën dështimin e votimit

Parlament

Deputetët Dule, Doshi, Frroku, Prenga, Ndreu dhe Cara mungojnë në votimin e ligjeve me tre të pestat

NGA HERION MESI

tom doshiNjë javë para miratimit të hartës së re administrativo-territoriale të vendit, mazhoranca e majtë dështon në testin e saj të miratimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash. Edhe pse në radhët e saj, ajo numëron gjithsej 85 deputetë, në seancën e djeshme plenare, të pranishëm në sallë ishin vetëm 79, pasi 6 deputetë të mazhorancës, për shkaqe të ndryshme, janë rebeluar ndaj zhvillimeve brenda kampit të majtë. Ata janë Tom Doshi, Parid Cara, Pjerin Ndreu, Armando Prenga nga PS-ja, kreu i PKD-së, Mark Frroku, dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule nuk morën pjesë, çka e detyroi Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, që gjashtë projektligjet: ai për KLD-në, Kodin e Procedurës Penale, për Kodin Penal, Gjykatën Administrative dhe ndryshimet në Kodin Doganor, t’ia kalojë për votim seancës së fundit të këtij sesioni parlamentar, që do të mbahet të enjten e ardhshme. Reforma territoriale dhe pakënaqësitë për qeverisjen e vendit nga kabineti “Rama” në këto 300 ditë duket se kanë qenë edhe shkaku i mungesës së deputetëve në momentin e votimit të projektligjeve të përfshira në rendin e ditës së seancës së djeshme plenare. Konkretisht, Pjerin Ndreu, Parid Cara, Mark Frroku dhe Vangjel Dule, gjatë këtyre ditëve, e kanë kundërshtuar hapur miratimin e reformës territoriale, pasi, sipas tyre, ajo cenon kufijtë territorialë të zonave që këta përfaqësojnë në Kuvend, ndërsa për Dulen, kjo reformë cenon integritetin e minoritetit grek që jeton në Jug të Shqipërisë. Për këtë arsye, dje ai ishte në Greqi, ku mësohet se ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Jashtëm Venizellos. Doshi, Prenga dhe Frroku kanë qenë të mbledhur në një drekë në një restorant pranë Kryesisë së Kuvendit, dhjetë metra larg Kryeministrisë. Për mediat, Doshi u shpreh se ishin mbledhur për ditëlindjen e Mark Frokut, por kreu i PDK-së rezulton se ka lindur më 6 shtator dhe jo më 24 korrik.

Tensioni i Ramës

Seanca e djeshme nisi me praninë e vetëm 19 deputetëve në sallën e Kuvendit, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme, e cila prej tre javësh vazhdon bojkotin e saj. Me kalimin e orëve nisi të shtohej dhe numri i deputetëve që hynin në Kuvend dhe deri në hapjen e votimit u mblodhën gjithsej 79 deputetë dhe ministra me të drejtë vote. Rreth orës 13:30, me një pamje disi të zbehtë, hyri në sallë edhe kreu i mazhorancës Edi Rama, i cili, për pak çaste qëndroi në këmbë, duke zhvilluar biseda të shkurtra me disa nga ministrat e tij dhe më pas, me një hap të ngadaltë dhe me një pamje që dukej sikur po numëronte deputetët e pranishëm, ai zbriti shkallët e podiumit të karrigeve ku qëndrojnë ministrat dhe u drejtua për nga deputetët në sallë, duke u ndalur në fund te kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi. Gjatë bisedës me të, u pa qartë se mungesa në sallë e gjashtë deputetëve të mazhorancës ishte dhe tema e bisedës prej disa minutash me Ruçin dhe më pas ai u drejtua sërish për në podiumin e ministrave ku zhvilloi një bisedë edhe me aleatin e tij, njëherësh edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Rreth orës 14:20, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, përfundoi edhe fjalimin e fundit për projektligjet e përcaktuara në rendin e ditës, ku kryeparlamentari thërriti një pushim prej 5 minutash deri sa të mblidheshin të gjithë deputetët për hapjen e votimit. Por do të duheshin rreth 70 minuta që të riniste seanca, ku të pranishëm në momentin e votimit ishin vetëm 79 nga 85 deputetë që numëron mazhoranca, çka solli dhe ngjeshjen e kalendarit të seancës së ardhshme, ku pritet të miratohet edhe reforma administrative.

Ligjet me 84 vota

Për KLD-në

Për Kodin e Procedurës Penale

Dy nismat për Kodin Penal

Për Gjykatën Administrative

Kodi i ri Doganor

Tom Doshi

“Ishim në ditëlindjen e Markut, javës tjetër mund ta ketë Armando”

Tom Doshi (2)Deputeti socialist, Tom Doshi, i cili së fundi është vënë në qendër të vëmendjes për shkak të sulmeve drejtuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk ka marrë pjesë dje në votimin e projektligjeve, së bashku me disa deputetë të tjerë të majtë, çka ka detyruar kreun e Kuvendit që të shtyjë për seancën tjetër miratimin e tyre. Mungesën në Kuvend, Doshi e ka justifikuar me ditëlindjen e deputetit Mark Frroku. “Ishim në ditëlindjen e deputetit Mark Frroku”, – tha Doshi. Sa i takon pjesëmarrjes së tij në Kuvend, kur deputeti Doshi u pyet nëse do të jetë i pranishëm në seancën e radhës, ku pritet të miratohen disa projektligje të rëndësishme, siç është edhe Reforma Territoriale, ai u përgjigj se, nëse kolegu i tij Armando Prenga ka ditëlindjen, ndoshta nuk do të jetë i pranishëm.

Armando Prenga

“Munguam se ishim në drekë me ministrin e Drejtësisë, Naço”

Deputeti i Partisë Socialiste, i cili edhe ky mungoi në votimin e djeshëm të disa projektligjeve që kërkonin 84 vota në Parlament, Armando Prenga, ka konfirmuar për gazetën “Shqip” se arsyeja e kësaj mungese ishte një drekë me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço. “Unë mbështes çdo ligj të qeverisë. Jam pro qeverisë dhe ministrave të saj. Mungesa ime në votim nuk kishte lidhje me ditëlindje, ashtu siç u përfol, por me një drekë me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, që ishte planifikuar kohë më parë”, thotë Prenga në reagimin e tij në lidhje me mungesën në votimin e projektligjit. Prenga është parë në shoqërinë edhe të deputetëve të tjetër të PS-së, Tom Doshi, si dhe aleatit të koalicionit të Majtë, Mark Frrokut.

[yop_poll id=”7″]

Related Articles

Comente

  1. Tom Doshi eshte rrugac dhe ka faje te madh PS-ja qe e futi ne lista … me mire te humbiste ate zone se te bej nje rrugac deputet

  2. Gjashte deputet.Merrini nje e nga nje .Dy jane spiunet me te ndyre te Grekut.Kater te tjeret jane kater rrugeç qe e kane vendin ne burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button