Opinion

Retorika patetike për korrupsionin

Nga Adri Nurellari

Korrupsioni është një ndër pengesat kryesore të zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë së shqiptarëve dhe lufta ndaj këtij fenomeni social meriton maksimumin e energjive dhe burimeve. Mirëpo ajo që vihet re është se diskutimi për korrupsionin bëhet vetëm në formën e retorikës patetike, moraliste e normative dhe pothuaj aspak nëpërmjet propozimeve të reformave, ligjeve apo nismave që japin zgjidhje konkrete për ta minimizuar atë.

Lufta kundër korrupsionit është në qendër të vëmendjes kudo në trojet e banuara nga shqiptarët. Në Shqipëri mbizotëron debati mbi procesin e dekriminalizimit të kastës politike, si dhe reforma e drejtësisë që synon luftimin e korrupsionit në këtë sektor. Në Kosovë, çështja e korrupsionit është përditë në krye të listës së çështjeve të trajtuara, ndërkohë që Maqedonia po u drejtohet zgjedhjeve të parakohshme si pasojë e abuzimeve të qeverisë të nxjerra prej përgjimeve. Kryesisht debati i politikanëve vërtitet te pretendimi i një epërsie morale dhe te njollosja e kundërshtarit, ndërkohë që kultivimi i moralit është kryesisht detyrë e institucioneve fetare, pra e hoxhës apo priftit, ndërsa targetimi i shkeljeve të individëve të caktuara është rol dhe përgjegjësi e prokurorisë dhe gjyqësorit. Kuptohet që edhe politikani mund të flasë për këto çështje, ama detyra e tij kryesore është të veprojë me politika, reforma e nisma legjislative e jo të imitojë klerikët apo funksionarët e drejtësisë.

Kuptohet që këtë qasje e kemi edhe peshqesh nga e kaluara. Populli shqiptar ka dalë nga një e kaluar komuniste që ka lënë gjurmë të thella ende sot në mentalitetin dhe retorikën e përditshme tonën. Regjimi i kaluar besonte se shoqëria ideale do të përbëhej nga “njeriu i ri socialist” që do të punonte sipas mundësive dhe shpërblehej për punën e bërë sipas nevojave dhe ku do të ishte vendosur një barazi që do të parandalonte çdo lloj zilie apo tundimi për të abuzuar. Kjo filozofi që vendoste kolektiven sipër individuales e shikonte dhe trajtonte korrupsionin si një kalbëzim moral dhe dobësi karakteri të një individi që ishte infektuar nga “shfaqjet e huaja” të një shoqërie “të degraduar” kapitaliste.

Nga ana tjetër, liberalët si unë besojnë që korrupsioni nuk duhet parë thjesht si një defekt apo lëshim moral, pra si një cen i karakterit të një personi, por duhet trajtuar si një produkt i dështimit institucional. Kuptohet që grykësia e individëve kontribuon në përmasat e këtij fenomeni social, mirëpo problemi kryesor është i sistemit, prandaj edhe kura kryesore është ndërtimi i strukturave institucionale që shpërblejnë ndershmërinë dhe transparencën, minimizon mundësitë dhe hapësirat për të kryer korrupsion dhe ndëshkon shpërdorimin apo abuzimin me postet shtetërore.

Nuk ka asnjë dyshim që konsolidimi i sundimit të ligjit nëpërmjet reformimit të sistemit të prokurorisë dhe gjyqësorit është një ndër shtyllat kryesore të luftës kundër korrupsionit. Një zyrtar përfshihet në korrupsion, jo thjesht prej degradimit moral, por mbi të gjitha se sheh që ka mundësi për të abuzuar pa i hyrë gjemb në këmbë prej sistemit të drejtësisë. Reformimi i sistemit të drejtësisë për të ngritur vigjilencën, efikasitetin dhe integritetin në ndëshkimin e të korruptuarve është thelbësore dhe faktikisht garantimi i sundimit të ligjit është një ndër shtyllat e filozofisë politike liberale. Mirëpo përtej forcës së ligjit ka shumë mundësi për të ndërmarrë politika publike të frymëzuara nga liberalizmi që kanë një impakt shumë të madh në luftën në fjalë.

Korrupsioni prej Transparency International përkufizohet si abuzimi i postit shtetëror për përfitim dhe manifestohet në forma të ndryshme, por kuptohet që në çdo rast ka dy anë të medaljes, palën që jep mitë dhe palën që merr, pra ofertën dhe kërkesën. Në mënyrë të natyrshme, debati politik merret më shumë me anën e kërkesës që nënkupton qeverisjen.

Një ndër zgjidhjet konkrete që vjen prej aplikimit të parimeve ideologjike liberale në praktikë është qasja zvogëlimi i sektorit publik dhe ulja e shpenzimeve publike. Nëpërmjet kësaj strategjike synohet të arrihet e ashtuquajtura “qeveri e vogël” në mënyrë që jo vetëm të lihet sa më shumë ekonomi në dorën efikase të tregut, por edhe që të garantohet një zvogëlim i korrupsionit. Logjika e thjeshtë e shëndoshë lë të kuptohet që, nëse zyrtarët e pushtetarët kanë pak para në menaxhim, do të kenë edhe më pak mundësi për të vjedhur.

Në kushtet e një tregu të lirë, kur aktorët ekonomikë janë të panumërt në rrethana konkurrence, atëherë ofertuesit që shesin shërbime apo produkte të ndryshme për të joshur konsumatorët e shumtë privatë përqendrohen tek rritja e cilësisë apo ulja e çmimit. Mirëpo nëse konsumatori kryesor dominues në ekonomi është shteti dhe vendimmarrja merret nga politikanët, atëherë nuk funksionon logjika e tregut privat pra e garimit me cilësi apo çmim, por targetohet politika. Prandaj, sa më shumë peshë të ketë në ekonomi shteti si shpenzues, aq më shumë detyrohen biznesmenët që të fokusohen te shteti e jo te konsumatorët e thjeshtë dhe që të joshin konsumatorin shtet nëpërmjet mitmarrjes apo përfshirjes vetë në politikë. Sa më e vogël të jetë ekonomia shtetërore, pra roli i shtetit në ekonomi, aq më pak lidhje biznes-politikë dhe aq më shumë hapësirë do të ketë për garën e lirë me shumë aktorë të përqendruar tek ulja e çmimeve e rritja e cilësisë për konsumatorët. Këtu del në pah rëndësia e kultivimit të tregtisë së lirë të mbështetur te konkurrenca e ndershme si një tjetër formë liberale e adresimit të problemit të korrupsionit. Barrierat tregtare që eliminojnë konkurrencën, si dhe privilegjimi i aktorëve të caktuar është një ndër mënyrat e ofiqarëve shtetërorë për të përfituar prej pushtetit.

Nga ana tjetër, kundër korrupsionit është e nevojshme të synohet edhe legalizimi i ekonomisë informale jo thjesht me masa represive, sikurse po ndodh sot në Tiranë, por duke ulur kostot që duhen shpenzuar për t’u shndërruar në biznes formal dhe për të operuar si i tillë. Thjeshtëzimi i sistemit fiskal, gjithashtu nëpërmjet reformave të taksave të sheshta, është një strategji që mbyll rrugët e abuzimeve të tatimorëve.

Një tjetër zgjidhje e frymës liberale për të kuruar korrupsionin është derregullimi që synon të lërë sa më pak autoritet në dorë të vullnetit, apo vendimit të qeveritarëve apo burokratëve në mënyrë që të mos e përdorin autoritetin për të bërë presion e për të siguruar ryshfete. Me derregullim, liberalët nënkuptojnë thjeshtëzimin e procedurave, minimizimin e hallkave burokratike, heqjen e barrierave ligjore të panevojshme, automatizimet e proceseve administrative nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së avancuar pra electronic government, eliminimin e ligjeve apo rregullave që dublifikojnë njëri-tjetrin, shmangien e mbivendosjeve apo zbrazëtirave ligjore e procedurale.

Me logjikë të ngjashme me derregullimin funksionon kundër korrupsionit edhe privatizimi. Privatizimi i mëtejshëm i ndërmarrjeve publike që kanë mbetur në pronë shtetërore do të shërbente si një çarmatosje e mirëfilltë ndaj partive dhe pushtetarëve prej një prej “armëve” kryesore që ekzistojnë në duart e tyre për të kryer korrupsion. Nuk ka asnjë dyshim që kompanitë shtetërore janë oaze abuzimesh e korrupsioni, ndërkohë që kur prona bëhet private, nuk ka më kuptim që pronarët e rinj të shpërdorojnë pronën e vetë. Privatizimi si akt përmban shumë rreziqe dhe hapësira për përfitime të pandershme gjatë procesit dhe, padyshim, që kërkohet maksimumi i transparencës, profesionalizmit, konkurrencës dhe vigjilencës së gjyqësorit dhe shoqërisë civile në këto procese. Mirëpo pas kryerjes së procesit dhe transferimit të pronësisë është zvogëluar hapësira për të përdorur pushtetin për përfitime personale.

Këto janë vetëm disa nga zgjidhjet konkrete që jep mendimi liberal për plagën e korrupsionit dhe, padyshim, edhe ideologji të tjera politike pretendojnë se kanë zgjidhje alternative edhe më të mira. Ajo që ka rëndësi është që duhet të nisim sa më parë që të diskutojmë për politika konkrete e jo më me ligjërimin bosh patetik që na ka shurdhuar gjithë këto vite, pa dhënë ndonjë rezultat konkret. Politika e përbaltjes është provuar për vite me radhë pa sukses, tani i ka ardhur radha politikës së përmbajtjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button