Politika

Samiti i Ballkanit, zbardhet axhenda e diskutimeve të liderëve të rajonit

Berisha shfaq xhelozi: Po përfaqësohemi me një njeri që po rrënon institucionet

NGA ARTEMISA HOXHA

merkelisSamiti për Ballkanin, që pritet të mbahet sot në Berlin me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë për qeverinë gjermane është axhenda kryesore e politikës në këtë vend. Teksa ka konfirmuar zyrtarisht mbledhjen e këtij samiti, zëdhënësi i Qeverisë Federale, Steffen Seibert, përmes një njoftimi për mediat, bën me dije se kancelarja gjermane Merkel, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe atë të Jashtëm do të presin kryetarët e qeverive të Ballkanit, ministrat e Jashtëm dhe ata të Ekonomisë. “Më 28 gusht, në Berlin, zhvillohet një konferencë mbi vendet e Ballkanit Perëndimor. Pasi kancelarja federale, para pak javëve, më 15 korrik 2014, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të shefave të shteteve e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Dubrovnik, në kuadër të procesit të “Brdo-Brijonit”, ajo do të presë tashmë së bashku me ministrin e Ekonomisë, Gabriel, dhe ministrin e Jashtëm, Shtajnmajer, shefat e qeverive, ministrat e Jashtëm dhe ata të ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Kroacisë e Sllovenisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë gjermane. Duke u ndalur edhe një herë te qëllimi i këtij samiti, zëdhënësi i qeverisë bën të ditur se ky takim do të përqendrohet në mbështetjen për një bashkëpunim më të mirë mes vendeve në rajon si dhe afrimin e tyre me Bashkimin Europian. “Qëllimi i kësaj iniciative është të diskutojë mbi një hark kohor shumëvjeçar rreth çështjeve të hapura në rajon dhe të vendosë impulse të reja për t’iu përgjigjur atyre. Në këtë konferencë do të diskutohet pikësëpari mbi forcimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit të shteteve të rajonit me njëri-tjetrin. Temë diskutimi do të jetë edhe afrimi i mëtejshëm me Europën: qoftë politikisht ashtu dhe ekonomikisht, por duke pasur në fokus edhe çështjet e shtetit të së drejtës. Gjermania i qëndron mbështetjes mbi perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e qeverisë. Sipas axhendës së publikuar nga qeveria gjermane, mësohet se kancelarja gjermane do të përshëndesë shefat e shteteve e qeverive pjesëmarrëse në konferencë rreth orës 15:20 dhe më pas ata do të mbajnë një takim pune që pritet të zgjasë rreth tre orë. Sipas njoftimit zyrtar, Bashkimi Europian do të përfaqësohet në këtë takim nga Presidenti i Komisionit Europian, Joze Manuel Barroso. Më pas në kuadër të një darke pune, nga ora 18:30 deri në 20:30, do të mbahet një mbledhje plenare.

Ish-kryeministri

Ish-kryeministri Sali Berisha teksa ka përshëndetur samitin dhe ka vlerësuar rolin e kancelares gjermane, Angela Mergel, në lidhje me vëmendjen që po i kushton Shqipërisë, nuk ka lënë pa përmendur këtu Kryeministrin Rama që do të përfaqësojë jo vetëm Shqipërinë por dhe rajonin në konferencën përmbyllëse. “Ky Samit rikonfirmon dhe një herë se dyert e BE-së janë të hapura për ne. Samiti i Berlinit është një inkurajim i madh për vendet tona për të ndërmarrë të gjitha reformat e domosdoshme në procesin e integrimit europian si e ardhmja e jonë më e shkëlqyer. Shqipëria, mjerisht, përfaqësohet në këtë Samit nga një njëri që po rrënon institucionet e pavarura për të qenë vetë president, kryeministër, kryeprokuror, kryegjykatës, kryepolic. Ai po zëvendëson shtetin ligjor, sigurinë ligjore me shtetin policor, vullnetin e tij të sëmurë dhe arkaik”, shkruan Berisha në reagimin e tij në “Facebook” në lidhje samitin. Duke vijuar më tej, ai nuk kursen as akuzat ndaj mazhorancës dhe deputetëve të saj në Parlament. “Edi Rama me mazhorancën e tij të mbushur me vrasës, pengmarrës, trafikantë dhe vjedhës në të gjitha nivelet po zhbën me shpejtësi ato standarde të arritura me mundim, sakrifica dhe ndihmën e miqve nga shqiptarët në rrugën e demokracisë. Ai po shndërron vendin në një protektorat krimi dhe mafieje. Por të gjitha këto të vërteta të hidhura jo që nuk e cenojnë, por e bëjnë edhe më të madhe vlerën dhe rëndësinë e këtij Samiti për shpresën dhe besimin tonë në procesin e integrimit europian. Si një njeri që nuk më lëshon historia, dua të them se unë, por dhe çdo shqiptar, ndiejmë dhe një kënaqësi tjetër”, thotë Berisha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button