Kronika

Shkrirja e INUK-ut do të pasojë një drejtori në Ministrinë e Brendshme

Plani

Krahas çështjeve me “rëndësi kombëtare” do të ndërhyjë në çdo ndërtim pa leje bashkë me policinë

Nga Sokol Çobo

inukInspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) do të shkrihet dhe do të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme. Aktualisht, ky inspektorat ka varësi nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ndërsa në muajt e fundit ka pasur problematika në aksionet për ndërtimet pa leje, kjo edhe si pasojë e shfuqizimit të një VKM-je të kabinetit “Rama” nga Gjykata Kushtetuese, e cila i heq shumë kompetenca. Lajmi u bë i ditur nga vetë Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të emërtuar “Policia që duam”, ku kreu i qeverisë tha se shkrirja do të realizohet brenda 30 ditëve dhe të gjitha burimet njerëzore të këtij inspektorati do të transformohen rrënjësisht. Ndërkohë, edhe gjatë programit të “Rilindjes”, mazhoranca e kishte parashikuar këtë transferim, madje ngriti edhe një Task-Forcë në drejtimin e së cilës ka qenë pikërisht Saimir Tahiri. Por, edhe kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti, ka pasur probleme me drejtësinë, madje është i pandehur për disa vendime arbitrare që ka marrë, duke zbatuar VKM-në që u rrëzua nga Kushtetuesja.

Plani i qeverisë

Qeveria synon që Ministria e Brendshme të ketë “dorë të lirë” në ndërtimet pa leje, duke përjashtuar shumë hallka të tjera. Aktualisht, INUK-u nuk mund të ndërhyjë te ndërtimet pa leje, pasi ligji ia ndalon një gjë të tillë. Ky inspektorat ndërhyn atëherë kur bëhet fjalë për çështje me “rëndësi kombëtare”, ku ka një plan konkret të qeverisë apo në zonat turistike ose bregdetare. Por, problematika më e madhe, sipas qeverisë, konsiston pikërisht në ndërtimet pa leje në tokë publike apo private. Gjithkush mund të ndërtojë dhe deri më tani, asnjë nuk ka shkuar në burg, por ia kanë hedhur paq me gjoba apo me dënime me kusht të vendosura nga gjykata. Plani i qeverisë është fuqizimi i këtij institucioni, që do të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme. Burimet pohojnë se ende nuk është vendosur emërtimi i ri, por flitet se ajo mund të jetë një drejtori më vete, në varësi direkte të ministrit Tahiri. Synohet që, krahas Drejtorisë së Emergjencave apo të Gjendjes Civile, të krijohet edhe ndoshta drejtoria e kontrollit të territorit. Megjithatë, qeveria synon që, brenda 30 ditëve, të hartohet një ligj i ri, në bazë të së cilit të funksionojë edhe INUK-u që do të marrë emërtim të ri. Grupet e punës ende nuk e kanë filluar punën, ndërsa për hartimin e bazës ligjore do të caktohen ekspertë nga MZHUT-t dhe MB-ja. Mësohet se kjo drejtori e re që do të krijohet, do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, gjë e cila do të sanksionohet edhe në ligj, ndërsa do të ndërhyjë për secilin rast. Aktualisht, për ndërtimet pa leje, “kujdesen” inspektoratet e ndërtimeve vendore, ndërsa me kalimin e varësisë dhe ndryshimin e ligjit, synohet që të ndërhyhet edhe me çështje që nuk kanë “rëndësi kombëtare”.

Gjykata Kushtetuese

Në fund të muajit shtator të vitit të kaluar, qeveria, me anën e një VKM-je, i shtoi kompetencat INUK-ut, ku krahas ndërhyrjes në zonat me rëndësi kombëtare, i jepte akses edhe në territor. Por, vendimi shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit rrëzoi këtë vendim, ku përcaktohet se INUK-u nuk mund të ndërhyjë për prishje të objekteve me ose pa leje pa marrë më parë zyrtarisht një kërkesë nga komuna ose bashkia, në territorin e të cilit është ndërtuar objekti. Sipas gjykatës, vendimi i qeverisë për të rritur kompetencat e INUK-ut cenon kompetencat e pushtetit vendor, që jep leje ndërtimi apo dhe të institucioneve të tjera si ALUIZNI dhe hipotekat, që kanë pajisur ndërtimet me certifikatë pronësie apo legalizimi. Gjykata ka konsideruar si antikushtetuese veprimet e INUK-ut të përcaktuara në këtë VKM, duke prishur ndërtimet me leje apo të legalizuara dhe duke hequr të drejtën e pronësisë për këto ndërtime, kompetencë të cilën e kanë vetëm gjykatat. Madje, shkelje të Kushtetutës në vendimin e Këshillit të Ministrave, gjykata gjeti dhe në pamundësinë e shtetasve për t’u ankimuar ndaj vendimeve për prishje të INUK-ut. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i “lidhi duart” INUK-ut, pasi të gjitha veprimet e mëpasshme janë denoncuar si të paligjshme. Madje, ka pasur edhe denoncime në prokurori, pasi inspektorati vazhdonte të zbatonte VKM-në e rrëzuar nga Kushtetuesja.

Hetimet ndaj Dajtit

Kreu aktual i INUK-ut, Zyhdi Dajti, është marrë si person i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim të detyrës. Akuza thotë se Dajti ka penguar pa asnjë bazë ligjore zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës, ndërsa ka penguar edhe ndërtimin e një pallati shumëkatësh në Tiranës Për të dyja rastet, akuza tha se pezullimi i punimeve është bërë i paarsyetuar dhe në shkelje të ligjit, megjithëse Dajti vazhdonte të vepronte në bazë të VKM-së së shfuqizuar. “Gjykata konstaton se përfshirja në grupin e objekteve ndaj të cilave mund të ushtrohet kontroll nga INUK-u për vlerësimin e ligjshmërisë së tyre dhe të ndërtimeve me leje ose të legalizuara sipas ligjit, jo vetëm tejkalon kufijtë e ligjit për inspektimin dhe planifikimin e territorit, por cenon dhe pritshmëritë e ligjshme të pronarëve të këtyre objekteve, të cilët, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kanë fituar tashmë të drejtën e pronësisë mbi këto objekte”, thuhej në aktakuzën ndaj Dajtit, e cila i referohej GJK-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button