Sporti

Shqipëria mundet, por nuk zhgënjen

Ndeshje e mirë përballë Italisë në një stadium kuqezi. Vendos autogoli i Salihit

ReagimetFrançesko Açerbi – “Fitorja ishte e merituar, por dukej sikur luanim në transfertë, stadiumi ishte i gjithi i kuq.”

Stefano Okaka – “Ishte e çuditshme, mendonim se do të shihnim stadiumin të kaltër, por në fakt ishin të gjithë shqiptarë.”

Antonio Konte – “Ndeshja më pëlqeu shumë, në një ditë e gjysmë kemi përgatitur një sfidë ndaj Shqipërisë, e cila ka mundur Portugalinë dhe ka barazuar me Danimarkën, Serbinë e Francën.”

Xhani De Biazi – “Në stadium, ne shqiptarët ishim në superioritet për tifozerinë dhe në këtë aspekt u bë një festë e madhe. Besoj se dhuruam një paraqitje pozitive. Në pjesën e parë mund të bënim diçka më shumë, por gabuam në daljet, kur kishim topin në këmbë. Nuk arrijmë t’i konkretizojmë rastet e rëndësishme, por në 11 ndeshjet e fundit kemi pësuar vetëm pesë gola, një e dhënë pozitive për një skuadër që kërkon të rritet”.

Nga Ermal Kuka

Në “Luixhi Ferraris” të Xhenoas, kombëtarja shqiptare e futbollit ka luajtur “në shtëpi”, pasi në tribuna ishin më shumë se 20 mijë shqiptarë, që deshën të ishin të pranishëm në këtë sfidë, të cilën e pritnin prej kohësh. Entuziazmi i shumë emigrantëve shqiptarë të pranishëm është parë që nga fillimi i sfidës, e deri në fundin e saj, me këndimin e të dy himneve, brohoritjet e vazhdueshme apo edhe “dashurinë e tepërt” të disa tifozëve të zjarrtë që hynë në fushën e lojës për të takuar idhujt kuqezi.

De Biazi kishte vendosur të mos rrezikonte, duke hedhur të njëjtin formacion të kolauduar në ndeshjen me Francën, i ndërgjegjshëm se miku i tij, Antonio Konte, kishte ndërtuar një formacion ofensiv. Çerçi dhe Xhiovinko janë dy rreziqet më të mëdha për Shqipërinë në minutat e para, pasi krijojnë korridore, sidomos në krahun e majtë të prapavijës tonë, ku Agolli e Mavraj shpesh gjenden në vështirësi. Por, asnjë prej tyre nuk arrin të kalojë Berishën, i aftë të ndalë çdo tentativë drejt kuadratit të tij me ndërhyrje të sakta. Megjithatë, kuqezinjtë janë të vëmendshëm, në kërkim të një gabimi të kundërshtarëve. Çikalleshi ka mundësinë më të mirë në minutën e 37, kur rrëmben topin në mesfushë dhe lëshon një predhë nga distanca. Por fati nuk është me të, pasi shtylla i mohon gëzimin e një goli historik, ashtu si edhe me Lenjanin që godet jashtë kuadratit me portën e boshatisur. Lëvizjet e Çikalleshit vënë në vështirësisë prapavijën e Italisë, me Konten që udhëzon lojtarët e tij që të kenë kujdes ndaj sulmuesit shqiptar, duke i vënë pranë dy lojtarë si Bonuçi e Parolo.

Pjesa e parë mbyllet me një pritje të bukur të Berishës, ndërsa e dyta nis pa ndryshime mes skuadrave, me të njëjtën dinamikë: Italinë që përpiqet të sulmojë dhe Shqipërinë që nuk lë hapësira. Italianët kontrollojnë lojën, por është përsëri Shqipëria që ka mundësinë më të mirë për të shënuar, kur i pandalshmi Çikalleshi i rrëmben topin portierit Sirigu, por Lenjani nuk arrin të godasë në portë pas pasimit të tij, edhe pse pak hapa larg saj. Është përsëri Lenjani që tenton portën në minutën e 62, duke vënë në vështirësi portierin kundërshtar, ndërsa më pas fillon seria e zëvendësimeve nga të dyja palët dhe ul pak ritmin e ndeshjes. Okaka, i sapofutur në lojë, vë në provë reflekset e Berishës në minutën e 69, por edhe ai ka fatin e sulmuesve të tjerë, i ndalur me saktësi nga portieri shqiptar. Megjithatë, atë që nuk arrijnë ta bëjnë sulmuesit italianë në portën tonë, e bën një sulmues shqiptar. Pas një goditjeje nga këndi në minutën e 82 të sfidës, topi devijohet fillimisht nga Okaka e më pas nga Salihi, i cili me kokë dërgon topin në portën tonë, duke i dhënë avantazhin Italisë. Shqipëria hidhet e gjitha në sulm, në kërkim të barazimit, me De Biazin që rreshton në fushë njëkohësisht Salihin, Balajn, Ramën, Roshin dhe Shalën. Goli nuk vjen dhe ndeshja mbyllet me fitoren minimale të Italisë. Por kuqezinjtë dalin nga fusha me kokën lart, mes ovacioneve të publikut, që vlerësoi paraqitjet e tyre dhe tashmë beson më shumë se kurrë se kjo kombëtare mund të arrijë atë që nuk e ka bërë askush më parë, të shkojë në fazën finale të një aktiviteti madhor.

 

Itali 1

82′ (ag) Salihi

Shqipëri   0

Italia: Sirigu (72′ Perin), De Silvestri, Bonuçi (82′ Açerbi), Moreti, Antoneli, Çerçi, Parolo, Akuilani, Bertolaçi (70′ Bonaventura), Xhiovinko (65′ Okaka), Destro (65′ Matri).

Tr.: A. Konte

Shqipëria: Berisha, Hysaj (74′ Ajeti), Cana, Mavraj, Agolli, Lila (90′ Rama), Abrashi (71′ Shala), Kukeli (66′ Roshi), Memushaj, Lenjani (86′ Balaj), Çikalleshi (74′ Salihi).

Tr.: Xh. De Biazi

Gjyqtar: A. Harkam (Austri)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button