Opinion

Shteti islamik

DRITAN GOXHAJ

isisShteti islamik është në pamje i tillë, por në realitet ai është një organizatë klandestine. Kalifati i vetëdeklaruar është një aksident i historisë i dalë në pah nga tensionet ekonomike, sociale dhe politike të Lindjes së Mesme. Me daljen e tij, ai ka arritur që të tronditë kufijtë dhe ndarjet e vendosura në atë rajon që nga rënia e Perandorisë Osmane. Deri tani, ky shtet është më shumë i njohur për dhunën që po ushtron për të mbajtur nën kontroll territoret që ka pushtuar. Kjo lloj taktike e dhunës që po përdor do t’i heqë mundësinë, në mos ia ka hequr, për të arritur një lloj njohjeje ndërkombëtare zyrtare.

Rritja e menjëhershme e ISIS-it dhe përhapja e tij në territorin e Sirisë dhe Irakut pas vitit 2011 solli ndryshimin nga terrorizmi në kryengritje. Celulat e tij të fshehura u kthyen në divizione ushtarake dhe taktikat e tyre “godit e ik” u bënë fushata për të zënë dhe mbajtur territore. Këto lloj ndryshimesh kishin nevojë për liderë brenda organizatës, me aftësi të ndryshme nga ato që përbënin anëtarët e Al-Kaedës dhe, për fatin e Shtetit islamik, në radhët e tij kishte shumë anëtarë që kishin qenë ish-anëtarë të partisë Baath dhe që kishin mbajtur detyra kryesore ushtarake dhe civile nën regjimin e Sadamit.

Që nga tetori i vitit 2014, ky shtet kontrollon një territor që shtrihet nga veriu i qytetit të Alepos në Siri e deri në jug të qytetit të Bagdadit, në Irak, përfshirë këtu edhe qytetin e Raqas në Siri dhe atë të Mosulit në Irak. Brenda këtij territori ata qeverisin një popullsi prej 6 (gjashtë) milionë banorësh. Kontrolli i këtij territori nga ana e Shtetit Islamik është i bazuar në aleancat e ndryshme me aktorë lokalë, në radhë të parë me liderë të fiseve sunite, anëtarë të ish-ushtrisë dhe shërbimeve sekrete të Sadamit dhe fraksione të ndryshme të shtypura nga pushteti shiit në Irak dhe nga qeveria shiite e Bashar Al Asadit në Siri. Deri tani, Kalifati ka demonstruar një qasje gjithëpërfshirëse në kontrollin e territorit, duke marrë territore që u përkisnin edhe kundërshtarëve të dobët, pavarësisht bindjeve të tyre politike ose fetare, si dhe territore të pasura me naftë, ujë dhe drithëra. Fuqia e jetëgjatësisë së këtij shteti bazohet në mbajtjen e aleancave, ndërkohë që varet nga nivelet e pushtetit të pavarur brenda radhëve të tij. Pavarësisht prezencës së këtyre ish-zyrtarëve të Sadamit në radhët e larta drejtuese të ISIS-it, këta të fundit vazhdojnë të justifikojnë veprimet e tyre mbi legjitimitetin fetar. Këtë ata e bëjnë të bazuar mbi interpretimin ekstrem salafist të islamit, që do të thotë se çdokush që kundërshton qeverinë e tyre është ose femohues (murtad), ose është i pafe (kafir). Shteti Islamik përpiqet të nxjerrë legjitimitetin e tij bazuar mbi fenë. Kalifati i vetëshpallur është kapur fetarisht pas besimit të gjerë salafist se Bota Islame mund dhe duhet të kthehet te thjeshtësia dhe uniteti që ekzistonte në vitet e hershme të fesë islame. Ideologjikisht, Shteti Islamik bazohet mbi terrorizmin global dhe në atë që qeveritë në vendet me shumicë myslimane faktikisht janë totalisht të korruptuara, janë të pafe dhe jashtëzakonisht të ndikuara nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera perëndimore. Për këtë arsye, Shteti Islamik është më shumë i fokusuar në një lloj revolucioni të dhunshëm fetar, brenda këtyre shteteve me shumicë myslimane, sesa të sulmojë sponsorizuesit e këtyre qeverive.

Edhe pse shumica e vendeve në Lindjen e Mesme janë shumicë myslimane salafiste, ato e shohin qasjen tekfiriste të Shtetit Islamik një hap shumë ekstrem. Për këtë arsye, ky shtet ka marrë edhe kritika nga ideologë dhe mbështetës të Al-Kaedës. Pavarësisht aleancave dhe përpjekjeve të tij, Shteti Islamik nuk po arrin të bëjë miq, por faktorë të ndryshëm nga miqësitë po e ndihmojnë atë të mbijetojë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për sa kohë këta faktorë do të ekzistojnë:

Së pari, është ndarja e madhe sektare që ekziston në Lindjen e Mesme. Pavarësisht kërcënimit që përbën Shteti Islamik për të gjithë rajonin, shtetet në të dyja anët e ndarjes sektare vazhdojnë ta shohin atë si një rrezik më të vogël sesa dominanca rajonale e rivalit të tyre sektar. Derisa ky lloj perceptimi të ndryshojë, Shteti Islamik nuk do të përballet me ndonjë opozitë të fuqishme rajonale.

Së dyti, është mungesa e besimit që kanë arabët te qeveritë e tyre. Për sa kohë këto qeveri do të vazhdojnë të dështojnë në plotësimin e të drejtave dhe nevojave të popullatës së tyre, do të këtë gjithnjë një burim rekrutimi për Shtetin Islamik; ata që nuk do të kenë mundësinë e udhëtimit për t’iu bashkangjitur Shtetit Islamik do tentojnë të zbatojnë direktivat e tij në vendet e tyre. Frika e vazhdueshme ndaj terrorizmit, qoftë ai i importuar ose vendor, do të vazhdojë të rrisë represionin dhe mangësi të tjera në qeverisje edhe në shtete shumë herë më të fuqishme e të konsoliduara se ato arabe.

Së treti, vetë fakti që koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja, me mbi 60  shtete, të cilët kundërshtojnë praktikat dhe objektivat e Shtetit Islamik, përbën një arsye më shumë për shumë myslimanë në botë që ta paraqesin këtë si një sulm i mirëkoordinuar i Perëndimit kundrejt fesë islame. Ndërkohë që ky koalicion nuk ka bërë asgjë deri tani për ta sulmuar këtë lloj narrative.

Së katërti, Shteti Islamik i ka kushtuar dhe po i kushton një rëndësi të madhe imazhit të vet mediatik dhe propagandës. Pavarësisht dobësisë së tyre për të komentuar tekstet fetare dhe ato kuranike, imazhi i tyre vazhdon të jetë më i fortë dhe më i qartë se ai i opozitarëve. Ndërkohë që nuk ekziston fare një oponencë e organizuar fetare ndaj sjelljeve jo islamike të Shtetit Islamik.

Së pesti, gjithashtu kjo ka të bëjë edhe me opsionet propagandistike që Shteti Islamik u ofron luftëtarëve të huaj ose lokalë, opsione që, për këta rekrutë të mundshëm, mungojnë ose janë të pamundshëm për t’u ofruar nga qeveritë e vendeve në të cilat jetojnë. Shteti Islamik u paraqitet atyre me propagandën e tij si një rrugë për të gjetur identitetin e munguar, qëllimin, përkatësinë dhe plotësimin e tyre shpirtëror. Ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë përpjekje nga ana e qeverive të shteteve myslimane që me anë të propagandës mediatike të kundërshtojë këtë opsion të Shtetit islamik, për të nxjerrë në pah aspektet negative të këtij shteti, duke e bërë të qartë që kushdo që bëhet pjesë e tij nuk mund t’u shpëtojë praktikave të dhunshme jo humane e kriminale që ky shtet praktikon ndaj atyre që e kundërshtojnë ose nuk pranojnë pushtetin e tij.

Së gjashti, pavarësisht opozitës ndërkombëtare ndaj regjimit sirian dhe praktikave represive të qeverisë irakiane, asgjë konkrete nuk është bërë për t’i ndaluar ose ndryshuar këto praktika. Kështu, Shteti Islamik shfaqet më efektiv dhe më i motivuar se çdo aktor në anën tjetër.

Së fundi, ngecja në vend e edukimit kulturor dhe fetar jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në të gjitha vendet me shumicë myslimane, duke filluar që nga Lindja e Mesme e deri në Afrikën Veriore, nuk jep asnjë lloj drite të re mendimi dhe besimi për të ardhmen, përveçse një dëshire për t’u kthyer në të kaluarën e për t’ia nisur nga e para.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button