Ekonomia

Si mund të afrojë Shqipëria më shumë investitorë gjermanë?

Niveli i shkëlqyer në raportet politike mes Tiranës dhe Berlinit duhet të pasqyrohej në një stad më të lartë të pranisë së investimeve. Si mund të afrojë Shqipëria më shumë investitorë gjermanë?

Inxhinieri Kolë Gjoka është njëri nga pjesmarrësit e forumit ekonomik gjermano-shqiptar që do të zhvillohet të mërkurën në Tiranë, në prani dhe të Kancelares Angela Merkel. Gjoka ka rreth dy dekada që jeton dhe punon në Gjermani dhe prej rreth një viti e gjysmë është përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein.

Ai është takuar dhe tri herë të tjera me Kancelaren, por veçon njërin prej tyre, më 22 tetor 2014, në një aktivitet ku ishin pjesmarrës të huaj të suksesshëm të integruar në jetën sociale, ekonomike e politike gjermane. “Vlerësoj shumë mënyrën e gjallë të komunikimit të saj dhe vëmendjen që kushton ajo bashkëbiseduesve. Inspiruese është dhe natyra e thjeshtë dhe miqësore që ajo shfaq me ata që diskuton”, tregon Ing. Kolë Gjoka në bisedën me Deutsche Wellen.

Si i vlerësoni ju aktualisht marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e biznesit?

Janë marrëdhënie që ecin në rrugën e duhur. Nuk mund të them që janë ato që priten, sepse niveli i shkëlqyer në raportet politike mes Tiranës dhe Berlinit do të duhet të kishte një stad më të lartë të prezencës së investimeve në të dy vendet respektive. Aktualisht fushat ku bashkëpunohet janë energjitika, sektori i nxjerrjes e përpunimit të mineraleve, përmirësimi infrastrukturor, arsimi dual profesional, peshkimi, turizmi malor etj.

E keni parasysh zhvillimin e para pak ditëve në Shqipëri, kur u prezantua investimi gjerman “Tirana Business Park”, TBP, në sektorin e pasurive të paluajtshme nga Grupi Lindner. Një sipërmarrje që synon realizimin e një Parku Biznesi në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në kryeqytet, një qendër ekonomike të standardeve evropiane, që do të shoqërohet dhe me zhvillimin ekonomik dhe social të asaj zone.

Cila është pritmëria juaj nga vizita ditën e mërkurë të Kancelares Angela Merkel?

Jam me fat që do të jem edhe unë pjesë e forumit ekonomik mes dy vendeve tona në prezencën e Kancelares. Vizita e saj patjerër që do të tërheqi më shumë vëmendjen dhe do të ndikojë në forcimin e besueshmërisë në rradhët e investitorëve gjermanë. Ndaj dhe forumi i përbashkët ekonomik mes dy vendeve do të jetë një bilanc për të deritanishmen, si dhe një projeksion për programet dhe projektet afatmesme dhe afatgjata me interes të përbashkët. Forumet janë pika takimi dhe kontakti edhe për nisma private mes bizneseve që operojnë në të njëjtin sektor, një mundësi për bisedime bilateral një nxisin iniciativën e lirë mes partnerëve. Prezenca e Kancelares Merkel është garanci për palët, si ata që do të jenë prezent, ashtu dhe për ata që informacione dhe të dhëna të tilla i marrin përmes medias, apo në rrugë institucionale dhe joinstitucionale.

Këtu ju keni parasysh dhe karakterin rajonal të vizitës së Kancelares?

Sigurisht. Rreth një vit më parë zhvillimi i Konferencës së Berlinit ishte treguesi për interesimin e jashtëzakonshëm por dhe këmbënguljen e Kancelares, të qeverisë gjermane dhe Bashkimit Europian, për të përmirësuar kooperimin mes vendeve të rajonit, si një garanci për forcimin e stabilitetit, afrimin e investitorëve të huaj, të cilat ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Konferenca e Berlinit, që do të pasohet nga ajo e Vjenës, konsiderohet si fillimi i fundit të “eiszeit” në rajonin tonë. Liderët ballkanikë janë të ndërgjegjshëm dhe të bindur për sfidat dhe për mundësitë. Personalisht duke qenë një nga pjesmarrësit e saj, konstatoj me kënaqësi impaktin që ajo po sjell në forcimin e frymës bashkëpunuese për projektet rajonale. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit, përpjekjet që bëhen për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit e të tjerë tregues konkretë, flasin për vullnet nga palët.

Si përfaqësues i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein, cili është angazhimi konkret në këtë aspekt.

Ne vijojmë të lobojmë në mënyrë të vazhdueshme pranë autoriteteve politike dhe ekonomike gjermane për të prezantuar sa më mirë mundësitë dhe kapacitetet që ofron Shqiperia, qofshin mundësi ekonomike, intelektuale dhe zhvillimore. Përveç fushave ku ka kooperim mes dy vendeve, ne jemi të foksuar tek aplikimi i modelit gjerman për reformimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të afruar më shumë investitorë gjermanë?

Ne e kemi thënë vazhdimisht në takime, tryeza pune a konferenca mbi çështjet e biznesit, se ata nuk mund të afrohen kudo. Jo se janë selektivë. Por se një sipërmarrës gjerman kërkon disa kushte serioze të panegociushme: kuadri ligjor i precizuar dhe i zbatueshëm, klimë që nuk favorizon korrupsionin dhe konkurrencën e ndershme. Ata janë korrektë dhe precizë. Por ka dhe faktorë të tjerë që kushtëzojnë faktin nëse një investitor bën apo nuk bën investim, që lidhen me madhësinë e tregut, me karakteristikat e performancës, vendndodhjen, natyrën e produktit a shërbimit etj. Mbi të gjitha duhet që të mbisundojë ligji dhe të ketë instrumente eficente për luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, informalitetit në kuptimin e gjerë etj. Nuk duhet injoruar dhe profili i tyre që kërkojnë projekte konkrete dhe jo fjalë të përgjithshme. Ne duhet të mësohemi të bëjmë dhe të prezantojmë sa më mirë projekte konkrete, të besojmë në aftësitë tona dhe në cilësinë e produkteve dhe shërbimeve “Made in Albania”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button