Libri

Të mbetesh në një varg

ALDA BARDHYLI

Ai mund të kthehej me një varg. Emily Dikson imagjinonte zhurmën e hapave në errësirë që do të ndalonin në derën e saj. Atëherë në bllokun e vogël të shënimeve, ajo përpiqej të gjente rreshtin e duhur, atë që do të përcillte mes rreshtash mesazhin për dikë, se ishte koha të kthehej. Në letërsinë amerikane të shekulli të 19, Emily hodhi poshtë strukturën e një vargu me rimë, dhe e shndërroi poezinë në një shëmbëlltyrë të gjendjes së saj. Nuk kishte rëndësi struktura, por brendësia, ajo që do ta bënte lexuesin të ndihej menjëherë si nën një ombrellë në një ditë shiu. Në letërsi, poezia vijon të jetë si forma më e lartë estetike, e cila edhe me një rresht, ashtu si Dikson mendonte se mund të kthente një burrë. Më pëlqen ta shoh poezinë si një histori. Një histori që mund të japë në pak rreshta atë që mund ta gjesh në një roman. Një histori a gjendje e cila mund të bëhet e jotja teksa e lexon. Bukovski shprehej se duhet t’i kesh frikë poetët, pasi dinë të lexojnë të ardhmen. Ata janë njohësit më të mirë të dhimbjes, dhe gjithnjë në pritje të dashurisë. Janë të pafundme vargjet e shkruara që me shpikjen e kësaj forme letrare. Secilit prej nesh i ka ndodhur të ngelet në një varg. Në vargjet e Dikson më ndodh të mbetem shpesh, ashtu si në poezinë e Migjenit vazhdoj të gjej arkitekturën e mendimit të sotëm. Pasi poezia nuk vjen tek unë vetëm si gjendje, por dhe si mendim, dhe një tablo e historisë njerëzore. Dikur ajo ka pasur të njëjtin rol ndërgjegjësues sa teatri, media apo proza e gjatë. Luftërat janë udhëhequr nga vargje revolucionare, dhe sistemet janë mbajtur me poezi ideologjike. Historia e jonë e letërsisë është një shembull sesi poezia i ka shërbyer çështjes kombëtare, apo sesi komunizmi arriti ta kthente në shërbim të filozofisë së tij. Por dhe në kohë censure, apo rregullash të forta poezia ka mundur t’i “thyejë” barrierat dhe të shfaqet me trupin e saj të vërtetë. Është e jashtëzakonshme sesi me gjithë historinë e trishtë në të shkuarën tonë, kemi arritur të nxjerrim poetë si Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Frederik Reshpja…Në vargjet e tyre mund të gjesh modernitetin e kohës së sotme, që flak tej kohën në të cilën janë shkruar… Kosova është një tjetër shtrat i ngrohtë i poezisë shqipe. Aty ku dhimbja është më e madhe dhe poezia lind më lehtë…Nëse proza nuk arriti të japë ankthin e një historie të mbetur gjithnjë peng, poezia në Kosovë ka mundur ta japë këtë përmes vargjeve të Azem Shkrelit, Ali Podrimës, Din Mehmetit, etj…

Duhen kohë të mira të flasësh për poezinë, ndërsa ditë të trishta për ta shkruar atë. Këtë numër, revista letrare “Saras” ia kushton një pjesë të hapësirës së saj poezisë, duke sjellë më shumë vargje, në këto ditë që më shumë preken nga dielli. Pavarësisht rënies që ka tregu i poezisë gjithnjë e më tepër në botë nëpër librari, kjo formë letrare do të vazhdojë të mbetet si një zjarr që do na djegë gjithnjë, sa herë të afrohemi pranë tij. Le të mendojmë poezinë tonë të preferuar dhe të zgjedhim vargun ku duam të mbetemi…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button