Opinion

Të papriturat e një vendimi

SKËNDER MINXHOZI

Skender MinxhoziProkuroria e hodhi gurin. Kërkoi arrestimin e dy deputetëve, e jo spostimin e akuzës mbi Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Afera Doshi e ka që dje një fajtor për organin e akuzës. Ose më saktë dy të tillë. Ata janë Tom Doshi dhe Mark Frroku. Që të dy akuzohen se kanë sajuar një fabul vrasjeje të paguar, duke e kthyer këtë në një ngjarje kombëtare, e cila sot ka përfshirë qeverinë dhe opozitën, pa folur për tronditjen e shkaktuar prej javësh në trutë e qindra mijë njerëzve, që kanë ndjekur zhvillimet e Telenovelës Doshi nga ekranet, faqet e gazetave dhe interneti.

Ajo që lë pas (deri më tani) kjo histori e çuditshme, është një miks ndjenjash kontradiktore. Më së pari, është keqardhja për katrahurën politike që akuzat e Doshit prodhuan. Sot, njëra nga palët, opozita, e ka marrë çështjen “Doshi” në krahë dhe ka pushtuar rrugët. Pa u menduar gjatë se një çështje nën hetim, mund të marrë kthesa nga më të papriturat. Së dyti, një ndjesi edhe më e pakëndshme është ajo e një miqësie politike e njerëzore, nën çatinë e së majtës, e cila sot është bërë hi e thërrime. Duke lënë pas helme dhe akuza, që e tronditën jo pak qeverinë. Së treti, është e habitshme të shohësh se prokuroria, kur paska dëshirë, e bën malin fushë, siç thotë proverbi. Në harkun e tri javëve, organi i akuzës thirri “në apel” në dyert e tij, të gjithë politikanët me peshë të këtij vendi, pa llogaritur dhjetëra seanca pyetjesh me protagonistët e ngushtë të skandalit.

Pra, Adriatik Llalla i paska mundësitë që të hedhë dritë mbi ngjarjet dhe akuzat. Natyrisht, kur ka edhe pak dëshirë e vullnet. Por mendja të shkon, teksa sheh kërkesën e Prokurorisë për Doshin e Frrokun, te dhjetëra çështjet e vjetra dhe të reja, të cilat kanë mbetur në kufijtë e shkrimeve të gazetave, apo në suazën e pistë të akuzave parlamentare, e me të cilat organi i akuzës nuk u mor kurrë. Teksa sheh sesi Prokuroria e Përgjithshme “gjeti” këto 17 ditët e fundit kurajën, profesionalizmin dhe fuqinë për të çuar deri në fund një hetim delikat dhe që prek karriera njerëzish të pushtetshëm, të shkon mendja te krime e akuza të vjetra e të reja që s’u hetuan kurrë. Të kujtohen fajdet, djegia e gazetës më të madhe në Shqipëri, goditja e Kryeministrisë me antitank, vrasje deputetësh e politikanësh, biznesmenësh e bankierësh, të kujtohet një lumë i madh prej balte që është derdhur në çdo të enjte në foltoren e Kuvendit, ku akuzat për vrasje e trafik droge bënë pis çdo centimetër katror të asaj salle. Thuajse asnjëherë Prokuroria nuk pranoi të hyjë në atë ambient-tabu, për ta ndarë të vërtetën nga shpifja.

Së katërti, por jo më e parëndësishmja, teksa sheh çfarë po ndodh këto orë, ke dëshirën e madhe instiktive që termi i stërpërdorur i dekriminalizimit, të pushojë së qenë një slogan hipokrit, e të fillojë të zbatohet për të gjithë sektorët e shtetit dhe të politikës. Saga “Doshi” na tregoi se gota nuk mban më, por ka nisur të derdhet. Ka vite që politika shqiptare prodhon një pështjellim zorrësh, te shumë prej shqiptarëve që e ndjekin. U bë një kohë e gjatë që në sistemin tonë politik mund të hysh, të riciklohesh, të shkelësh ligjin, të mos dënohesh, të akuzosh, të tërhiqesh, të anatemosh e më pas të përqafosh atë që ke mallkuar dhe në fund fare t’ia dalësh që të mbijetosh i pashqetësuar në vendin tënd, me gjithë ofiqet, gradat dhe pasuritë që ke vënë gjatë rrugës. Ka një nevojë ulëritëse që kastat politike që lindën dhe shoqëruan tranzicionin, të marrin fund bashkë me të. E kjo është një sfidë kundër kohës dhe kundër rrymës, sepse ndryshimi u kërkohet pikërisht atyre që do jenë viktima e parë e tij: politikanëve.

Dosja “Doshi” mori formë dhe u konsumua në mesin e një zallamahie të vërtetë politike. Për pasojë, edhe përmbyllja e hetimeve të organit të akuzës do të krijojë efekte të prekshme politike. Shumica duhet të përballet me pasojat e largimit të dy parlamentarëve të Veriut dhe valët sizmike të këtij veprimi, në zonat ku ata kanë influencë. Pakica, nga ana e saj, ka sfidën e vështirë që të bashkojë kauzën e dekriminalizimit, me atë të mbrojtjes qoftë edhe indirekte të protagonistëve të kësaj historie. Nëse Basha dhe Berisha shprehen se e kanë atakuar Doshin dhe Frrokun si “fytyra e krimit”, si mund të mbajnë gjallë ata një stinë protestash, që bazohen në faktet dhe integritetin e këtyre deputetëve?! Nga ana tjetër, opozita duhet të gjejë një zgjidhje për bojkotin e ri (de facto) të Kuvendit, në kushtet kur protestat anti-Meta po vijnë duke u ftohur. Basha gjeti një kauzë të gabuar dhe sot duhet të bëjë llogaritë me situatën cilësisht të re që krijon mbyllja e hetimit nga prokuroria. Të cilën SHBA e përshëndetën rrufeshëm, ashtu siç kishin bërë kur Doshi u përjashtua nga grupi parlamentar socialist.

Në këtë moment, kur Llalla ka vënë vulën e tij mbi historinë e ngritur nga Tom Doshi, këtij të fundit dhe kolegut të tij Frroku, u takon të nisin rrugën e gjatë të mbrojtjes para drejtësisë. Me statusin e prezumimit të pafajësisë, ata kanë kohën dhe mundësinë që të ofrojnë provat që u mbeten (nëse kanë vërtet të tilla), për t’u mbrojtur, në pozitën delikate ku ndodhen. Çka mund të sillte të tjera zhvillime në procesin gjyqësor që pritet, e që me shumë gjasë do të vazhdojë të shkaktojë dallgë të larta në të gjithë sistemin politik shqiptar.

Gjithsesi, në fund të tre javëve të ethshme për protagonistët e kësaj historie, është e vështirë të imagjinohet nëse vetë Tom Doshi do t’i kishte artikuluar ato akuza ndaj Metës dhe të tjerëve, nëse do ta dinte më parë, rrugën agresive që do të merrnin hetimet e prokurorisë. Me shumë gjasë, realiteti mund të ishte pak i ndryshëm, por tashmë kjo s’ka më vlerë. Zaret janë hedhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button