Te ndryshme

Tregu holandez i luleve, industria simbol që po njeh konkurrencë

Çdo ditë të javës, në mëngjes, blerësit vërshojnë drejt Aalsmeer-it, rreth një gjysmë ore larg Amsterdamit, për të qenë prezentë në një treg të madh mallrash që mbulon rreth dy milionë metër katrorë sipërfaqe.

luleAta ulen nëpër stola, vështrojnë drejt ekraneve të mëdhenj të kompjuterëve dhe me shtypjen e një butoni, nis edhe oferta mbi një shumëllojshmëri enciklopedike lulesh: çdo gjë, që nga zambakët afrikanë, krisanthi dhe gerbera (emërtimi vjen nga holandishtja dhe lulja është quajtur kështu për nder të botanistit holandez, Traugott Gerber) e deri te “putrat e kangurit”, trëndafilat dhe sigurisht, tulipanët e famshëm holandezë.

Më pas, nga aeroporti që ndodhet aty afër i Schiphol-it, lulet mund të dërgohen në mbarë planetin. Sot, më shumë se gjysma e luleve të prera në botë, janë blerë e shitur në ankandet që zhvillohen këtu, e cila është një nyjë e tregut global të luleve qysh prej fillimit të shekullit të 20.

Por ky sistem, i cili ndihmon që lulet të bëhen sinonim i identitetit holandez, sikurse janë edhe këpucët e drunjta dhe mullinjtë e erës, është në mes të një përmbysjeje, ngërthyer nga ndryshimet që po revolucionarizojnë biznesin dhe po i japin fund traditës.

“Ne e kemi trashëguar këtë sistem, që ka qenë dominant për më shumë se qindra vjet, i cili pak a shumë po ndryshon ose po zhduket”, thotë Herman de Boon, presidenti i Shoqatës së Shitjeve me shumicë të luleve holandeze.

Shqetësimet rreth emisioneve të dyoksidit të karbonit dhe kostoja e naftës, shpesh kanë mbërthyer rrjetet e transportit global dhe rritësit e luleve kanë lëvizur nga Europa drejt vendeve më të ngrohta dhe më pak të shtrenjta, sikurse dhe klima në Afrikë ka ndryshuar përgjatë dekadës së fundit.

Ka pasur rritje të parashitjeve dhe dërgesa direkte. Sot, virtualisht çdokush me një lidhje interneti dhe një licencë blerjeje mund të ofrojë me anë të kompjuterit në ankand, pa pasur nevojë të vijë fizikisht e të inspektojë buqetën.

Pse nuk ka vuajtur “Triflori”?

“Ka qenë rreth dhjetë vite më parë”, thotë Marco Schouten, një blerës për “FloriBizz”, që bleu trëndafila për floristët në Itali e Spanjë, i cili tha gjatë një pauze në ankand në njërën nga mëngjeset e fundit: “Kishte zhurmë dhe miqësi”.

Edhe pse kështu, industria e luleve — që akoma përbën më shumë se 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Holandës — ka qenë dukshëm elastike, duke adaptuar klimën e vet të ndryshuar shumë më tepër se shumë nga ç’kanë nevojë lulet e saj.

Geert Hageman, një rritës veteran tulipanësh, shpjegoi se pse, për shembull, Triflori, biznesi i tij i tulipanëve, nuk ka vuajtur edhe gjatë krizës së fundmit ekonomike europiane. Sepse njerëzit kanë më pak para për të paguar për pushime dhe daljet jashtë, thotë ai, ata tentojnë të qëndrojnë në shtëpi, ku kanë dëshirë të jetojnë një jetë më pak luksoze në një kohë kufizimesh ekonomike.

“Në Europë, nëse nuk keni lule në shtëpi, gjithçka duket thjesht e zhveshur”, thotë z. Hageman, ndërsa mbikëqyr punën e një gjysmë duzine punëtorësh që tërheqin tulipanët e rinj nga shtretërit e lëvizshëm të tulipanëve në njërën ndër serrat e tij në Oude Niedorp, një fshat i vogël, rreth një orë larg veriut të Amsterdamit.

Hapja e tregjeve të reja në Lindje

Ai gjithashtu thotë se hapja e tregjeve të reja kënaq më së miri klasën në rritje, të mesme, në Europën Lindore e Rusi. “Ata i kanë qejf lulet vërtet — është shumë bukur”, thotë i lumtur z. Hageman.

Por ndërsa prodhuesit e mëdhenj holandezë si Triflor, i cili mund të rrisë deri në 1.2 milionë buqeta në një kohë, po u ecën mirë, shumë nga rritësit e vegjël, sidomos ata të cilët varen nga serrat e shtrenjta, janë tërhequr nga tregjet vitet e fundit.

Kooperativa “FloraHolland” përfaqëson rritësit holandezë e ata ndërkombëtarë dhe menaxhon ankandin dhe qendrat e shpërndarjes. Thuhet se nga viti 2008, kur ia nisi dhe kriza financiare, deri në 2013-n, anëtarësia e saj u rrit në 4600, nga 5100 rritës që ishte kur u themelua.

Blerësit akoma vijnë për të ekzaminuar lulet në dhomat e ftohjes para se të nisë ankandi në 6 të mëngjesit. Me shumë kujdes, ata shikojnë një ekran të madh, në të cilin vendosen çmimet e luleve, duke numëruar zakonisht nga një euro për buqetë. Blerësi që shtyp një buton i pari, i tregon ofruesit se sa buqeta ai dëshiron të blejë dhe çmimin e përzgjedhur.

Ofertimi është shumë i përqendruar dhe mbikëqyret me xhelozi. Një fotografe femër i dërgoi redaksisë së “The New York Times” mesazhin se asaj i ishte refuzuar aksesi në hyrje të korridorit të tregut, ndërsa një kolegut të saj mashkull, i ishte siguruar aksesi.

Por shumë prej tyre po blejnë nga distanca me rritës që furnizojnë me foto dixhitale dhe të dhëna mbi gjatësinë, masën dhe shëndetin e luleve të tyre.

Z. Hageman vlerëson se 40 për qind e tulipanëve të tij janë shitur tashmë para se të rriten dhe të priten, të cilat ai thotë se e kanë ndihmuar atë të planifikojë axhendën për periudhat e pikut, siç janë Dita e Shën Valentinit dhe Festa e Nënës.

Çfarë thonë studiuesit?

Studiuesit në Universitetin e Wageningen-it, rreth 50 milje në juglindje të Amsterdamit, po punojnë mbi mënyrat se si t’i mbajnë lulet në kontejnerë për javë me radhë, duke i vendosur në temperatura shumë pranë ngrirjes.

Ndërsa teknologjia akoma është në fazën e testimit, në fakt ajo mund t’u vijë në ndihmë rritësve të dërgojnë lule me anije më shumë sesa me avionë.

Eric van Heck, një profesor në “Rotterdam School of Management”, thotë se edhe pse ankandi holandez i luleve mund të jetë në rënie, shërbimet logjistike dhe ato financiare, të cilat për një kohë të gjatë e bënë atë të jetë i lulëzuar, mund të lejojnë akoma që holandezët të mbizotërojnë.

“Bëhet fjalë për krijimin dhe lidhjen në një platformë të dixhitalizuar për të shitur lule”, thotë ai. “Nuk mund ta nxjerrësh më jetesën vetëm brenda kufijve fizikë të Holandës.”

Marrë me shkurtime nga “New York Times”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button