Rajoni

Turqi, Davutoglu pritet t’i prezantojë kabinetin teknik Erdoganit

Kryeministri në detyrë i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka bërë të ditur se do t’i prezantojë Presidentit të vendit, Tayyip Erdogan, një listë me emrat e kabinetit të përkohshëm me pushtet të ndarë mes të gjitha palëve gjatë orëve të pasdites së kësaj të enjteje.

Kabineti i ri, i cili pritet të ketë të paktën dy emra nga partia opozitare prokurde e HDP-së, do të ketë si detyrë udhëheqjen e Turqisë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 1 nëntorit.

Dhe, siç ndodh zakonisht përpara zgjedhjesh, një sondazh i fundit i kompanisë “Gezici” tregon se partia në pushtet AK, e themeluar nga Presidenti aktual Erdogan, nuk pritet të fitojë votat e mjaftueshme për të qenë në gjendje të formojë e vetme qeverinë pas zgjedhjeve të 1 nëntorit, pasi aktualisht kuotohet me 38,9 për qind mbështetje, nga 40,7 për qind që ka pasur në zgjedhjet e qershorit.

Në votimet e 7 qershorit, partia AK humbi mazhorancën absolute për herë të parë që prej ardhjes në pushtet, në vitin 2002, ndërsa udhëheqësi i saj, kryeministri Ahmet Davutoglu ftoi krerët e opozitës t’i bashkoheshin një kabineti të përkohshëm.

Sondazhi i “Gezici”-t tregon se mbështetja aktuale për partinë kryesore laike të opozitës, CHP, është në kuotën e 27,8 për qind, për nacionalistët e MHP-së në 16,3 për qind, ndërsa për HDP-në prokurde në kuotën e 13,5 për qind.

Ndërkohë, një tjetër sondazh i kryer këtë javë e nxjerr partinë e Erdoganit, AK, me 41,7 për qind të mbështetjes në popull.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button