Bota

Turqia voton më 7 qershor. Zgjedhjet, test për Erdoganin

Zgjedhjet e përgjithshme të 7 qershorit në Turqi konsiderohen gjerësisht si test për Rexhep Tajip Erdogan, tre herë kryeministër e tani president i vendit.

Sondazhet më të fundit të opinionit lënë të kuptohet se partia e tij në pushtet, AK, mund ta humbasë shumicën në Parlament. Miliona turq shpresojnë që këto votime do t’i tregojnë kreut të shtetit limitet e tij.

Erdogani vazhdon të gëzojë mjaft mbështetje në popull, por koalicioni i ri pro-kurd, Partia Demokratike e Popullit (HDP), i cili po tërheq përkrahjen e ateistëve, liberalëve dhe aktivistëve të majtë, mund t’i prishë festën presidentit.

Deri tani, fushata ka pasur disa incidente të shëmtuara, përfshirë sulmet me bomba ndaj shtabeve elektorale të HDP-së dhe një përpjekje për ta etiketuar grupimin  si “terrorist”.

Kësaj partie i duhet të fitojë 10% të votave, pragu i nevojshëm për hyrjen në Parlament, ndërsa AK-ja synon të sigurojë 60 vende shtesë, çka mund t’i japin Erdoganit numrin e nevojshëm të kartonëve për ndryshimin e kushtetutës, sipas pëlqimit të tij.

Arsyet për të “ngacmuar” votat në 7 qershor janë të mëdha, thotë ‘Financial Times’, e për këtë arsye një tjetër lëvizje aktivistësh e nxitur prej protestave të vitit 2013, ‘Oy ve Ötesi’, që do të thotë “votë dhe përtej”, është duke organizuar një ushtri vullnetarësh të cilët do të qëndrojnë në krah të 120.000 monitoruesve të votimit për t’u siguruar në këtë mënyrë që të mos ketë manipulime.

Ekspertët mendojnë se fundi i gati 14 viteve në pushtet për partinë me bazë islamike do të kishte një ndikim të thellë në politikën e jashtme turke. Sipas tyre, do të kishte më së pari institucionalizim; së dyti, parashikueshmëri dhe, së treti, politikë të jashtme laike.

Dhe sigurisht, elementi i katërt: marrëdhënie të mira dhe paqësore me fqinjët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button