Bota

Gazetarët bjellorusë zhvendosen në Poloni, për shkak të kërcënimeve 

Arrestimet masive dhe frikësimi i gazetarëve të pavarur e bëjnë të vështirë raportimin e lirë të ngjarjeve në Bjellorusi. Por Belsat TV është i vendosur të vazhdojë të informojë qytetarët bjellorusë në mënyrë të pavarur. Siç raporton korrespodenti i Zërit të Amerikës Tommy Walker, dy vjet pas një agresioni ndaj mediave, Belsat TV po lufton dezinformimin dhe propagandën e Minskut nga Varshava e Polonisë.

Kur mijëra bjellorusë protestuan kundër pretendimit të Aleksandër Lukashenkos për fitore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, transmetuesi bjellorus Belsat TV ishte një nga mediat e pavarura.

Por ndërsa policia filloi të arrestonte politikanë të opozitës, gazetarët e rrjetit të pavarur zbuluan se edhe ata ishin në shënjestër.

Tani me qendër në Varshavë të Poloni, Belsat TV drejtohet nga një ekip gazetarësh që janë larguar nga Bjellorusia. Ata bashkëpunojnë edhe me kolegë nga brenda Bjellorusisë po thonë se puna e tyre po bëhet gjithnjë e më sfiduese.

Dy nga gazetaret e këtij televizioni janë burgosur. Gazetarëve të tjerë iu mohohet e drejta të bëjnë punën e tyre, ndërsa në nëntor të vitit 2021 Minsku e etiketoi televizionin një organizatë “ekstremiste”.

Zëvendësdrejtori i këtij televizioni thotë se kushtet kanë qenë gjithmonë të vështira. Por tani ata mbështeten gjithnjë e më shumë tek qytetarët që marrin rolin e gazetarit.

“Për fat, është viti 2022, ne kemi internet. Pothuajse të gjithë kanë telefona inteligjentë, shumë njerëz po na dërgojnë materiale. Ne jemi duke bashkëpunuar me organizata të tjera që mund të jenë jashtë vendit, por ende kanë rrjetet e tyre në Bjellorusi. Dhe ne sigurisht kemi rrjetin tonë”, thotë Aliaksei Dzikavitski, Zëvendësdrejtor i Belsat TV .

Siguria është e para për gazetarët e këtij televizioni, pas arrestimit të gazetareve në muajin nëntor të vitit 2020. Katsiaryna Andreyeva and Darya Chultsova në fillim u dënuan me dy vjet burg për organizimin e “trazirave masive”, sipas akuzës së ngritur nga autoritetet bjelloruse.

Në korrik autoritetet e dënuan gazetaren Katsiaryna Andreyeva me tetë vjet të tjera me akuzën për “tradhti të lartë”.

Ambasada e Bjellorusisë në Varshavë nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

“Unë thjesht përpiqem të mos mendoj se ato ndodhen larg dhe në burg. Kështu që unë mendoj se ato janë në një vend të ngrohtë dhe ende të lirë. Kjo më ndihmon të punoj”, thotë Aliaksandr Papko, gazetar në Belsat TV.

Belsat TV gjithashtu lufton propagandën mbi luftën e Rusisë në Ukrainë. Një emision pikërisht për luftën iu tregon njerëzve për lajmet që nuk janë të vërteta.

“Ky është një program që thjesht shpjegon se kemi të bëjmë me dezinformim dhe propaganda. Ne zbulojmë informacionet jo të vërteta dhe më pas flasim për faktet”, thotë Zmicier Mickiewicz, gazetar në Belsat TV.

Gazetari Mickiewicz, i cili u transferua në Varshavë në vitin 2020, thotë se nëse qëndron në Bjellorusi është një rrezik për këdo që kundërshton qeverinë, veçanërisht gazetarët.

“Për momentin nuk ka pothuajse asnjë media të lirë në Bjellorusi që funksionon. Ka disa media që nuk bëjnë asgjë për politikën, asgjë çfarë po ndodh realisht në këtë fushë”, thotë ai.

Ndërsa qeveria vazhdon të shtypë lirinë e shtypit në Bjellorusi, duke përfshirë burgosjen e gazetarëve dhe mohimin e licencave, mediat e pavarura si Belsat po detyrohen të zhvendosin veprimtaritë e tyre gazetareske diku tjetër.

Nga Polonia ata janë duke u përpjekur të vazhdojë të informojë bjellorusët, dhe botën, për atë që po ndodh realisht në terren në Bjellorusi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button