Home / Arte / Ben Blushi, së shpejti me një projekt që bën bashkë shkrimin dhe fotografinë

Ben Blushi, së shpejti me një projekt që bën bashkë shkrimin dhe fotografinë

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) për herë të parë organizoi një mbrëmje “Artist Talk”, me praninë e Ben Blushit, kësaj here jo si politikan, as si shkrimtar, por në pozitat e artistit-fotograf, të cilit i duhet t’i shpjegojë audiencës “Ukrainën në 10 orë”.

Në takim ishin të pranishëm artistë të artit pamor, si piktori e drejtori i GAT, Abaz Hado, profesori i fotografisë, Albes Fusha, të apasionuar të fotografisë, gazetarë por edhe gjimnazistë kuriozë për të zbuluar botën përmes fotografisë.

Duke rrëfyer “Ukrainën e tij”, Blushi tha se ky pasion i ri, nuk do të shuhet me këtë ekspozitë. Ai tha për ATSH se është duke përgatitur një tjetër vepër e cila bën bashkë shkrimin dhe fotografinë. Bëhet fjalë për një libër i cili pritet të shohë dritën e botimit në fillim të muajit nëntor.

Ky libër-album do të ketë portrete personazhesh të qëndisura nga pena dhe aparati fotografik i Blushit.

I pyetur nga drejtoresha e COD, njëkohësisht kuratore e ekspozitës, Eridana Çano, Blushi e pranoi si njëri nga personazhet e librit të ri do të jetë presidenti ukrainas, Zelensky.

Portreti i Zelensky-t është një nga fotot më goditëse të ekspozitës në COD. Tashmë mbetet të zbulojmë historinë që Blushi do i bashkangjisë kësaj fotografie dhe dhjetra personazheve të tjerë që do të jenë në librin e ardhshëm.

“Ukraina në 10 orë” përmban 67 fotografi, nga një vend i tjetërsuar vizualisht, siç tregon zgjidhja kuratoriale e Eridana Çanos, ne pjesën e parë të ekspozitës. Ndërsa në brendësi shohim shpirtin njerëzor, që nuk e braktis shpresën dhe lidhet fort pas jetës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: