Home / Ekonomia / BE, e prerë kundër amnistisë fiskale/ VOA: Ambasadorët u habitën nga bojkoti i Ramës

BE, e prerë kundër amnistisë fiskale/ VOA: Ambasadorët u habitën nga bojkoti i Ramës

Në Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Evropian ripërsëriti sot se “BE-ja ka shqetësime serioze për projektin aktual të ligjit për amnisti fiskale” të propozuar nga qeveria. “Ne do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”, nënvizoi Delegacioni në një reagim për mediat, duke lënë të nënkuptohet qartë, se në formën që është, propozimi për ta është i papranueshëm.

Ky qëndrim, në linjë me atë të shprehur dhe më parë, merr një peshë edhe më të rëndë nga fakti se erdhi pas takimit të sotëm mes ambasadorëve të vendeve anëtare ku ishte dhe ambasadorja amerikane dhe ai britanik, me përfaqësues të qeverisë dhe shumicës socialiste.

Takimi, që dukej se synonte të davariste skepticizmin e fortë ndërkombëtar ndaj kësaj nisme, ishte thirrur me ftesë të kryeministrit Rama, i cili zgjodhi megjithatë të mos merrte pjesë, duke shkaktuar jo pak habi, mes të ftuarve të tij, për këtë mungesë.

Për më tepër, një ditë më parë, zoti Rama, rikonfirmoi vendosmërinë e tij për ta çuar përpara këtë nismë ndërsa tha prerë se “amnistia fiskale do të bëhet” duke bërë të qartë gjithashtu se pavarësisht se ishte i gatshëm të dëgjonte vërejtjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, në fund të ditës, ai llogaritë i kishte me shqiptarët. “Ne jemi këmbëngulës, po dhe të duruar që të pastrojmë të gjitha ato cepa nga çdo lloj pluhuri apo iluzioni optik se aty ka pluhur dhe pastaj secili do ketë bindjen e vetë, por një gjë dua ta përsëris: Unë këtu jam i zgjedhur nga shqiptarët, nuk përfaqësoj ndonjë shtet tjetër dhe as nuk jam këtu si shprehje e vullnetit të ndonjë populli tjetër, që të jemi shumë të qartë”.

Shqipëria, është një vend kandidat për anëtar i BE-së, dhe në korrik të këtij viti mori dritën jeshile për nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, një proces që ka për qëllim përafrimin e vendit me standartet europiane. I pyetur pikërisht për këtë marrëdhënie të re me BE-në, zoti Rama përsëriti sërish se “ne këtu jemi për të bërë detyrat karshi shqiptarëve”, por duke shtuar se do i bënte këto detyra “natyrisht, pa i shkelur asnjëherë normat dhe pa shkelur asnjëherë parimet dhe pa shpikur asnjëherë gjëra që nuk kanë lidhje me legjislacionin dhe nuk kanë lidhje me BE-në. Ne nuk duam të bëjmë diçka që i shkon ndesh asnjë kornize që ka të bëjë me normat, parimet, vlerat dhe konceptet e BE-së”.

Për herë të parë, Bashkimi Evropian u shpreh publikisht lidhur me amnistinë në fund të qershorit, gjatë mbledhjes në Bruksel të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Ndërsa u shpreh që në atë kohë me të njëjtat terma për “shqetësime serioze”, deklarata e mbledhjes vinte në dukje se nisma “do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”.

Por kryeministri Rama ka këmbëngulur, siç bëri dhe një ditë më parë, se “bëhet fjalë për para të kursyer nga puna në të zezë, jo nga punët e zeza. Për punët e zeza ligji është shumë i qartë dhe i ka shumë të qarta dhe kategoritë që nuk janë të pranuara që të përfshihen në amnisti”.

Projektligji parashikon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 7-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale. Deri më tani asnjë nga autoritetet nuk ka dhënë shpjegim se sim und të vihet një pasuri deri në 2 milion euro me kursime nga puna. Një llogari fare e thjeshtë, dëshmon se që të arrihet një kuotë e tillë, në 30 vjet, do duhej një e ardhur mujore prej mesatarisht 5.500 euro, e cila e gjitha do të duhej të ishte kursyer.

Pikëpyetje të forta janë ngritur dhe mbi aftësinë e institucioneve për të parandaluar që nga kjo nismë të mund të përfitojnë anëtarë të rrjeteve kriminale, pavarësisht kufizimeve të përcaktuara.

Projekti ka hasur në kundërshtimin edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Dhomës Amerikane të Tregtisë, të ekspertëve të shumtë të ekonomisë, por dhe të përfaqësuesve të opozitës, pa votën e të cilëve projektligji nuk mund të kalojë.

Edhe sot deputetja demokrate Jorida Tabaku, ndërsa theksonte se “amnistia nuk është një nismë që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve”, ju drejtua me një thirrje kolegëve të opozitës “që të jenë të qartë e të vendosur në aktet e tyre. Ka ardhur koha që të mos fshihen dhe të kundërshtojnë ligjin e amnistisë fiskale. Vota në favor të atij ligji është vota për Shqipërinë larg BE dhe për një vend edhe më të pandershëm ndaj shtresës së mesme”, shkroi zonja Tabaku në një postim në Facebook.

Leave a Reply

%d bloggers like this: