Maqedonia

Dimovski pranon se kanë bërë lëshime në dhënien e shtetësisë Onishçenkos

Viktor Dimovski pranoi se Agjencia për Siguri Kombëtare të cilën e drejton, ka bërë lëshime në dhënien e shtetësisë për shtetasin ukrainas me orientim pro-rus Oleksandar Onishçenko. Dimovski deklaroi se lëshimin e ka bërë njëri nga shefat e sektorëve të cilët bëjnë kontrollimet e aplikuesve për shtetësi por pa dhënë detaje se kush është ai. Alsat mëson se bëhet fjalë për Kryeshefin e Sektorit për bashkëpunim Ndërkombëtar në këtë Agjenci.

“Kur hymë të analizojmë nëse ka problem dhe a është respektuar procedura paraprake në të gjitha nivelet, konstatuam se niveli i fundit, në të cilin duhet të bëhet konsultim ndërkombëtar me partnerët në suaza të NATO-s, ka bërë miratim por ka nënshkruar se nuk ekziston rrezik për sigurinë pa e bërë hapin e fundit”, u shpreh Viktor Dimovski, Drejtor i ASK-së.

Dimovski tha se nuk do t’i ikë përgjegjësisë për lëshimet në ASK. Pas dëshmisë së sotme të Dimovskit, kreu i Komisionit Parlamentar Lupço Prenxhov tha se do të kërkojnë përgjegjësi maksimale nga udhëheqësit e ASK-së.

“Komisioni do të vazhdojë, kemi shumë pyetje për të bërë, më shumë se 20, kur drejtori do u përgjigjet pyetjeve kuptohet se do të kërkojmë deri tek personi i fundit përgjegjës në rrjet që të mbajë përgjegjësi”, tha Lupço Prenxhov, deputet i opozitës.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, një ditë më parë, në tentim për të zbutur situatën me dhënien e shtetësisë deklaroi se fakti që Onishçenko gjendet në listën e zezë amerikane nuk përbën fare pengesë për institucionet e vendit.

Edhepse i emëruar për ambasador në Francë, drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Viktor Dimovski tha se nuk do të udhëtojë për në Paris për të ushtruar këtë detyrë, por pas këtij skandali me shtetësinë e ukrainasit Onishçenko vendoset në pikëpyetje edhe mbetja e tij në detyrën e drejtorit të ASK-së.

Për shkak të një gabimi teknik gjatë mbajtjes së seancës së komisionit i cili mbahej me dyer të mbyllura, referimi i kreut të DSK-së, Viktor Dimovski dëgjohej në formatin audio në kanalin Youtube dhe për këtë arsye seanca për llogaridhënien e kreut të ASK-së Viktor Dimovski u ndërpre dhe do të vazhdojë gjatë javës që vjen.

Aplikimin për shtetësi Onishçenko e kishte bërë në vitin 2021, ndërsa statusin shtetas e mori falë vendimit të Qeverisë në maj të vitit 2022. Biznesmeni kontrovers Onishçenko është person i padëshiruar për SHBA-të për shkak të ndikimit në zgjedhjet presidenciale, i përfshirë në rrjetin rus të ndikimit, i afërt me Moskën dhe i arratisur nga vendi i tij për shkak të dyshimeve për shpëlarje parash me vlerë prej mbi 100 milion euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button