Kendi i Kikos

Kiko nga Korfuzi flet për satelitët

Nga Lutfi Dervishi

Kikos nuk iu nda dhimbja e kokës as në Korfuz. Ika nga debati për prindërin 1 dhe prindin 2 dhe tani më duhet të sqaroj shqiptarët për satelitin 1 dhe satelitin 2.

Inatin Kiko e kishte me shqiptarët që nuk kuptojnë të mirat që u vijnë nga shërbimet satelitore, por si fillim ai shprehu zhgënjimin e madh me disa qeveritarë që nxituan të thonë se “Shqipëria tani ka satelitë në hapësirë”. Mos janë efektet e covidit? Mos i ka zënë gripi me temperaturë të lartë të gjithë në një ditë?! është njëlloj sikur emigrantët që vijnë në Shqipëri për disa ditë pushime dhe marrin një makinë me qera, por të afërmëve ua shesin sikur e kanë të veten makinën. Kaq e thjeshtë është kjo punë- tha Kiko. Ti paguan për makinën, por makina nuk është e jotja.
Ngritja e satelitëve është ngjarja më e madhe që nga kalimi i kometës Hallej, por shqiptarëve do t’u duhen vite ta kuptojnë se çfarë kanë arritur.
Shqiptarëve u mjafton një sy gjymë dhe harrojnë se çfarë ka ndodhur.
Kaq shpejt e harruan tërmetin e 2019, po zjarret e verës gjatë 2020? 2021? 2022?
Tani që satelitët janë ngritur në hava kur të bjerë sërish zjarr apo larg qoftë tërmeti, do të njoftohen në kohë reale zjarrëfikëset dhe ekipet e shpëtimit nga Kosova, Hollanda, Greqia, Rumania dhe Franca. Sikur vetëm për kaq hallall ato miliona euro?!
Por satelitët do të sjellin plot informacione të dobishme. Deri më tani, prej 20 vjetësh shqiptarët kanë marroë informacion për mbjellljen, kultivimin dhe korrjen e hashashit vetëm nga Guardia di Financa. Që nesër e tutje, do të ketë edhe një burim të dytë informacioni të pavaruar. Ashtu si në gazetari ku një lajm kërkon së paku dy burime, edhe në biznesin e hashashit, nuk do të ketë më lajme të njëanshme. E çfarë janë disa miliona euro, para një burimi të besueshëm?! Asgjë prej gjëje.
Shqipëria renditet në vendin e fundit në Europë për nivelin e perceptimit të korrupsionit. Por renditja do të përmirësohet me hapa galopantë. Tani e tutje për aktet korruptive qofshin në formë shkresore dhe të strukturuar si rasti i incineratorëve, qofshin në formë bajate si bakshishet te mjekët/inspektorët/policët do të njoftohen në kohë reale koordinatorët antikorrupsion që janë ngritur pranë çdo ministrie. Ditë të zeza po afrohen për korrupsionin në përgjithësi dhe ditë skëterrë po vijnë për ndërtuesit që kanë marrë guximin dhe kanë ndërtuar pa leje edhe në mes të sheshit Skënderbej në Tiranë. Sateliti jo vetëm që do të njoftojë në kohë reale çdo 70 cm që lartësohet, por edhe do të këshillojë ndërtuesit që të kenë kujdes nga zjarri, nga uji dhe nga qeveria. Jo miliona, por qindra milionë euro të shpenzosh në luftë kundër informalitetit dhe korrupsionit ja vlen që ç’ke me të.
Me satelitët 1 dhe 2 në hava, nuk ka nevojë të bëhet census. Të numërosh sa njerëz dhe sa prona kanë mbetur në këtë vend. Brenda pak minutash çdo gjë do të jetë e qartë si drita e diellit.
Por ndihmën më të madhe satelitetët do ta japin nga kantieret ku punohet natë e ditë. Ministrat dhe ekipet e xhirimit do të kursejnë dhjetëra orë pune se nuk do të kenë më nevojë të jenë në terren për të njoftuar veprat e shekullit. Satelitët çdo mëngjes do prodhojnë foto nga puna e madhe që bëhet natën dhe përmes një aplikacioni do të postojnë direkt në rrjetet sociale të ministrave arritjet e 24 orëve të fundit që sigurisht janë të pafundme, por për shkak të mungesës së kohës deri më tani askush nuk ka patur mundësi t’i shohë. Sikur vetëm këtë shërbim të bëjnë satelitët 1 dhe 2 dhe hallall milionat. Kursehet më shumë se karburanti dhe orët e shpenzuara për inspektime.
Sigurisht që çdo gjë që është prodhim njerëzor ka edhe kufizimet e veta. Satelitët psh nuk japin dot informacion për shqiptarët që kalojnë La Manshin apo edhe për ato që ikin dhe kërkojnë azil. Por besohet gjerësisht se ky numër do të pësojë rënie drastike tani që satelitët do të ndriçojnë çdo transformim rrënjësor që është bërë dhe po bëhet në këtë vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button