Home / Ekonomia / Rruga e Arbrit e rrënuar dhe gjysmake, merr 1/3 e financimit deri në nëntor 2022

Rruga e Arbrit e rrënuar dhe gjysmake, merr 1/3 e financimit deri në nëntor 2022

Kjo shumë është gati një e treta e fondeve totale prej 36,4 miliardë lekësh që do të marrë për të gjithë periudhën e koncesionit.

Por ndërkohë punimet në Rrugën e Arbrit janë larg përfundimit, teksa pjesa e përfunduar, edhe pse u mor në dorëzim nga qeveria, është në gjendje jo të mirë. Tuneli i Murrizit, që është aksi me më shumë kosto i rrugës, është në ende në ndërtim dhe po përparon me ritme shumë të ulëta. Ministria e Infrastrukturës pret që punimet në këtë segment të përfundojnë brenda këtij viti.

Rruga e Arbrit ka kaluar një histori të komplikuar kostosh dhe procedurash, nga planet fillestare për ndërtimin e saj me 70 milionë euro, deri në ditët e sotme ku fatura pritet të arrijë mbi 350 milionë euro.

Qeveria e mori në dorëzim rrugën në nëntor të vitit 2021, edhe pse punimet nuk kishin përfunduar në një pjesë të madhe dhe me cilësi të dobët punimesh. Inxhinierët e fushës pohuan se, kostot ishin mjaft të larta nga studimet fillestare të fisibilitetit, teksa koncensionari nuk respektoi parametrat e gjerësisë, shesh- pushimet, mbrojtjen anësore të skarpateve, etj.

Reshjet e ditëve të fundit kanë përkeqësuar më tej situatën, ku segmente të saj janë gjendur me shembje masive të dherave, aq sa edhe mjetet e kompanisë koncesionare kanë përfunduar në përroin ngjitur.

Afati i kohëzgjatjes së ekzekutimit të kontratës është 13 vjet, ndërkohë që punimet nisën më 2019. Këtë vit mbushen 5 vjet nga hyrja në fuqi e kontratës. Sipas përcaktimeve në kontratë rruga duhej të ishte dorëzuar e plotë maksimumi më 2022, por më shumë gjasë punimet në këtë aks tashmë të rrezikshëm edhe për përdoruesit do të zgjasë pa afat.

Rruga e Arbrit nuk është një projekt i ri, ajo ka nisur zbatimin në kohën e qeverisë “Berisha” gjatë së cilës u ndërtuan disa pjesë të segmentit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, kur nisi koncensioni ishin ndërtuar plotësisht 20.12 kilometra, pjesërisht në 15.17 km dhe ishin të paprekura nga punimet 26.3 kilometra.

Investimet publike po humbasin efektivitetin pasi janë copëzuar në projekte jofizibël dhe kontrata shumëvjecare. Rrugët kanë qenë prioriteti kryesore i qeverive ndër vite dhe vazhdojnë të jenë, por invetsimet janë përqendruar në periferi duke lënë qendrën e vendit me pa një rrjet bashkëkohor rrugor edhe pse 60% e trafikut është na rajonin, Krujë, Durrës, Tiranë./MONITOR/

One comment

  1. Sa shume kushtojne rruget ne Shqiperi ? Tamam me cmimet si te Gjermanise

Leave a Reply

%d bloggers like this: