Home / Kronika / Peleshi: Vjosa afër niveleve kritike, në Shkodër 950 ha tokë nën ujë

Peleshi: Vjosa afër niveleve kritike, në Shkodër 950 ha tokë nën ujë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi informoi sot mbi situatën më të fundit nga reshjet në vend, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes në zonat e rrezikuara.

Nisur nga përkeqësimi i fortë i motit, kërcënimet nga reshjet e larta dhe bora e ngricat në vijim, Peleshi u ndal te masat e ndërmarra si edhe çfarë duhet pasur parasysh nga vetë qytetarët.

“Situata në veri dhe pjesën e jugut, në Vlorë e Fier e shkaktuar nga reshjet me intensitet diku shumë të lartë diku mesatar ka filluar të shkaktojë emergjenca përmbytjesh, bllokim rrugësh rurale dhe ndërprerje të energjisë në disa zona. Situata është e menaxhueshme, nuk paraqet rrezikshmëri të lartë por zona e nënShkodrës ka prezencë uji si dhe në qytetin e Lezhës ku në orët e para të mëngjesit kemi prezencë uji në qytet”, tha Peleshi.

Ministri u shpreh se ditën e sotme parashikohet të ketë rritje të prurjeve nga lumenjtë Drin, Buna, Mat dhe Vjosë, për pasojë pritet të kemi shtim të përmbytjeve në zonën e nënShkodrës dhe zonës periferike të qytetit në afërsi të liqenit.

“Rrezik të shtuar për përmbytje gjatë ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë edhe në lumin Vjosë. Jemi afër niveleve kritike por projeksionet nuk janë pesimiste, duke pasur parasysh vijimin e intensitetit të reshjeve në ditët në vazhdim”, tha ai.

“Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër pritet të ketë vërshime të lumenjve si dhe rrëshqitje të dherave. Priten reshje shumë intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë dhe Elbasan dhe mesatare deri lokalisht intensive në qarqet e tjera”, tha Peleshi.

Sipas tij, “sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme ka qenë 25 mm, ndërsa prurjet janë 2 mijë m3 në sekondë”.

“Sasia e reshjeve në Koman e Vau i Dejës janë 40 mm, ndërsa prurjet në Koman janë 1200 m3 në sekondë dhe në Vaun e Dejës 500 m3 në sekondë. Shkarkimet janë në ulje dhe po menaxhohen shumë mirë nga KESH-i. Faktori negativ i shkarkimeve në rastet e përmbytjeve po vjen gjithnjë duke u ulur, pasi shkarkimet po menaxhohen me kujdes”, tha ai.

Për sa i përket furnizimit me energji elektrike, Peleshi theksoi se gjatë ditës së djeshme është vepruar shumë shpejt nga OSHEE aty ku ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike dhe është rikthyer në pjesën më të madhe furnizimi me energji.

“Por, kjo është një problematikë që e shoqëron këtë periudhë të reshjeve të larta dhe erës së fortë. Ka pasur disa ndërprerje të tjera në zonat Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Fier e Elbasan. Strukturat e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e energjisë”, informoi ai.

Për sa i përket kuotave të lumenjve, Peleshi theksoi se niveli i lumit Osum është në rënie dhe nuk paraqet probleme për përmbytje.

“Lumi Devoll është në kuota normale, Drini në Shkodër te ura e Bahçallëkut shënon kuotën 6.2 m nga kuota 7.5 m që është ajo maksimale. Niveli i liqenit në Shkodër shënon 7.85 m nga kuota 8.7 m. Lumi Drin në Lezhë është 1 m larg kuotës kritike. Në Vjosë është ulur niveli krahasuar me dje dhe rreziku për përmbytje është duke u zvogëluar. Ndërkohë lumenjtë Erzen, Ishëm, Shkumbin dhe Seman janë në kuota normale”, informoi Peleshi.

Ministri theksoi se në qarkun e Shkodrës ka dalje të Bunës në Muriqan dhe Oblikë dhe sipërfaqja e përmbytur është rreth 950 ha.

“Në Malësi të Madhe ka pasur prezencë uji në 2 banesa. Në bashkinë e Durrësit kanali i ujërave të larta ka dalje nga shtrati në tokat bujqësore përreth. Në qarkun Kukës janë në kuota maksimale rezervuarët në disa fshatra dhe janë marrë masat nga bashkia për shkarkime të ujit në këto rezervuare”, tha ai.

Peleshi u tërhoqi vëmendjen bashkive që të paralajmërojnë në kohë banorët në raste shkarkimesh, si dhe të kenë të gatshme kapacitete për evakuim dhe strehim në çdo zonë.

Po ashtu ai kërkoi që të vijohet pa ndërprerje monitorimi i nivelit të lumenjve e përrenjve.

Për përballimin e situatës, ai theksoi nga Forcat e Armatosura janë në gatishmëri 1200 forca dhe 450 mjete.

One comment

  1. Qeveria I krijon vete problemet qe me vone te kete justifikime

Leave a Reply

%d bloggers like this: