Arte

Ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding viziton Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit

Ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding vizitoi  këto ditë  Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Bashkëpunimi mes Kinës dhe Shqipërisë në fushën e librit, përkthimi i autorëve shqiptarë në gjuhën kineze, zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta me në fokus librin, pjesëmarrja në festivale dhe konferenca të rëndësishme letrare, sfida e leximit për brezin e ri, ishin pjesë e takimit.

Kujtojmë se prej disa vitesh një program i rëndësishëm në fushën e librit ka filluar midis dy vendeve, me një mbështetje të rëndësishme financiare nga ana e qeverisë së Kinës për botimin e rreth 25 librave të përkthyer nga letërsia kineze në shqip dhe anasjellas, në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë.

Ambasadori  Zhou Ding u shpreh se “libri është mjeti që ka bashkuar gjithnjë dy popujt tanë”, duke shprehur mbështetjen për programe që kanë në fokus autorët e rinj shqiptarë. Ai vizitoi dhe ekspozitën “Një karrige për shkrimtarët” me autor fotografin e njohur Roland Tasho, e cila prej dy javësh është hapur në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës shprehet se ky takim ishte shumë i vlefshëm dhe se takime të tilla do duhet të zhvillohen shpesh.

Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit u zhvillua një takim me Ambasadorin e Kinës në Shqipëri. Sa të rëndësishme janë këto takime?

Alda Bardhyli: Ishte kënaqësi të mirëprisja në QKLL ambasadorin e Kinës z. Zhou Ding dhe ta njihja atë me punën që kemi bërë në shërbim të librit dhe të autorit shqiptar. Bashkëpunimet me partnerë të rëndësishëm të kulturës dhe miqësisë shqiptare siç është Kina janë të domosdoshme për ne, në kuadër të vizionit tonë për ta parë kulturën si një urë komunikimi, e cila i përsos raportet mes vendeve dhe gjuhëve. Më vjen gjithashtu mirë që kjo vizitë do të shënderrohet në projekte të tjera konkrete në fushën e librit, duke përcjellë më tej nismën e hershme “16 plus 1”, e krijuar në 2003.

Çfarë u fol në këtë takim ? Cili ishte fokusi i përgjithshëm?

Alda Bardhyli: Kultura dhe letërsia, që forcojnë miqësinë mes vendeve, ishin në fokus të këtij takimi. Letërsia e madhe kineze ka qënë frymezuese për lexuesit në të gjithë botën e gjithashtu për ata në Shqipëri. Shumë vepra dhe shumë autorë të kësaj letersie janë pjesë e bibliotekave tona. Përkthyesit, janë punëtorët e heshtur të cilët bëjnë të mundur njohjen e kulturave në vende të ndryshme. Dhe pikërisht mbështetja e tyre ishte në fokus të kësaj bisede. Prioriteti ynë në QKLL është mbështjetja e autorëve të rinj dhe promovimi i tyre në një kulturë të madhe si ajo e Kinës, ishte më tej vijim i bisedës së përbashkët me ambasadorin. Në këtë takim folëm edhe për letërsinë e shkrimtareve gra nga Kina dhe shpresoj që gjatë 2023 të bëjmë një aktivitet për to.

Cila është perspektiva dhe çfarë do të donit personalisht për të arritur në bashkëpunim me Kinën?

Alda Bardhyli: Bashkëpunimi mes Kinës dhe Shqipërisë në fushën e librit është i hershëm. Dy kulturat kanë pasur një komunikim të mirë me njëra-tjetrën që i ka shërbyer edhe njohjes së vlerave të të dy popujve. Prej disa vitesh ka edhe një aktivitet të përbashkët mes qeverive të të dy vendeve më mbështetje të rëndësishme financiare për botimin e 25 librave të përkthyer nga letërsia kineze në shqip dhe anasjelltas. Personalisht kam lexuar disa prej këtyre librave, të cilët e pasurojnë bibliotekën e lexuesve tanë.

Ambasadori i Kines në Shqipëri pati mundësi të shihte nga afër ekspozitën pranë qendrës?

Alda Bardhyli: Vizita e ambasadorit të Kinës në QKLL përkoi edhe me hapjen e ekspozitës me portrete të 46 shkrimtarëve të njohur shqiptarë ndër vite, realizuar nga fotografi Roland Tasho. Më vjen mirë që bashkë me të patëm mundësi t’i flasim më gjatë ambasadorit për këto personazhe që i kanë dhënë kaq shumë historisë sonë letrate dhe gjuhës shqipe. Kjo ekspozitë ëshë një nderim ndaj tyre për gjithçka që i kanë dhënë kulturës sonë. Kjo ishte një kartolinë e bukur për lesuesit tanë në fund të 2022. Një pjesë të madhe të shkrimtarëve, ambasadori i njihte pasi kishte pasur mundësi t’i lexonte. Ai kishte lexuar edhe një libër me poezi të Dritëro Agollit, ndaj më vjen mirë që e pa nga afër këtë ekspozitë.

Cila do të jetë kryefjala e vitit 2023 për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit?

Alda Bardhyli: Kryefjale do të jetë leximi, fushata “Shqipëria lexon”, të cilën ne e nisëm një vit më parë dhe krijoi një popullaritet pothuajse në të gjithë hapësirën e Republikës së Shqipërisë, për të ndërgjegjësuar sa më shumë lexues dhe për të marrë pjesë në takime me librin e shkrimtarë, por gjtihashtu edhe për të ndërtuar sa më shumë biblioteka apo kënde leximi.Do të ketë edhe këtë vit takime dhe ngjarje që i përkasin librit. Përgjatë këtë vit do të zgjedhim edhe poetin Laureat Shqiptar.

Intervistoi: Megi Latifi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button