Politika

Mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Begaj: Shqipëria, në krah të Kosovës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të analizuar gjendjen e sigurisë kombëtare dhe prioritetet për vitin 2023. Moren pjese kryeministi Rama, Ministri i Brendshem Cuci, Ministri i Mbrotjes Peleshi, zv/kryetare Sherbimit Informativ Kombetar, Guvermatori i Bankes Shqiperise, etj.

Në fjalën e tij, Presidenti u shpreh se, “viti që lamë pas, i vështirë dhe sfidues për sigurinë kombëtare”. “Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet”, theksoi Begaj.

Begaj tha po ashtu se, gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës.

“Gjithashtu ka pasur cenim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit etj. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, tha ai.

Në aspektin rajonal, Begaj tha se “ka pasur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare, ndërkohë që shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë”.

“Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO-s në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjellë”, shtoi ai.

Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës, sipas Kreut të Shtetit, ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve.

Presidenti informoi se në këtë takim do bëhet një analizë e gjendjes së sigurisë kombëtare dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është se do të diskutohet mbi prioritetet për vitin në vijim, në funksion të një angazhimi të plotë dhe gjithëpërfshirës të të gjitha institucioneve, për të siguruar bashkërendimin e përpjekjeve dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button