Kronika

Tuba, llamba dhe kanabis/ Shtëpi bari në Shijak, zbulohet arsenal armësh i fshehur në mur të dyfishtë, përdorej nga grup kriminal

Një shtëpi bari është zbuluar në Shijak, ndërsa ka rënë në pranga një 46-vjeçar gjatë megaoperacionit policor “Krahët e Krimit”.
Fredi Krasniqi ra në pranga, ndërsa u shpall në kërkim vëllai i tij, Selman Krasniqi, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje, të cilët dyshohet se janë pronarët e banesës.Në banesën 4-katëshe në Sallmone të Shijakut u gjetën 444 bimë narkotike dhe 222 llamba elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre.
Ndërsa në një ambient me mur të dyfishtë brenda shtëpisë u gjet arsenal armësh, e cila dyshohet se ishte në funksion të një grupi kriminal. Arsenali kishte 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

POlicia gjurmoi shtëpinë e barit nga informacionet në rrugë operative dhe në inteligjencën informative, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Drejtues i Parë Skënder Hitaj, konferencë për shtyp, për finalizimin e megaoperacionit policor të koduar “Krahët e krimit”.

Fjala e plotë e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Jam sot këtu, me Zv/drejtorin e Policisë së qarkut, për Hetimin e Krimeve dhe me shefin e Komisariatit të Policisë Shijak, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit policor të koduar “Krahët e krimit”. Në zbatim të planit të masave, të hartuar nga Policia e Shtetit, me fokus mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave dhe në terrene të hapura, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë zhvilluar operacione kontrolli, në terren, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive. Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në këtë plan masash dhe në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara më parë, bazuar në inteligjencën informative, se në një ambient (banesë), në fshatin Sallmone, Shijak, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave dhe se mbahej i fshehur një arsenal armësh, i poseduar nga grupe kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shijak, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar megaoperacionin policor të koduar “Krahët e krimit”.

Si rezultat i këtij megaoperacioni, në fshatin Sallmone, u zbulua ambient (banesë 4-katëshe) i dyshuar në pronësi të vëllezërve F. K. dhe S. K. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se kati i tretë dhe i katërt i kësaj banese, ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Krahët e krimit”, bazuar në inteligjencën informative, se në këtë banesë mbahej i fshehur edhe një arsenal armësh, është ushtruar kontroll i imtësishëm në të gjitha ambientet e kësaj banese. Si rezultat, në një ambient me mur të dyfishtë, në këtë banesë, është gjetur i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 46 vjeç, banues në Sallmone, Shijak, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi S. K., 43 vjeç, shtetas me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtes pa leje. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij. Nga hetimet e kryera deri tani, si dhe bazuar në inteligjencën informative, dyshohet se armët e gjetura në këtë ambient (banesë), mund të jenë fshehur nga pjesëtarë të grupeve kriminale. Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për të përcaktuar nëse janë përdorur për ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Po nga hetimet, dyshohet se edhe kultivimi i bimëve narkotike mund të jetë financuar nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Durrës, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për të dokumentuar me prova ligjore, autorësinë e vërtetë të pronësisë dhe të posedimit të armëve të zjarrit, si dhe të financimit të kultivimit të bimëve narkotike, me qëllim kapjen dhe nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale.  Drejtoria Vendore e Policisë Durrës garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar me zero tolerancë, krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke bashkëpunuar ngushtë me agjencitë ligjzbatuese dhe me aleatin e saj kryesor, qytetarët. Në këtë kuadër, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast paligjshmërie, si dhe të mbështetin edhe më shumë Policinë në punën e saj, me qëllim që bashkërisht të ndërtojmë një ambient sa më të sigurtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button