Ekonomia

Kredia për ndërtimin u rrit përsëri në 2022, preku nivelin më të lartë në të paktën gjashtë vitet e fundit

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar disbursoi kredi të reja për sektorin e ndërtimit në vlerën e 37.1 miliardë lekëve, në rritje me 11.8% krahasuar me një vit më parë. Kredia e re për ndërtimin përbënte pothuajse 20% të gjithë kredisë së re për bizneset të dhënë nga sektori bankar vitin e kaluar.

Ndërtimi ishte sektori i dytë më i kredituar në ekonominë shqiptare, pas tregtisë. Teprica e kredisë për ndërtimin në fund të dhjetorit arriti në 72.7 miliardë lekë, në rritje me 16.7% krahasuar me një vit më parë.

Kredia për ndërtimin në vitet e fundit ka përjetuar një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, vitin e kaluar vlera e lejeve të ndërtimit për ndërtesa, përfshi rikonstruksionet, ishte rreth 97.8 miliardë lekë, në rritje me 21.5% krahasuar me një vit më parë. Rritja e investimeve në ndërtim po mbështet nga rritja e shpejtë e çmimeve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e vitit të kaluar indeksi Fischer i çmimeve të banesave shënoi një rritje vjetore rekord me 39%. Rritja e çmimeve duket se nxitur edhe sektorin bankar të mbështesë investimet në këtë sektor, megjithëse një pjesë e portofolit mund të jetë e lidhur edhe me kredinë për firmat kontraktore të investimeve në infrastrukturë.

Megjithatë, tabloja aktuale makroekonomike ka shtuar ndjeshëm rreziqet për një frenim të sektorit të ndërtimit. Inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit po e bëjnë gjithnjë e më të mundshëm një frenim në ritmet e rritjes së sektorit të pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit.

Në fakt, qysh në tremujorin e fundit të vitit 2022, kredia për blerjen e banesave për individët pësoi një ngadalësim të ndjeshëm. Shumica e familjeve kredimarrëse e ndien efektin e shtrenjtimit të normave të interesit, kryesisht nëpërmjet përcjelljes së rritjes nga treguesit e referencës, bonot e thesarit për lekun dhe euribori për euron.

Për huamarësit me norma të ndryshueshme interesi kjo solli një rritje të normës së interesit që arriti deri në 4.2 pikë përqindje për kreditë në monedhën vendase.

Një shtrenjtim i tillë natyrshëm ndikoi negativisht si kërkesën, ashtu edhe ofertën për kredi. Kredia bankare financon një pjesë të konsiderueshme të transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme, të paktën 30% të tyre, bazuar në vrojtimet periodike të Bankës së Shqipërisë.

Në tregjet e zhvilluara rritja e normave të interesit ka një efekt të drejtëpërdrejtë në frenimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Në Shqpëri efekti mund të jetë më i butë, për shkak të ndikimit të konsiderueshëm të parave nga aktivitete informale apo kriminale, si edhe nga një kërkesë relativisht e lartë nga blerësit jorezidentë në Shqipëri.

Megjithatë, një ndikim negativ nga rritja e normave të interesit do të jetë i paevitueshëm edhe në vendin tonë dhe kjo shton rreziqet potenciale edhe për sektorin bankar.

Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme nga familjet dhe bizneset dhe kredia për ndërtim dhënë biznesit përbëjnë së bashku rreth 49% të portofolit të kredisë së sektorit bankar shqiptar. /Monitor/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button