Opinion

Mëndësi moniste e politikanëve shqiptarë

Petro Dhimitri

Shumica e politikanëve shqiptarë u rritën dhe edukuan me mësimet e Partisë së Punës, Marksizëm-Leninizmit dhe të internacionalizmit proletar. Ata as që e kishin menduar që Partia e Punës kishte për t’u përmbysur, edhe pse në Botë vetëm ne dhe Korea e Veriut kishim mbetur si fanar ndriçues të Marksizëm-Leninizmit. Ishte revolta e studentëve (populli mezi po e priste atë çast), që ndryshoi si tufan me shpejtësi të madhe gjendjen tonë ideoemocionale.Po trokiste fort në zemrat tona  thirrja :” E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.Deshën nuk deshën (apo sepse edhe vetë Ramiz Alia fshehurazi i nxiti), shumë nga ata që përgjëroheshin për teserën e kuqe të partisë që mbanin në xhep, brenda 24 orëve të rilindnin. Nga ushtarë besnikë të nënës Parti dhe xhaxhi Enverit, deklaruan me të madhe se u bënë demokratë të kulluar. Njeri nga këta, më kryesori ishte doktori Sali Ram Berisha. Atij diktatori Ramiz Alia ia besoi detyrën  që të vihej në krye të studentëve demonstrues. Si sekretar partie i devotshëm doktori e plotësoi me nder porosinë e partisë dhe, bëri ç’bëri, u zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike, të parës dhe më të madhes parti antikomuniste të Shqipërisë. Pasojat e këtij komandimi do të dukeshin shumë shpejt. Njerëzit i dinë mirë dhe s’kanë nevojë t’ua përsëris. Dua t’ju kujtoj vetëm se përse shumë shqiptarë atëhere u zhgënjyen?

          Ishim mësuar t’i shikonim udhëheqësit si njerëz të veçantë, si kuadro që tërë kohën vetëm ata kishin për të na drejtuar. Diktatori nga dita e themelimit të Partisë më 8 Nëntor 1941 deri sa vdiq ,për 44 vjet rresht e mbajti atë post. Gjysmëshekulli drejtoi me dorë të hekurt ogurzezë vendin vetëm një parti. Dëgjohej gjithë frikë vetëm këmbora e saj. Edhe bashkëluftëtarët e tij i linin karriget po qe se devijonin, shpalleshin agjentë dhe merrnin damkën e armikut të klasës. I priste burgu ose ekzekutimi. Mehmet Shehu 27 vjet kryeministër (1954-1981) deri natën kur e vranë ose u detyrua të vriste veten. Ramiz Alia 31 vjet anëtar i Byrosë Politike. Rita Marko 35 vjet anëtar i Byrosë Politike. Haxhi lleshi 29 vjet President i Shqipërisë…Kur erdhi flladi i demokracisë kujtuam se edhe ne kishim për t’u bërë si gjithë bota demokratike ose të paktën si Bota Perëndimore. Nga radiot dhe televizionete huaja mësonim se në kapitalizmin e ” kalbur” qeveritë rrëzoheshin pa ngrohur mirë karriket. Në Amerikë presidentin e zgjidhnin një herë ose e shumta dy herë nga katër vjet. Si i ”shfrytëzonin” gjer në palcë i hiqnin si limona të shtrydhur. Detyroheshim të mësonim emra të rinj kryeministrash e presidentësh. Pak nga ne, sidomos të vjetërit që kishin studjuar në ato vise, e dinin mirë që kufizimi i kohës së udhëheqësve ishte normë bazë e demokracisë. A kishte për të ardhur ajo norme edhe te ne, me që diktaturën menduam se e përmbysëm?!
          Që kur u vu doktori superkomunist në krye të Shqipërisë ai kriter bazë i demokracisë kishte për t’u devijuar. Ashtu ndodhi. Si Enveri që themeloi PKSH-së dhe e mori kryetarllëkun me vete ne varr, edhe Sali Berisha ka 32 vjet de fakto kryetar i PD-së. Ishte pesë vjet President dhe 8 vjet kryeministër. U rrëzua nga vota e popullit, po ai nuk u dorëhoq. U shpall botërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i korruptuar (bashkë me familjen), po komunisti i vendosur jo vetëm që e quan veten kryetar të PD-së, po me të gjitha forcat që i kanë mbetur dëshiron të rikthehet në postin kryeministror?! Doemos për të zezën e Shqipërisë. Nuk do t’ia dijë se dhe Anglia e ka shpallur NON GRATA. Këmbëngul në gënjeshtrën (që as vetë nuk e beson) se nuk kanë as edhe një fakt kundër tij?! Është hedhur me tërbim e vulgaritet kundër amnbasadorëve të SHBA-së. Arësyetim prej të leshti: ata e kanë fajin, jo Amerika. Ec ta besosh që komunisti i përgjëruar e dashkërka me të vërtetë Amerikën?! Doktori nuk është një përjashtim. Edhe poilitikanët e tjerë të të dyja spektreve kanë dëshmuar se janë të dashuruar marrëzisht pas posteve të tyre. Mund të them se kanë një dashuri moniste për ato karrike. Kurrsesi demokratike. Po vijoj me Ilir Metën. Që më 1992 deputet i PS-së. Ka qenë zevendëskryeministër dhe kryeministër, Ministër i Punëve të jashtme, Ministër i Ekonomisë Tregëtisë dhe Energjisë, Kryetar i Parlamentit dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin në Europë. Është kryetar i PSL-së( tani PL) që me themelimin e saj nga viti 2004. I thonë 19 vjet! Kur u emërua President ia kaloi fronin e pronës së familjes së shoqes?! Tani e rimori përsëri. Këta komunistë të cilët duan të shartojnë monizmin me demokracinë, partitë dhe postet i quajnë të përjetëshme. Marrin edhe poza profetësh. Mirë për komunistët,( që e quajnë veten ish komunistë), kjo është dëshirë e idealeve të tyre, për të qenë ata gjithmonë në krye, po për Edvin Kristaq Ramën që nuk ka qenë komunist çfarë spjegimi do t’i bëjmë të vërtetës që ka 18 vjet kryetar i PS-së dhe 10 vjet Kryeministër ?! Nuk dihet se kur ka për të hapur krahun për një lidër tjetër të së majtës…Vërtetë Rama nuk ka qenë komunist, po edhe ai si gjithë brezi i kuadrove të larta të Partisë së Punës, u mëkua me mësimet e Marksizëm -Leninizmit. Edhe po të bëj përjashtim  dhe të thotë që nuk e ka fetishizuar xhaxhi Enverin, në mënyrë intuitive është rritur me ato modele udhëheqjeje, plus që i kanë pëlqyer të mirat që sjell kolltuku. Këto të mira po i shijojnë të gjithë kryetarët që partitë i quajnë prona të tyre. Kështu e kishte edhe monizmi. Ku është ndryshimi me të djeshmen?!  Liderat e Shqipërisë sot kanë mentalitetin e diktaturës për fetishizimin e posteve të tyre. Në këtë pikë jemi tamam në traditën e PPSH-së.
            Lind një pyetje e arsyeshme. Mirë këta njerëz nuk duan të lëshojnë kolltuqet, po antarët e forumeve drejtuese të partive të tyre pse e lejojnë këtë shkarje jo pa rëndësi nga normat e demokracisë? Ka dy përgjigje: E para se liderat mund të hakmerren ndaj tyre. Nuk duan të humbin  postet që mbajnë qofshin edhe si deputetë. Shëmbulli më i saktë i hakmarrjes së kryetarit është PD-ja. Berisha ka përjashtuar mbi 200 drejtues, shumica dhjetoristë. Përfshi dhe ish kryetarin Eduard Selami pse ai propozoi një mendim ndryshe. Jeta e vërtetoi se kishte patur të drejtë. Kësaj pasoje i shmangen edhe të majtët. E dinë që Rama nuk është liberal si Nano, prandaj nuk duan të pasojnë Blushin që u largua nga partia. Përgjigja e dytë është: edhe ata po me marksizëm-leninizmin janë rritur dhe formuar. Mësimet e demokracisë për trurin e tyre janë vetëm një mbishtresë e dobët e hollë.
             Dëmet që i ka sjellë ky lloj shartimi i monizmit me demokracinë: KORRUPSIONI GALOPANT i të dy spektreve të politikës sonë. Aq e vërtetë është kjo sa SHBA piketuan dhe po drejtojnë Reformën e Drejtësisë. Për t’i dhënë shtysë SPAK-ut për të dalë nga ngurrimi që ka, në Tiranë do të vijë DEA. Është institucion enkas kundër korrupsionit dhe krimit, ku futen lufta kundër drogës dhe akteve të tjera korruptive.Jo më kot juristi i shquar Spartak Ngjela paralajmëroi elitën qeverisëse për të patur kujdes.
              Dëm tjetër: këta idhtarë të së kaluarës nuk po njohin institucionin e dorëheqjes, që është një normë tjetër e domosdoshme e demokracisë. Edhe pse bota e i ka vënë gishtin për korrupsion dhe kapjen prej gryke të drejtësisë, Berishës as i shkon në mëndje se duhet të japë dorëheqjen?! As vartësit nuk guxojnë t’ia kërkojnë.Edhe për të majtën ky zë nuk dëgjohet. Një ministër i burgosur, një tjetër i arrestuar dhe pritet të gjykohet, ish kryeministri i majtë po del se ka abuzuar, megjithatë Rama mjaftohet vetëm me faktin që të korruptuarit ia lë drejtësisë për të vendoosur, Ai nuk ndërhyn. Në krahasim me Berishën ky është një sukses i madh. Megjithatë kaq nuk mjafton. I takon t’i flasë hapur popullit për gabimet e tij. Pse  u ka besuar këtyre njerëzve poste ministrore dhe pse nuk i ka kontrolluar? Sa për dorëheqje, as që mund të mendohet! Politikanët tanë atë fjalë e kanë bërë lanet?!
             Si mund të shpëtojë Shqipëria nga uzurpuesit e partive dhe kolltuqeve kryeministrore? Ato mund t’i shkundi vetëm SHBA- me Europën e Bashkuar.  Ata e kanë në dorë për të caktuar detyra preçize deri te hartimi i ligjit që si KRYEMINISTRAT DHE KRYETARËT E PARTIVE TË MOS KENË TË DREJTË TË KANDIDOJNË PËR HERË TË TRETË.
               Duke mbyllur këtë shkrim, po më kujtohen fjalët e profesorit tim të nderuar, Shaban Demiraj, kur tha : ne nuk jemi të përgatitur për demokracinë. Ai e dinte mirë se po na qeveriste një komunist, që përkthehet saktë: një antidemokrat. Nuk doli se ishte vetëm një. Janë shumë antidemokratë, qofshin blu apo rozë, që e kanë kthyer politikën në pronë private dhe në një arenë grindjesh e akuzash nga më të fëlliqurat, madje me një retorikë të denjë për çdo rrugaç.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button