Politika

Berisha: Nuk e pranojmë kurrë rezultatin, analiza e zgjedhjeve do të bëhet me dy faza

Kryetari i Grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se, detyra kryesore e PD-së është mbrojtja e votës së shqiptarëve dhe ky është misioni i saj themelor.

Në mbledhjen e kryesisë, Berisha u shpreh se, me mbrojtjen e votës nuk nënkuptohet mbrojtja me dhunë, por përdorimi i të gjitha mjeteve të ligjshme për të inkurajuar votimin, mbikëqyrur çdo lloj cenimi në procesin e votimit dhe për të mbajtur qëndrimet përkatëse në vartësi të tyre.

“Ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj. Ky është procesi i parë në 32 vite, që nisi me deklaratën e kryeministrit se kodi elektoral është një kinezëri për të. Nisur nga ky koncept, të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në Kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do të ishin një proces pa asnjë garanci ligjore, zgjedhjet do të ishin një proces vullneti i një njeriu, që ligjin, Kushtetutën e zgjedhjeve, e quan një kinezëri”, tha ai.

Berisha theksoi se, “kjo është hera e parë në histori që vota nuk blihet vetëm nën dorë, por blihet haptas”.

“Publikisht me 670 mijë zarfe, secila prej tyre 50 mijë lekë në mes të fushatës elektorale, dorëzuar çdo pensionisti shqiptar. Rama, si asnjëherë në histori, mobilizoi fondin e pagave dhe të pensioneve për të grabitur zgjedhjet e qytetarëve. Një tjetër blerje nën dorë ishte operative në një pjesë të madhe të bashkive, për të mos thënë në çdo bashki ku ai parandiente rrezikun me qëllimin e vetëm për të ndryshuar rezultatin”, shtoi Berisha.

Sipas tij, “për këtë nuk ka provë më të madhe se rrëzimi përtokë i euros”.

“Të rrëzosh monedhën më të fuqishme në Evropë, duhet të hedhësh në treg për çdo ditë, minimumi 30 deri 40 milionë euro. Asgjë nuk pengon të shohim tullumbacen ‘Doshi’. Kjo parti në këto zgjedhje, falë qarkullimit të parave Rama-Doshi është rritur me 220 për qind”, shtoi ai.

Po ashtu, Berisha u shpreh se, “administrata u soll si një polici e shëmtuar politike”.

Berisha shtoi se, “ne po ndjekim dhe do ndjekim deri në fund, për të vërtetuar çdo shkelje ligji, dhunim vote në këtë proces zgjedhor. Nuk mund të njohim ne kurrë rezultatin e zgjedhjeve të dominuar nga komisionerë të paligjshëm në qendrat e votimit. Aty ky Edi Rama ka vendosur komisionerë në kundërshtim me ligjin, që të gjitha, sado të jenë ato, 1000 apo 2000, do kundërshtohen dhe nuk do njihet rezultati i tyre. Kjo përbën shkeljen më masive, më flagrante të rezultatit”.

“Nuk mund të pranohet asnjë rezultat nën terror. Nuk do mund të pranojmë një proces në të cilin 870 mijë votues morën direkt apo në potencial, bonus me para. Që këtu kjo është një piramidë mashtrimi, një piramidë blerje vote. Degët, kandidatët dhe kryetarët kanë dorëzuar këto ditë me qindra e qindra dokumente, filmime, deklarata, fotografi dhe të tjera”, tha ai.

“Një raport serioz do hartohet pas analizës teknike të gjithanshme të procesit zgjedhor.
Me përfundimin e kësaj faze, do nisë faza e dytë, mendoj unë. Faza e dytë do jetë analiza e të gjithë veprimtarisë sonë. Një analizë me përgjegjësinë më të madhe, transparencën më të madhe. Një analizë siç u takon ta bëjnë atyre që janë në një mision shumë të vështirë, por pa këtë analizë ata hapa të sigurt në misionin e tyre nuk bëjnë dot”, theksoi Berisha.

“Kjo analizë do përfshijë PD-në në të gjitha nivelet dhe do zbatohet në statutin e partisë që do zbatohet pikë për pikë, siç e keni votuar. Këtu nuk mund të kemi ekuivoke. Por është e domosdoshme që të bëjmë gjithçka për të dokumentuar çdo faktor, çdo ndërhyrje, çdo ngjarje që ka ndikuar në këtë proces, në këtë megafarsë, të cilën Edi Rama pasi e kreu krimin, shpërndau miliona euro për propagandën për të shpifur në historinë e këtij vendi”, u shpreh ai.

“Po cila ishte pjesëmarrja, më thoni ju? Nëse 1.3 milionë qytetarëve iu ndryshua qendra e votimit dhe votuesve socialistë iu dha patronazhistit dhe aktivistit se ku është qendra, këtu u godit elektorati ynë. Keni parë të flitet për Doshin në studiot televizive këto ditë? Asnjëherë, se ua ka blerë gjuhën, siç ka blerë votat. Se nuk është Doshi, është Rama. Është një rreth vicioz. Nuk flet kush as për këtë, as për 1.3 milionë zgjedhës që ua ndryshuan qendrat me skemën e vitit 2001. Skemë e mirënjohur për të përjashtuar politikisht zgjedhësit nga zgjedhjet”, tha Berisha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button