Politika

“Shkrihet Akademia e Studimeve Albanologjike”,  Zhupa kërkon interpelancë me ministren Kushi

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa kërkoi sot thirrjen në interpelancë urgjente të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi për shkrirjen e Akademisë së Studimeve të Albanologjisë.

Në një deklaratë për mediet, Zhupa kërkoi që ministrja Kushi të paraqitet në seancën e ardhshme plenare dhe të japë llogari për këtë vendim.

“Është e paprecedentë, në shkelje të ligjit dhe kundër interesave shkencore kombëtare. Ministrja Kushi në emër të çakejve kërkon mbylljen e Akademisë së Studimeve të Albanologjisë vetëm për të plotësuar disa orekse të Skënder Gjinushit si një qokë për një parti të falur. Gjinushi nuk ngopet me Akademinë e Shkencave dhe kërkon mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe kthimin në aneks”, theksoi Zhupa.

Zhupa tha se “e vetmja gjë që ne kemi arritur të sigurojmë është ky projektvendim që pritet të kalojë të mërkurën në mbledhjen e qeverisë me të cilën ekzekutohet albanologjia shqiptare, që i ka fillimet që nga amaneti i Mit’hat Frashërit që la librat e tij, pasurinë e tij bibliotekën e tij me idealin për t’u krijuar një akademi albanologjike që të studionte historinë, gjuhësinë, letërsinë e Shqipërisë, një institucion unik, punën dhe vlerat e të cilit nuk mund t’i kryejë asnjë institucion tjetër aq me tepër në mënyrë të pastudiuar dhe të padiskutuar nga intelektualët”.

Zhupa bëri të ditur se ankesën e saj për shkrirjen e Akademisë do ta dorëzojë në Komisionin e Edukimit.

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike në një deklaratë për shtyp dy ditë më parë theksoi se “mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbarttë. Shuhen institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar”.

“Mbyllja e ASA-s po ashtu ndërpret karrierën e afro 100 studiuesve, pasiqë ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike si dhe ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s”, theksoi senati i ASA-s.

Senati i ASA-s konstatoi se projektvendimi shkel rëndë ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019, si dhe shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj.

Ndërkohë, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi në një intervistë televizive tha se “duhet kuptuar që nuk bëhet fjalë për shkrirje, por bëhet fjalë për bashkim”.

“Në esencë është pikërisht ajo që Akademia e Shkencave në kuadër të reformimit të sistemit të kërkimit shkencor me qëllim fuqizimin e këtij sistemi, propozon dhe mendon që duhet të forcohen njësitë ekzistuese, më së pari ASA, pra grupi i instituteve albanologjike dhe të ngrihen edhe njësi të reja, të cilat i mungojnë sistemit tonë”.

“Siç kemi filluar përpjekjet për ngritjen e njësive për nanoshkenca, apo nanoteknologjinë. Në këtë kuadër është propozuar që si hapi i parë është bashkimi me institutet albanologjike, të cilat që në themelim kanë qenë pranë Akademisë, ose më saktë ka qenë bashkimi i Instituteve që krijoi Akademinë. Akademia e Shkencave ka qenë gjithmonë e përbërë nga sistemi i instituteve dhe Asambleja e saj. Ky është qëllimi dhe nevoja për bashkëpunim i këtyre dy institucioneve është treguar gjatë gjithë kësaj periudhe”, tha Gjinushi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button