Ekonomia

AMF dhe BB projekt për zgjerimin e sistemit të pensioneve vullnetare në Shqipëri

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me mbështetjen e Bankës Botërore po zhvillojnë një projekt me qëllim zgjerimin e sistemit të pensioneve vullnetare në Shqipëri.

Eksperti i Bankës Botërore, Leendert van Driel gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë, prezantoi para punëdhënësve nga kompanitë e ndryshme private që veprojnë në Shqipëri dhe grupe profesionistësh mënyrën e funksionimit të sistemit të pensioneve dhe përparësitë që ofron pjesëmarrja në skemat e pensioneve private vullnetare.

Në takim u paraqitën informacionet dhe mundësitë që ofrojnë me skemat e tyre edhe drejtuesit e të tri shoqërive administruese të fondeve të pensionit që veprojnë në Shqipëri, Raiffeisen Invest, shoqëri administruese e fondeve të pensionit dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive sh.a., shoqëria administruese e fondeve të pensionit Sigal-Life, Uniqa Group Austria sh.a. dhe shoqëria administruese e fondeve të pensionit SiCred sh.a

Ekspertët e AMF-së prezantuan edhe lehtësirat ligjore, sidomos ato lidhur me sistemin e taksimit, që kanë hyrë në fuqi në fillim të vitit 2015, si edhe ndryshimet ligjore që AMF po propozon për të krijuar sa më shumë lehtësi për punonjësit pjesëmarrës në skemat e pensioneve private.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, AMF, analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private vullnetare deri në fund të muajit shtator tregon një total asetesh neto prej 837.09 milionë lekë dhe me një rritje prej afro 207.95 milionë lekë (33.05%) krahasuar me fundin e vitit 2014. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 6.01 milionë euro. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, në fund të muajit shtator arriti 11,227 anëtarë duke shënuar rritje prej 32.22% krahasuar me fundin e vitit 2014

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button