Ekonomia

Beqiri-Yotani, vlerësim i prezencës së kompanive shqiptare në Japoni

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Genti Beqiri shoqëruar nga Armand Shandro, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën së Republikës së Shqipërisë në Tokio dhe Daniel Guce, Drejtor i SME-ve dhe Zhvillimit të Eksporteve të AIDA-s kanë zhvilluar një takim në ambientet e zyrave qëndrore të JETRO në Tokio të Japonisë me përfaqësuesit kryesorë të JETRO,  Koji Yonetani – Zëvendës President i JETRO,  Ryo Koba – Zv. Drejtor për Strategjinë dhe planifikimin në Departamentin Europian dhe Yukihiro Uehara – Senior Ekspert për Strategjinë dhe planifikimin në Departamentin Europian të JETRO.

Sipas ambasadës së Shqipërisë në Japoni, “gjatë këtij takimi përfaqësuesi i JETRO, Yonetani vlerësoi shumë prezencën e kompanive shqiptare dhe përfaqësimin e Shqipërisë në FoodEx, i cili do të shërbejë si një stimul nxitës për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve.

Drejtori Ekzekutiv i AIDAs falenderoi përfaqësuesit japonezë të JETRO për mundësinë dhe asistencën e dhënë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në organizime të tilla, të cilat do të japin kontributin e tyre në promovimin e produkteve “Made in Albania”.

Në kuadër të pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin e ushqimit, Foodex 2016  në Tokio të Japonisë, kreu i AIDA-s, Genti Beqiri, ka zhvilluar ditët e shkuara takim me Makiko Fukatsu – drejtuese e departamentit europian të marrëdhënieve ndërkombëtare të JICA dhe, Hitomi Oka – drejtuese e departamentit të zhvillimit të sektorit privat në JICA.

Beqiri theksoi se Shqipëria ka një potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe bëri me dije se Agjencia që ai drejton, sipas tij, ka në synimet e saj rritjen e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet AIDA dhe JICA në fushën e trajnimeve dhe projekteve kërkimore, me qëllim zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë.

Në këtë takim ai shprehu mirënjohjen dhe falenderoi përfaqësuesit e JICA për mbështetjen e deritanishme, që ka konsistuar kryesisht në trajnimin e punonjësve të institucionit të AIDA-s si edhe në mbështetjen e projekteve të ndryshme me impakt pozitiv në ecurinë e punës së Agjencisë, siç është projekti “Aksesi i Biznesit në Financë”.

Ky projekt i realizuar gjatë vitit 2014 nga AIDA në bashkëpunim JICA, në formën e asistencës për sipërmarrjet e reja të SME-ve, konsistoi në organizimin e një seri seminaresh në 9 rrethet kryesore të vendit me sipërmarrësit e SME-ve, kryesisht për të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznese të reja në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe të shërbimeve.

Znj. Fukatsu, vleresoi bashkëpunimin e deritanishëm me AIDA-n dhe shprehu kënaqësinë për projektin e finalizuar ndërmjet dy institucioneve. Gjithashtu, ajo pohoi se JICA do të vijojë mbështetjen e saj ndaj agjencisë AIDA, duke u fokusuar në trajnimin e kapaciteteve brënda institucionit, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve të agjencisë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button