Ekonomia

Biznesi potencial: Importi i gjyshërve nga Europa në Shqipëri

Ndërsa kujdesi për të moshuarit është një biznes mjaft i zhvilluar në Europën Lindore, sapo ka nisur të formësohet ideja dhe në Shqipëri. Investitorë italianë, por dhe të tjerë, po e shohin me interes ndërtimin e shtëpive (azile) me fokus të moshuarit e “pasur” të Europës Perëndimore. Kostot e ulëta mundësojnë ofrimin e këtij shërbimi me një tarifë mujore më të vogël se 1000 euro, të përballueshme nga shumë pensionistë të ndryshëm nga vendet e tjera si Italia e Gjermania, ku tarifat mujore janë përkatësisht mbi 2000 dhe 3000 euro. A mund të bëhet Shqipëria një Spanjë e vogël për të moshuarit e pasur të Europës Perëndimore?!

Një çift të moshuarish italianë, që kishin gjetur parajsën në Shqipëri ishte në fokusin e një reportazhi të Rai 3 në janar të këtij viti. Shqipëria cilësohej si destinacioni i ri i pensionistëve italianë, që në vendin e tyre nuk arrinin të shtynin muajin, ndërsa përtej Adriatikut, vetëm një orë larg shtëpisë, duke jetuar me një kosto të ulët, ndihen pothuajse të pasur.

Në Shqipëri, një kafe kushton 40 cent, qiraja e një shtëpie është 150 euro dhe as faturat nuk të trembin, pasi me më pak se 50 euro në muaj mund të paguash dritat, ujin dhe energjinë.

Të huajt po e zbulojnë vetë pak nga pak vendin që ka shumë ditë me diell dhe ku mund të jetosh mirë. Ilir Konomi i AlbaniaPropertyGroup pohon për “Monitor” se ka një shtim të interesit nga të moshuarit për të kaluar dimrin në një vend të ngrohtë, teksa duket se banorët e vendeve të ftohta po zbulojnë një Spanjë të dytë.

“Gjatë vjeshtës 2015 është vënë re një kërkesë në rritje për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë. Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore e Veriore, të cilët duan të kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët”, thotë Konomi.

Ndërsa kujdesi për të moshuarit është një biznes mjaft i zhvilluar në Europën Lindore, sapo ka nisur të formësohet ideja dhe në Shqipëri. Investitorë italianë, por dhe të tjerë, po e shohin me interes ndërtimin e shtëpive (azile) me fokus të moshuarit e “pasur” të Europës Perëndimore. Kostot e ulëta mundësojnë ofrimin e këtij shërbimi me një tarifë mujore më të ulët se 1000 euro, të përballueshme nga shumë pensionistë ndryshe nga vendet e tjera si Italia e Gjermania, ku tarifat mujore janë përkatësisht mbi 2000 dhe 3000 euro.

“Ana pozitive e hapjes së vendit është që në mungesën e një tregu funksional vendor, tani indikacionet për investime mund të merren nga tregjet rajonale dhe europiane. Këtë mund ta ilustrojmë me sektorin e kujdesit ndaj të moshuarve”, thotë Ardian Haçkaj, drejtor i “Shteti Web”. Sipas tij, evolucioni demografik në Europë ka sjellë rritjen e numrit të të moshuarve që kanë nevojë për kujdes të kualifikuar. Kriza e financave publike në BE dhe rritja e kostove të kujdesit shëndetësor, e ka bërë të nevojshme shqyrtimin e alternativave. Janë me mijëra të moshuarit nordikë që jetojnë në Sllovaki, Poloni, Greqi, Bullgari, etj. Shqipëria për nga pozita gjeografike, klima dhe struktura e kostove krahasimisht disa herë më e ulët, mund të kthehet në një destinacion të preferuar të këtyre të moshuarve. Haçkaj thotë se shteti mund të ndërhyjë duke rregulluar këtë profesion, duke certifikuar aktorët dhe duke promovuar imazhin e vendit si destinacion i paqtë. Ai mund të të ndërhyjë edhe duke investuar në edukimin dhe formimin e personelit të specializuar dhe duke rregulluar këtë profesion. “Asgjë më tepër”, përfundon ai.

Importi i gjyshërve nga Europa e zhvilluar do të sillte një të ardhur shumë më të qëndrueshme se shpenzimet disaditore apo disaorëshe të turistëve në Shqipëri.

400 mijë italianë kanë transferuar pensionin jashtë

Sipas të dhënave nga Inps (Instituti Kombëtar i Kujdesit Special) në Itali, deri në fund të vitit 2012 ishin rreth 400 mijë pensionistë që kishin vendosur të transferonin pensionin jashtë vendit.

52% e pensionistëve të Inps merr një pension mujor shpesh më të ulët se 1000 euro dhe kosto e jetesës vazhdon të rritet. E ardhura mesatare është në rreth 650 euro që me zor del për të paguar shpenzimet e domosdoshme dhe nuk lë shumë vend për shpenzime të luksit, si të hash një picë jashtë apo të shkosh në kinema.

Pensionistët që vendosin të ndryshojnë jetë dhe të transferohen jashtë mund të marrin pensionin pa paguar taksat që aplikohen në Itali. Duke jetuar jashtë mund të marrin një pension më të lartë se në Itali, gjë që është absolutisht e ligjshme, që mundëson të shmanget pagesa e atyre shërbimeve që nuk i merr.

Mediat italiane në bazë të Indeksit Vjetor të Pensionit Global rekomandojnë Spanjën dhe Ishujt Kanarie, si dhe Maltën.

Polonia, si u bë parajsa e pensionistëve gjermanë

Teksa norma e lindjeve po bie, jetëgjatësia rritet dhe gjenerata e lindur në vitet 1946-1964 (baby boomer) po plaket, Kombet e Bashkuara vlerësojnë se popullsia e botës më e vjetër se 60 vjeç do të trefishohet për të arritur në pothuajse 2 miliardë deri në 2050. Ndërkohë, edhe për të moshuar që kanë shansin të marrin ndihma në vende si Gjermania, kosto e shtëpive të kujdesit po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme, sipas një artikulli të Bloomberg. Shpenzimet afatgjata në Gjermani për të moshuarit pritet të rriten nga 1.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 3.3% të PBB-së deri në 2060, sipas një raporti të Komisionit Europian.

Një në pesë gjermanë merr në konsideratë që të shkojë jashtë në një shtëpi kujdesi, sipas një vëzhgimi nga TNS Emnid, një nga kompanitë më të mëdha të sondazheve në Gjermani.

Gjermanët e moshuar, me para në banka kanë tërhequr vëmendjen e sipërmarrësve polakë dhe pronarëve të resorteve, që po vuajnë mungesën e klientëve të zakonshëm.

Në Gjermani, kosto mujore e një shtëpie kujdesi është mbi 3000 euro, ndërsa zonja Von Haldenwang, e cila është transferuar në një shtëpi kujdesi në Poloni, paguan 1,200 euro në muaj për shërbim në 24 orë të ditës, terapi fizike, ushqim dhe kujdes mjekësor. Për polakët, kjo është një tarifë e shtrenjtë, ndërsa për gjermanët është një çmim tërheqës.

Hotele të tjera po transformohen në qendra kujdesi gjatë dimrit, pasi kanë më shumë interes për të moshuarit, që qëndrojnë edhe gjatë kësaj periudhe, duke u kthyer në një Gjermani të vogël për të rritur tërheqjen për klientë të rinj.

Spanja dhe Ishujt Kanarie, vendi më i kërkuar për pensionistët e Europës

Spanja konsiderohet si vendi më tërheqës për pensionistët në Europë, duke konkurruar dhe me shtetet e Amerikës Latine, që kryesojnë në Indeksin e vendeve më të mira për të kaluar pensionin. Në sajë të recesionit, çmimet e pasurive të paluajtshme kanë rënë dhe në pjesën më të madhe të bregdetit mund të blihet një shtëpi për 110 mijë euro, ose më pak, ndërsa qiraja mujore është mes 400 euro në Alicante dhe rreth 620 euro në Málaga, për shembull.

Edhe përpara krizës, Spanja ishte një nga vendet më pak të kushtueshme të Perëndimit.

Spanja ka një shërbim të mirë shëndetësor, si në shtet ashtu dhe në privat, ka me bollëk spitale të mira edhe në zonat rurale.

Por, aspekti më i rëndësishëm i Spanjës është stili i gjallë i jetesës dhe moti i ngrohtë. Spanjollët dinë ta shikojnë jetën dhe i japin shumë vlerë miqve dhe të afërmve. Në netët e gjata të verës, kafetë janë të hapura deri vonë.

Edhe Ishujt Kanarie, ashtu si në Spanjë, janë një destinacion tërheqës për pensionistët italianë dhe jo vetëm ata.

Moti i ngrohtë dhe stili i gjallë i jetës edhe në Shqipëri e bëjnë vendin një destinacion ideal për Spanjën e re të Europës, që mund të ofrojë të njëjtat shërbime me çmime më të lira.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button