Ekonomia

Bordi i FMN i hap rrugë disbursimit të këstit 72.4 mln euro për Shqipërinë

Bordi i drejtorëve Ekzekutiv të FMN-së miratoi rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë duke i hapur rrugë disbursimit të këstit prej 72.4 milionë eurosh.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së, Min Zhu, deklaroi në Uashington se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare po ecën sipas programit, ndonëse ekzistojnë risqe. Sipas tij, autoritetet shqiptare kanë treguar një performancë të fortë duke përmbushur objektivat e marrëveshjes me FMN-në, përfshirë zbatimin e reformave strukturore të vështira dhe ambicioze.

Në njoftimin zyrtar FMN-së thuhet se autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë programin e reformave dhe të përfitojnë nga progresi thelbësor që kanë arritur deri më tani për të përshpejtuar rritjen ekonomike të vendit.

Por, në njoftim e FMN-së ka edhe disa rekomandime për qeverinë. Së pari, duke vlerësuar se qëllimi i qeverisë për të vazhduar konsolidimin fiskal është ai i duhuri, FMN i kërkon asaj të reduktojë mbështetjen në masat e përkohshme dhe të shmange përjashtimet fiskale apo vendosjen e normave preferenciale. Një kërkesë kjo që duket e lidhur me masën e fundit të qeverisë për të përjashtuar nga taksat 83 mijë bizneset të vogla.

Por, veç kritikave për përjashtimet tatimore, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë edhe në një drejtim tjetër, që lidhet me mënyrën se si ajo po përpiqet të luftojë informalitetin. Sipas FMN-së, përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të përmirësuar mbledhjen e taksave duhet të përputhen më mirë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duhet të mbështeten në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore.

Në fund, Fondi i bën thirrje për kujdes edhe për koncesionet duke kërkuar që ato të vlerësohen në mënyrë transparente në llogaritë fiskale. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button