Drejtësia-Rama: Propozimi i Nuland, e vetmja mundësi për konsensus
Kryeministri Edi Rama ripërsërsiti të martën në adresë të opozitës thirrjen për konsensus për reformën në drejtësi, ku mundësia e vetme sipas tij mbetet propozimi hibrid i ndihmëssekretares amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland.
“Propozimi hibrid i znj. Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut, asgjë më shumë e asgjë më pak. Kam qënë, jam dhe do të jem i gatshëm për konsensus deri në ora 10.00 të datës 21 korrik”, tha kryeministri në një deklaratë për shtyp, nga selia e qeverisë, ndërsa theksoi se Aleanca për Shqipërinë Europiane do ta votojë në bllok reformën.
Në fillim të deklaratës kreu i qeverisë informoi mbi ecurinë e bisedimeve të grupit negociator, të mandatuar pas takimit trepalësh Meta-Rama-Basha.
“Rreth orë 03.00 ka ndalur një bisedë e gjatë negociatash me PD-në, por këtë here jo vetëm me ekspertë, por dhe me përfaqësues të dy misioneve ndërkombëtare, të SHBA dhe BE-së, tha kryeministri.
Ndonëse është bërë një progres i mire në disa aspekte, u shpreh Rama, kemi prova se vija e kuqe e SHBA/BE-së ka rezultuar e pakapërcyeshme për pretendimin e PD-së për të hequr nga projekti kushtetues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe për të ndryshuar kornizën e veprimtarisë së këtij Operacioni, me funksion pastrimin e sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.
Kjo nuk është reforma ime, as e një partie apo koalicioni qeverisës, ndaj le të bashkojmë forcat individuale, të bashkojmë të gjitha partitë në parlament dhe të dyja koalicionet, dhe me dy krahët lart t’u ngremë shpresën shqiptarëve që përfaqësojmë, duke e miratuar bashkarisht, deklaroi Rama.
Aleanca për Shqipërinë Europiane do ta votojë në bllok reformën, për ta çuar faqebardhë vendin në derën e negociatave në anëtarësimin në BE, tha ai.