Hetimet për vdekjen e shqiptarit në burgun anglez
Një i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare si autor i tre vrasjeve në vitin 1997, ka vdekur në burgun e Belmarshit në Angli para se të deportohej drejt vendit tonë.
Ndriçim Sadushi, 43 vjeç, ka prerë fytin e vet në janar të vitit 2014. Në qelinë e tij u gjetën jashtëqitje dhe gjak në dysheme.
Kjo çoi në nisjen e një hetimi nga ana e autoriteteve britanike për të sqaruar kushtet e mbajtjes së tij në qeli. Në përfundim të këtij hetimi, gjykata angleze thotë se 43-vjeçari shqiptar nuk kishte ndërmend që të vriste veten, por të plagosej për të shmangur deportimin në Shqipëri.
“Kushtet në të cilat ai është mbajtur i izoluar në qeli, mund të kenë ndikuar në vdekjen e tij”, thuhet në raportin e gjykatës.
Ekspertiza mjeko-ligjore që pasoi vdekjen e Sadushit doli në përfundimin se kjo vdekje është shkaktuar nga arresti kardiak, anemia, problem me frymëmarrjen dhe humbjen e gjakut nga prerjet e shumta në fyt.
Sadushi u gjet i pajetë në qelinë e tij më 20 janar të 2014 dhe kjo nuk ishte hera e parë që ai priste fytin e vet. Në të shkuarën e kishte bërë këtë plot 3 herë për të shmangur deportimin në Shqipëri.
Ndriçim Sadushi u arrestua në Londër në prill të vitit 2012, duke i dhënë fund arratisë 15-vjeçare nga drejtësia shqiptare. Ai kishte aplikuar për azil në Angli, kërkesë që i ishte refuzuar nga autoritetet britanike.