Ekonomia

Meta me investitorët maqedonas: Një ekonomi e përbashkët rajonale na bën konkurrues në tregjet globale

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë një takimi të mërkurën me përfaqësues të Zyrës Ndërkombëtare të Investitorëve Maqedoni-Shqipëri-Kosovë u shpreh për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, gjë që i shërben ekonomive dypalëshe dhe qytetarëve të tyre.

Shmangia e shumë barrierave, theksoi kreu i Kuvendit, na ndihmon që të krijojmë një ekonomi të përbashkët rajonale për të qenë konkurrues në tregjet globale.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit deklaroi se rritja e shkëmbimeve dhe bashkëpunimi ndihmon vendet tona të përafrojnë standardet dhe legjislacionin me normat dhe standardet e BE-së.

“Në këto periudha të mbushura me sfida që vijnë edhe për shkak të globalizimit, është e rëndësishme të kuptojmë se nuk konkurrojmë më me njëri-tjetrin, me ekonomi kombëtare apo lokale, por konkurrohet në nivel rajonal, kështu që rritja e shkëmbimeve me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, respektimi i rregullave të cilat na ndihmojnë të përafrojmë standardet dhe legjislacionin tonë me atë të BE-së, heqja edhe shmangia e shumë barrierave të panevojshme na ndihmon që të krijojmë një ekonomi të përbashkët rajonale, e cila të ketë mundësi të konkurrojë dhe jo vetëm të tërheqë investime të huaja në mënyrë të suksesshme, por edhe të eksportojë, çka është shumë e rëndësishme”, theksoi Meta.
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti në një takim disa përfaqësues së Zyrës Ndërkombëtare të Investitorëve Maqedoni-Shqipëri-Kosovë (1)

Më tej, kreu i Kuvendit shkëmbeu mendime dhe për situatën politike në vendin fqinj, teksa shprehu besimin se zgjedhjet e 5 qershorit do të jenë një mundësi e mirë për të rikthyer besimin mes palëve dhe stabilitetin e të gjitha institucioneve, që do të dalin nga votat e qytetarëve të Maqedonisë.

Kjo është shumë e rëndësishme për vetë imazhin e Maqedonisë dhe të rajonit tonë, tha Meta, ndërsa shtoi se “shpresojmë se zgjidhja dhe përfundimi i kësaj krize të ndihmojë edhe në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si edhe në avancimin e proceseve integruese. Kjo është në interesin e Maqedonisë dhe në interesin e të gjithë rajonit, dhe gjithashtu besoj se është edhe në interesin e shqiptarëve të Maqedonisë, të drejtat e të cilëve për ne mund të njohin progres vetëm përmes hapave të mëtejshëm integrues dhe modernizues të këtij shteti, shtoi Meta.

Sakaq, kryetari i Kuvendit vlerësoi eksperiencën e Maqedonisë në fushën e bujqësisë dhe ushqimit dhe theksoi se Shqipëria mund të mësojë shumë nga kjo përvojë e vyer për zhvillimin e kësaj industrie.
“Ne mund të mësojmë nga eksperienca e Maqedonisë, sidomos në zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë së agro-përpunimit, ku ajo është një shkollë shumë e mirë për të gjithë ata që duan të merren me këtë aktivitet”, tha kryeparlamentari.

Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime për një bashkëpunim sa më të mirë mes dy vendeve në fushën e biznesit dhe se çfarë mund të bëhet më shumë për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button