Mustafa dhe Tanin bisedojnë për zhvillimet në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.
Kryeministri Mustafa, gjatë takimit, theksoi progresin e gjithanshëm që po arrihet në Kosovë.
Duke vlerësuar përkrahjen e Kombeve të Bashkuara në fazat e mëhershme, kryeministri Mustafa theksoi avancimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës dhe angazhimin që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e demokracisë si dhe për integrimin e plotë të komuniteteve jo shumicë në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për raportimin tre mujor në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për progresin e shumanshëm që është arritur në Kosovë në të gjitha aspektet.