Ekonomia

Ohri, Prespa dhe Shkodra- Forum mbi mbrojtjen e qëndrueshme të tre liqeneve

Liqenet e Ohrit, Prespës dhe Shkodrës me larmishmërinë unike të florës dhe faunës, përbëjnë një pasuri të paçmuar për vendet që i bashkëndajnë ata Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Projekti rajonal “Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës” (CSBL) nëpërmjet një fondi prej 5 milionë eurosh financuar nga Ministria Federale për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë dhe që zbatohet nga GIZ në Shqipëri, që prej vitit 2012 po asiston dhe mbështet autoritetet e të tre vendeve për menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit në këto liqene.

Menaxhimi i këtyre burimeve natyrore sipas standardeve te parashikuara në Direktivën Europiane Kuadër për Ujin kërkon jo vetëm bashkëpunim ndërsektorial në secilin vend, por dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të shëndetshëm mes këtyre vendeve në kontekstin ndërkufitar.

Bashkepunimi mes tre vendeve mundësoi kriimi i një baze të përbashkët të të dhënave mbi cilësinë biologjike dhe kimike të ujerave ose siç, njihet në gjuhën teknike: karakterizimi fillestar i liqeneve/ përcaktimi i trupave ujorë të tyre.

Për këtë qëllim, përfaqësues të qeverisë qendrore dhe lokale, parlamentarë, akademikë dhe ekspertë do të mblidhen nesër në Tiranë, në një forum që do të fokusohet ne diskutime mbi raportin e karakterizimit fillestar të këtyre tre liqeneve. Krahas prezantimit të gjetjeve të raportit, forumi synon të nisë dhe nxisë një diskutim të gjerë mbi hapat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e cilësisë së ujrave, përcaktimin e objektivave mjedisorë dhe hapat e mëtejshëm për zbatimin e Direktivës Kuadër të BE-së për Ujin.

okOpinionet dhe sugjerimet që do të dalin nga ky forum do të shërbejnë për të përcaktuar mbështetjen e mëtejshme që qeveria gjermane do të vazhdojë të japë për këto tre vende nëpërmjet projektit të GIZ-së “Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës” (CSBL). Të pranishëm në këtë forum do të jenë Zëvendësministri i Bujqësisë, Gjokë Jaku, Zëvendësambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Anke Holstein kryetari i Komisionit Kuvendor për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduard Shalsi, deputeti dhe anëtari i këtij komisioni, Besnik Bare, përfaqësues të pushtetit lokal, akademikë dhe ekspertë.

Përse është i rëndësishëm Raporti i Karakterizimit Fillestar?

Raporti, rezultat i punës dhe përpjekjeve trevjeçare të institucioneve dhe ekspertëve nga të tre vendet, identifikon statusin e cilësisë së ujrave sipërfaqësorë dhe përbën një bazë të rëndësishme të dhënash për hapat e ardhshëm me qëllim ruajtjen e biodiversitetit të tre liqeneve dhe zonave përreth. Raporti përbën një dokument bazë për hartimin e politikave dhe masave me qëllim mbrojtjen e larmisë biologjike dhe është konceptuar si një dokument dinamik që do të përshtatet me nevojat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi për të siguruar mbrojtjen e mëtejshme të cilësisë së ujërave nderkufitare, por edhe të ekosistemit në fjalë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button