Pasojat nisin për Britaninë, Moody’s e zhvlerëson
Tronditja e tregjeve dhe zhvlerësimi i paundit në orët që pasuan votën pro largimit nga BE janë vetëm fillimi i një periudhe pasigurie, që sipas agjencive të vlerësimit të kreditimit, do të zgjasë disa vite për Britaninë e Madhe.
E në këtë prizëm, agjencia e vlerësimit të kreditimit, Moody’s ka zhvlerësuar nga “stabël” në “negativ” parashikimet për Britaninë e Madhe.
“Rezultati i referendumit do të ketë ndikim negativ në periudhën afatmesme për rritjen ekonomike të vendit dhe do të ulë parashikimet për periudhën afatgjatë”, thotë agjencia.
Sipas agjencisë, kostoja e efekteve negative nga reduktimi i rritjes ekonomike do të zhvlerësojnë me disa herë kursimet që Britania e Madhe do të përfitojë nga mungesa e derdhjes së kontributeve vjetore në BE.
“Një vlerësim më i ulët do të përkthehet në kosto më të lartë për huatë, që do të rëndojnë buxhetin e qeverisë dhe të biznesit të madh në një periudhë afatgjate”, thotë Moody’s.