Platformat online, mbyllet Stock.com, hapet Eurotrade Securities, agjente e të njëjtës kompani qipriote
Një prej platformave online të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Stock International Albania (stock.com) është drejt mbylljes së aktivitetit, dy vjet pas marrjes së licencës. AMF i ka lënë rreth një muaj kohë kompanisë që të shitet ose përfundimisht të mbyllë aktivitetin, sipas një vendimi të fundit të bordit të AMF-së. Stock.com tashmë ka mbyllur web-in zyrtar në internet www.stock.com dhe është tërhequr nga ambientet që i shfrytëzonte me qira te “Torre Drini” në Tiranë.
Stock International Albania kishte marrë licencë nga AMF në 30 maj 2015 për të vepruar si agjent brokeri në letra me vlere në emër dhe për llogari të “LeadCapital Markets”Ltd, firmë brokerimi.
Por, ndërsa Stock është drejt mbylljes, një tjetër agjent i po të njëjtës kompani (“LeadCapital Markets”Ltd) ka nisur aktivitetin vetëm dy muaj më parë. “Eurotrade Securities” ka marrë licencën nga AMF në 30 mars të këtij viti, si agjent brokeri në letra me vlerë në emër dhe për llogari të “LeadCapital Markets”Ltd, shoqëri brokerimi. Faqja e internetit e kompanisë eurotradesecurities.com është ende në zhvillim, gjithsesi ajo të lidh me disa platforma tregtimi online.
Ndërsa Lead Capital Markets Ltd , agjentë të së cilës janë të dy platformat shqiptare, është krijuar në vitin 2013, si një kompani private me përgjegjësi të kufizuar në Qipro. Ajo ka licencë nga Komisioni i Letrave me Vlerë të Qipros dhe ofron shërbime të ndryshme investimi dhe ndihmëse.