Ekonomia

P/ligji “Për dhomave e tregtisë”, Shalsi: Do të zgjerohet diskutimi

Debati për projektligjin “Për dhomat e tregtisë”, i cili u depozitua në Kuvend për shqyrtim në komisionet parlamentare në fillim të muajit dhjetor të vitit që lamë pas do të zgjerohet, ku të gjithë grupet e interesit apo ekspertë të fushës janë të ftuar të ofrojnë propozimet e tyre.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduart Shalsi, deklaroi në një prononcim për ATSH-në se duhet një organizim i ri i dhomave të tregtisë vendase dhe atyre bilaterale.

“Kemi një propozim nga qeveria që amendon disa nene të ligjit. Pas shqyrtimit me grupet e interesit, me biznese të ndryshme, por nisur edhe nga nevoja për të reformuar mënyrën se si përfaqësohet e organizohet biznesi në Shqipëri, ne kemi menduar ta shikojmë më gjerë propozimin e qeverisë. Ndoshta duhet shkuar pak më thellë me ndryshimet, jo thjeshtë për të diskutuar nëse do të jetë e detyrueshme apo jo një tarifë shërbimi për të gjitha bizneset në Shqipëri, duhet parë se cilat do të jenë shërbimet që do të ofrojë dhoma”, deklaroi Shalsi.

Sipas tij, dhomat e biznesit duhet të jenë më mirë të organizuara, të përfaqësojnë më mirë interesat e anëtarëve të tyre të zgjerojnë gamën e produkteve dhe shërbimeve. Struktura e organizimit të jetë e tillë që të përfaqësojë jo thjesht dhe vetëm një grup njerëzish që ndodhen në krye të shoqatave apo dhomave, por të përfaqësojë të gjitha interesat e të gjithë anëtarëve të tyre. Në këtë kuptim, vijon ai, pas një debati me grupet e interesit dhe përfaqësues të qeverisë kemi rënë dakord që të vijojmë procesin e konsultimit.

Shalsi shprehet se ka modele të ndryshme ku mund të bazohemi. Janë modelet kontinentale, ku pagesa e detyrueshme është e shoqëruar edhe me struktura të mirëfillta përfaqësimi, me një larmi produktesh e shërbimesh. “Është edhe sistemi amerikan, ku përfaqësimi mbetet vullnetar në formën e të ashtuquajturave lobingje. Ne po diskutojmë të gjejmë modelin më të mirë për Shqipërinë’”, thotë Shalsi.

Shalsi shton se pavarësisht dëshirës nga ana e biznesit për të parë një dhomë tregtie të reformuar, sërish ka skepticizëm nëse do të arrihet të reformohen apo jo, ka skepticizëm po ashtu nëse vendosja e një tarife të detyrueshme do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të dhomave. “Ende nuk kemi një vendim se cila është rruga më e përshtatshme për të ndjekur për rastin e vendit tonë”, nënvizon Shalsi.

Kundër p/ligjit “Për dhomat e Tregtisë”, konkretisht lidhur me tarifën e detyrueshme të anëtarësimit kanë dalë dhomat bilaterale, të cilat e kanë konsideruar tarifën një taksë të re për biznesin. Por, z. Shalsi thotë se në fakt edhe vet nocioni i dhomave bilaterale nuk është aplikuar mot a mot në vendin tonë. “Shpesh kanë emrin, ndërkohë që nuk përfaqësojnë bizneset, emrat e të cilave dhomat mbajnë. Ka dhoma serioze, por edhe fantazëm”, u shpreh ai.

Të gjithë bien dakord që ka nevojë urgjente për riorganizim, vijoi Shalsi, por si do të bëhet, këtu ka pikëpyetje e skepticizëm. Ne duam thjesht të diskutojmë me të gjithë ata që do të ofrojnë kontribute për tu bërë sa më mirë përfaqësuese për të ofruar një gamë sa më të gjerë. “Të gjithë janë të mirëpritur të ofrojnë sygjerimet e tyre. Në momentin që ne po flasim ka mbërritur një shkresë nga forumi i investitorëve të dhomave të Ballkanit Perëndimor për eksperiencat e mënyrës së organizmit të dhomave të tregtisë”, u shpreh Shalsi.

Nisma ligjore e propozuar nga qeveria i është nënshtruar diskutimeve me grupet e interesit javët e fundit, ku nuk kanë munguar as kundërshtitë e rezervat nga përfaqësitë e biznesit.

Në thelb, projektligji i ri parashikon heqjen e aspektit vullnetar të anëtarësimit, duke e bërë të detyrueshëm. Në Shqipëri janë të shumta shoqatat e biznesit që funksionojnë për të mbrojtur interesat e sipërmarrësve.

Por në fakt jo të gjitha ato u dalin në krah kompanive. Ndaj nevoja për riorganizim është e domosdoshme. Dhomat e Tregtisë në vende të tjera të botës, e kanë me detyrim anëtarësimin e biznesit. Por në këmbim, ato ofrojnë jo vetëm lobimin por edhe disa shërbime, siç janë ato të regjistrimit, licencimit etj. Ndërsa drafti i qeverisë, nuk parashikon të ofrojë të tilla procedura. Ndaj biznesi e kundërshtoi këtë nisëm që sipas tyre, rezultoi edhe e pa konsultuar me ta.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë nënshkroi pak ditë më parë një deklaratë me të cilën iu drejtohet komisioneve parlamentare të Kuvendit për përshpejtimin e procesit të diskutimit e miratimit të p/ligjit “Për dhomat e tregtisë”.

Pas një tryeze diskutimi të zhvilluar në Tiranë, për ndryshimet e reja ligjore të ligjit, BDHTI doli në konkluzionin se qëndrimet e veçuara të grupeve të interesit, të paunifikuara në mënyrë integrale me të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë prodhuar situata kaotike në aspektin e përfaqësimit të sipërmarrjes pranë qeverisë dhe kanë prodhuar vetëm dështim për të arritur objektivat e dëshiruara.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, citohet deklarata, ka përgatitur një strategji të qartë të ristrukturimit të brendshëm të tërë sistemit të dhomave, me qëllim rritjen e mëtejshme të rolit të dhomave dhe të impaktit të tyre, zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe standardizimin e tyre në tërë sistemin e dhomave të tregtisë, si dhe gjithë përfshirjen e sipërmarrjes në vendimmarrje dhe ndërgjegjësimin e tyre për përfitimet që mund të kenë si anëtarë të dhomës

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button