Ekonomia

Profesionet e lira në dilemë si t’i paguajnë sigurimet këtë muaj; Tatimet: Presim zbardhjen e vendimit

Teksa data 20, që është afati i fundit të deklarimit të sigurimeve po afron, profesionet e lira janë në dilemë, nëse duhet të paguajnë sigurimet e qershorit apo tremujorit të tretë, në bazë të pagave referencë, apo me pagën minimale. Kjo, pasi në 14 korrik Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si të papajtueshën me Kushtetutën një vendim të janarit 2016, që vendoste paga referencë për efekt të llogaritjes së sigurimeve për profesionet e lira. Vendimi i janarit trefishonte sigurimet që duhet të paguanin profesionistët (mesatarisht nga 6500 lekë në muaj në bazë të pagës minimale që ishte më parë, në 21000 lek në muaj) dhe shfuqizimi i tij u mirëprit prej tyre.

Flobenc Dilaveri, nëndrejtor i përgjithshëm i tatimeve tha se tatimet nuk mund të thonë asgjë se si duhet bërë pagesa për momentin, sepse ata po presin zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nga momenti që nuk është zbardhur vendimi, detyrimet duhet të vazhdojnë të paguhen me pagat referencë, ose mund të pritet disa ditë sa të zbardhet vendimi dhe bizneset mund të shtyjnë pagesat, por në këtë rast do të merrnin gjobë 10 mijë lekë për vonesë në deklarim (që me kërkesë edhe mund të sistemohet).

Ai thotë se nuk e dinë nëse vendimi do të hyjë në fuqi në korrik (përfshirë deklarimet që duhet të bëhen aktualisht), apo do të ketë dhe efekt prapaveprues (që do nënkuptonte që shuma e paguar tepër do u kreditohej bizneseve në muajt e ardhshëm), gjithçka do të sqarohet në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ekonomistët paguajnë me pagat referencë, shpresojnë në sistemimin në muajt në vijim

Eleni, kontabiliste pohon se përsa kohë nuk është e qartë nëse sigurimet do paguhen me pagë minimale apo referencë, ajo po i deklaron sigurimet aktuale në bazë të pagave referencë dhe nëse do të vendoset që deklarimet e qershorit do të bëhen në bazë të pagës minimale, atëhere kjo do të sistemohet në muajin e ardhshëm (dmth diferenca e paguar tepër kalon si tepricë kreditore në muajt në vijim dhe biznesi nuk paguan më sa të bëhet kompensimi).

Shfuqizimi i vendimit

Gjykata Kushtetuese në 14 korrik vendosi shfuqizimin e nenit 4 të ligjit nr.143/2015 që ka ndryshuar nenin 9 të ligjit nr.9136, datë 11.09.2013 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM-së nr.37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të”.

Në janar të këtij viti, Ministria e Financave kishte vendosur intervalin e pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve shtrihet nga 41,250 lekë  deri 73,800  lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Ne baze te ketyre shumave profesionet e lira (si avokate, përmbarues, inxhinier, veteriner, farmacist, dentis etj) do të paguanin detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shendetësore.

Përpara këtij ndryshimi, për të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarve, paga për efekt të llogaritjes së kontributeve ishte: për kontributet shoqërore – sa paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve; për kontributet shëndetësore – sa dyfishi i pagës minimale për efekt llogaritje kontributesh.

Ndryshimi  çoi në një reagim të ashpër të gjithë profesionistëve që prekeshin nga ky vendim, pasi me një të rënë të lapsit trefishonte kontributet, nga 6500 lekë në muaj, në 21000 lek në muaj kontribute shoqërore dhe shëndetësore, apo 3.2 herë më shumë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button