☁️
Tiranë 20°C · Vranët 06 May 2026
S&P 500 7,259 ▲0.81%
DOW 49,298 ▲0.73%
NASDAQ 25,326 ▲1.03%
NAFTA 95.06 ▼7.05%
ARI 4,707 ▲3.02%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1705 EUR/GBP 0.8634 EUR/CHF 0.9160 EUR/ALL 95.8911 EUR/MKD 61.6965 EUR/RSD 117.4043 EUR/TRY 52.9473 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5931 EUR/USD 1.1705 EUR/GBP 0.8634 EUR/CHF 0.9160 EUR/ALL 95.8911 EUR/MKD 61.6965 EUR/RSD 117.4043 EUR/TRY 52.9473 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5931
₿ CRYPTO
BTC $81,929 ▲ +1.65% ETH $2,399 ▲ +1.27% XRP $1.4435 ▲ +2.89% SOL $89.0900 ▲ +5.41%
S&P 500 7,259 ▲0.81 % DOW 49,298 ▲0.73 % NASDAQ 25,326 ▲1.03 % NAFTA 95.06 ▼7.05 % ARI 4,707 ▲3.02 % S&P 500 7,259 ▲0.81 % DOW 49,298 ▲0.73 % NASDAQ 25,326 ▲1.03 % NAFTA 95.06 ▼7.05 % ARI 4,707 ▲3.02 %
EUR/USD 1.1705 EUR/GBP 0.8634 EUR/CHF 0.9160 EUR/ALL 95.8911 EUR/MKD 61.6965 EUR/RSD 117.4043 EUR/TRY 52.9473 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5931 EUR/USD 1.1705 EUR/GBP 0.8634 EUR/CHF 0.9160 EUR/ALL 95.8911 EUR/MKD 61.6965 EUR/RSD 117.4043 EUR/TRY 52.9473 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5931
06 May 2026
Breaking
Opinion

Profesori që nuk bënte pazar në emër të karriges

Nga THOMA GËLLÇI

Pas burgosjes së kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, barra e drejtimit të Partisë, por edhe e opozitës shqiptare, i ra zv/kryetarit të parë të Partisë Socialiste, profesor Servet Pëllumbit. Ai, edhe me pamjen e tij, i qetë dhe flokëbardhë, me kulturën politike dhe frymën e debatit brenda partisë, ishte në kontradiktë të plotë me klimën intolerante dhe agresive të kohës.

Detyra ime si kryeredaktor i gazetës qendrore të Partisë Socialiste, “Zëri i Popullit”, më bëri të kem kontakte pothuajse të përditshme me të. Nuk dua të bëhem prozaik duke thënë se profesori nuk ndërhyri asnjëherë për shkrimet në gazetë. Por e vërteta është se ai i dha liri të plotë jo vetëm gazetës, por edhe demokracisë së brendshme të Partisë, në kontrast të plotë me realitetin ku ndodhen sot partitë politike shqiptare, përfshirë edhe vetë Partinë Socialiste.

Nuk dua të zgjatem në mënyrën e drejtimit të Partisë prej tij. Shumë të tjerë kanë folur dhe do të flasin për këtë. Ashtu siç kanë folur për ditën e 28 majit 1996, për fotografinë simbol të profesor Pëllumbit në Sheshin Skënderbej, në krye të protestës së shqiptarëve kundër dhunës dhe represionit që përfshiu vendin para dhe pas zgjedhjeve të 26 majit të atij viti.

Por pak njerëz duan të kujtojnë një debat të madh që u hap në opinionin shqiptar, edhe brenda Partisë Socialiste, për shkak se profesori mbante në tavolinën e tij të punës një bust të vogël të Marksit. Të fryrë nga ide që vinin jashtë partisë, thjesht me qëllim për të futur grindje dhe përçarje në Partinë Socialiste, shumë njerëz e shndërruan atë bust të vogël 10-centimetërsh në një çështje të madhe ideologjike. Debati zgjati gjatë dhe hyri edhe në forumet e partisë, jo vetëm në gazetat e opozitës apo në kafenetë e pushtetit.

Një prej atyre ditëve, kur ndodhesha për probleme pune në zyrën e tij, i thashë:

— Profesor, ju e shikoni se si po e shndërrojnë një bust të vogël në tavolinën tuaj në një çështje të madhe ideologjike. A nuk është më e udhës që ta mbyllni këtë debat duke e hequr bustin nga tavolina?

Profesori më dëgjoi me qetësi dhe më pas tha:

— Nuk është fjala fare për këtë bust të vogël prej dhjetë centimetrash, sepse ky nuk i prish punë askujt. Thelbi është se kundërshtarët dhe pushteti që kërkojnë shkatërrimin e Partisë Socialiste po godasin pikërisht atë që ajo përfaqëson. Marksi nuk është flamuri i Partisë Socialiste dhe marksizmi nuk është ideologjia e saj. Kjo është thënë në të gjitha dokumentet tona. Por partitë socialdemokrate të Europës Perëndimore, atje ku ne duam të anëtarësohemi, e njohin dhe e vlerësojnë Marksin si filozof.

Sot, kur e kujtoj atë bisedë, kuptoj edhe më qartë dallimin midis një politikani me formim dhe një politike të ndërtuar mbi kameleonizmin. Servet Pëllumbi nuk po mbronte një bust. Ai po mbronte të drejtën për të mos u bërë pjesë e histerisë së momentit. Duhej pak guxim për të mos ndryshuar bindjet sipas erës së pushtetit dhe për të mos bërë pazar me identitetin politik vetëm për të ruajtur një karrige.

Përpara dhunës së kohës, kur duhej të shkatërrohej dhe të prishej nga rrënjët çdo gjë, sepse ishte ndërtuar në kohën e komunizmit, Servet Pëllumbi kishte zgjedhur rrugën e rezistencës. Ai ishte i matur dhe përfaqësues i saj. Besonte seriozisht tek programi i Partisë që drejtonte, duke theksuar se Partia Socialiste ishte përfaqësuese e shtresave të paprivilegjuara të shoqërisë shqiptare dhe mbrojtëse e vlerave sociale që ishin përfituar gjatë viteve.

Por, për fat të keq, sa të rralla janë shembuj të tillë në politikën shqiptare!

Sot shohim politikanë që bëhen urë sa andej-këndej ndaj çdo të fuqishmi të botës, vetëm që të zgjasin jetën e pushtetit të tyre. Njerëz që në mëngjes mbajnë një qëndrim dhe në darkë një tjetër. Qeveritarë që ndryshojnë gjuhën, bindjet, aleancat dhe flamujt me një shpejtësi marramendëse, vetëm për të mos humbur privilegjin e karriges.

Pa pasur nevojë për shumë shembuj, mjafton të shohësh se si sot disa rrinë ulur në dyqind karrige dhe ndërrojnë njëqind flamuj. Sot pragmatizmi është kthyer në justifikim për mungesën e karakterit. Në emër të “interesit”, të “realpolitikës” apo të “integrimit”, politika shqiptare shpesh është shndërruar në një teatër servilizmi, ku shumë pak njerëz guxojnë të kenë bosht dhe shtyllë kurrizore. A dalloni dot sot në politikën shqiptare se kush është i majtë dhe kush është i djathtë? Braktisja e parimeve dhe loja me njëqind flamuj është bërë sot modë e kohës.

Profesor Servet Pëllumbi i përkiste një brezi tjetër. Një brezi politikanësh që mund të gabonin politikisht, por që nuk e ndërtonin jetën publike mbi përuljen dhe maskimin e vetvetes. Ai nuk ishte nga ata njerëz që hiqnin nga tavolina bindjet e tyre sa herë fillonte zhurma e propagandës apo sa herë pushteti kërkonte prova nënshtrimi.

Ndarja nga jeta e profesor Pëllumbit nuk është vetëm humbja e një politikani apo intelektuali të njohur. Është edhe pakësimi i mëtejshëm i një specieje në zhdukje në Shqipëri: politikanëve me bosht, me karakter dhe me shtyllë kurrizore.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.