Refugjatët në Idomeni, me sytë nga Shqipëria e të penguar prej “gojëdhënave”
Shpresa vdes e fundit thonë, por në Idomeni pritshmëritë po vaniten. Çdo ditë është e mundishme për refugjatët që presin të vendoset fati i tyre. Përgjigjja humanitare ndaj ngërçit të tyre është e kufizuar, thotë “Al Jazeera” në reportazhin e realizuar në kampin grek.
Ata që vazhdojnë përpjekjet për të kaluar në Maqedoni kanë në trup shenjat e dhunës policore. Një refugjat thotë se, tani do të provojë të hidhet diku më në Perëndim.
Gazetari: Dhe mendon se në vend të kësaj rruge, mbase do të provosh Shqipërinë?
Refugjati: Po.
Gazetari: Është e vështirë ama.
Refugjati: E vështirë është në fakt, e vështirë.
Nuk janë vetëm policët maqedonas, ata që u shkaktojnë probleme emigrantëve në kamp. Qeveria greke njoftoi se kërkon që ta mbyllë Idomenin në javët në vijim e do t’i zhvendosë që të gjithë nëpër kampe zyrtare. Refugjatët që ende shpresojnë për një rrugë drejt Europës po i hedhin sytë nga ajo që shohin si mundësinë e fundit për realizimin e dëshirës së tyre: Shqipëria.
Megjithatë, ata që ndodhen në kampin e ri vetëm pak kilometra larg kufirit me Shqipërinë kanë informacion më të madh mbi rreziqet që i presin. Ata janë sjellë këtu drejtpërdrejt nga ishujt grekë. Po të donin, mund të ecnin në këmbë në veri drejt Shqipërisë. Por askush nuk e ka bërë. Historitë e të rinjve të sulmuar nëpër male nga bandat shqiptare, të grabitur e madje edhe të zhdukur qarkullojnë këtu prej kohësh.
“Ka shumë kriminelë atje, i kanë vjedhur njerëzit. Disa e kanë kaluar kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë e janë zhdukur. Nuk kemi dëgjuar më për ta, nuk e dimë ç’u ka ndodhur”, thotë Hamza, një emigrant palestinez.
Si mënyrën e vetme për të dalë nga kjo situatë, shumë konsiderojnë tani blerjen e një pasaporte të rreme, fluturimin në Athinë, e prej andej marrjen e avionit për në Gjermani apo Suedi. Për të parën kërkohen 4.000 euro, për të dytën 5.000 euro, parà këto që pjesa më e madhe e tyre nuk i disponon.