Tiranë 16°C · Pjesërisht vranët 10 May 2026
S&P 500 7,399 ▲0.84%
DOW 49,609 ▲0.02%
NASDAQ 26,247 ▲1.71%
NAFTA 95.42 ▲0%
ARI 4,731 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096
₿ CRYPTO
BTC $81,000 ▲ +0.29% ETH $2,347 ▲ +0.81% XRP $1.4681 ▲ +3.32% SOL $95.4700 ▲ +2.44%
S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0 % ARI 4,731 ▲0 % S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0 % ARI 4,731 ▲0 %
EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096
10 May 2026
Breaking
Kosova

Rrëfimet për të zhdukurit në rajonin e Prishtinës

E nisur që nga maji i vitit 1998, strategjia për zhdukjen e viktimave të luftës në Kosovë do të prekte qindra familje në rrethin e Prishtinës.

26 vite pas përfundimit të luftës, në komunat e Prishtinës, Podujevës, Lipjanit, Obiliqit dhe Graçanicës, 185 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Ata janë pjesë e tërësisë prej 1560 personash, të cilët vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.

Statistikat dëshmojnë se rreth 10% e viktimave shqiptare u zbuluan të varrosura në varreza masive në Serbi, ndërsa në regjistrat e luftës ende mbi 12% e viktimave në total vazhdojnë të jenë të zhdukura.

Në vitet e ’80, Prishtina jetonte kohën e Jugosllavisë. Në disa zona u ndërtuan fshatra ku jetonin të gjitha komunitetet. Situata nisi të tensionohet me ardhjen në pushtet të Millosheviqit, gjë që kulmoi me nisjen e luftës.

Lufta la prapa mijëra të vrarë e fatkeqësisht një pjesë e tuprave të tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe pas 26 vitesh.

Në një hapësirë me pak kilometra katrorë, në zonën e Prishtinës do të dokumentohen zhdukje masive, zhvarrime masive dhe zhvendosje të trupave të të vrarëve.

Në Sllovi, në Makovc, në Fushë Kosovë, në Podujevë e në zona të tjera, do dokumentohen krime të rënda të luftës e zhdukje të viktimave civile.

Vëllai i Adem Zogianit, Hyseni, ishte zhdukur me 22 qershor 1998. Ademi rrëfen momentin e zhdukjes së vëllait të tij.

“Do të thotë e marrin në telefon. I thotë: ‘qe po vij’. Tash sikur është joshur me diçka ku i thonë duhet me u taku diçka, qysh e josh nuk e di. Edhe shkon edhe e takon, a e ka takuar a s’e ka takuar se di, se ndoshta edhe aty para dere e ka marrë dikush, s’ka prit me shku atje hiç, se me kerr ka dalë prej banese. Edhe i thotë gruas: ‘po i marr disa domate, disa speca dhe kthehem menjëherë, shpejt kthehem’. Mirëpo nuk u kthye kurrë më” – tregon Ademi.

“Kam qenë binjak me të. Kemi qenë edhe në shkollë bashkë, në studime bashkë”.

Në prill të vitit 1999, fshati Sllovi afër Lipjanit, do shndrrohej në një zonë krimi ku do implementohej edhe plani i zhdukjes së viktimave.

Paralelisht me vrasjet, një pjesë e viktimave do barteshin për në lokacione të cilat ende nuk janë të njohura.

Në zonat e tjera të regjionit të Prishtinës, zhdukja e civilëve do ishte pjesë e përditëshmërisë së luftës dhe ngjarjeve pas saj.

Në rrethana shpeshherë të pasqaruara civilët u kidnapuan dhe trupat e tyre nuk u gjendën për vite me radhë.

Feriz Gërbeshi nga fshati Sllovi, të cilit i është vrarë dhe zhdukur nëna nga lufta, tregon për masakrat në fshatin e tij.

“Më 14 prill 1999 është rrethuar fshati Sllovi dhe me atë rast janë vrarë 24 veta në rrethim e sipër. Domethënë, me 14 prill është rrethuar nga forcat e rregullta ushtarake fshati, me tanke. Në pjesën e dy anëve rrethohet fshati me disa kodra jo shumë të mëdha” – rrëfen Ferizi.

“N’fillim, fshatit të poshtëm, paraprakisht kanë qenë të mobilizuar ata të gjithë serbët vendorë. Sepse vetë natyra e vrasjeve, vetë natyra e organizimit të masakrës ka qenë e tillë që ne kemi arritur me i identifikuar të gjithë. Të moshës madhore kanë qenë të inkuadruar në forcat paramilitare dhe në ndihmë të tyre, të forcave militare që kanë ardhur në përforcim të tyre. Edhe në rrethim e sipër kanë filluar djegien e shtëpive, kanë filluar vrasjet me radhë. Edhe në atë ditë janë vrarë 24 veta”.

“Përveç asaj bashkëfshatares të cilën e kishin plagosur, do të thotë organizimi i parë paramilitar edhe i ushtrisë serbe, sulmin e kanë filluar në familjen tonë. Kanë pushkatuar njerëz, kanë vrarë njerëz ku kanë gjetë rrugës, qysh i kanë gjetë, qysh i kanë nxanë. Mirëpo si sulm do të thotë i planifikum në familje ka qenë këtu te na” – thotë në anën tjetër Enis Gashi, të cilit ia kanë vrarë në luftë babain, gjyshin dhe axhën.

Në ditët e para të pasluftës 6 mijë e 500 persona do figuronin si të zhdukur.

Në mbarë vendin ekipet mjekoligjore ndërkombëtare e vendore do nisnin gjurmimet për të vdekurit.

Në atë kohë qindra njerëz ishin në burxhe dhe kjo rriste shpresën për familjarët. Në ndërkohë në terren çdo ditë e më shumë po dilnin në sipërfaqe pasojat e krimit.

Ish drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Arsim Gërxhaliu, tregon se si menjëherë pas përfundimit të luftës, frigoriferët e morgut kanë qenë të stërmbushur me kufoma.

“Nuk kishte ku ta qisje edhe këmbën, domethënë kah të ecësh. Kishin filluar të kalbeshin… vinte erë e rëndë, kundërmonte shumë erë e rëndë dhe familjarët kishin dëgjuar që ka trupa në morg, filluan ta vizitojnë Institutin. Aty ishte edhe ai kontakti i parë me familjarë dhe dhimbjen të cilën ata faktikisht e tregonin në kërkimin e të afërmve të tyre sepse nuk e dinin fare ku janë. Raste të ndryshme – për shembull- ati ka shkuar prej Ferizajit në Prishtinë me marrë vajzën, nuk është kthyer më. Raste të secila në veçanti një histori e veçantë e asaj të cilën e kemi përjetuar domethënë gjatë luftës” – thotë Gërxhaliu.

Dëshmitë e para mjeko ligjore do të dëshmonin mizorinë e zhdukjes së trupave të viktimave.

Viktimat u dogjën, u varrosën qëllimisht në varreza të personave të vdekur natyrshëm, apo edhe u bartën në varreza massive në Serbi.

Gërxhaliu thotë se ka pasur raste ku kufomat janë gjetur në kanale të hapura me eskavator.

“Kemi gjetur kanale të hapura me eskavator, të gjata, dhe njerëzit të hedhur në kanale. Domethënë ka pasur edhe të Fushë Kosovës e të rrethinës, kudo apo ndonjë tjetër që ka ardhur në Prishtinë, të hedhur një mbi një ashtu pa kurrfarë kontrolli. Kanë qenë dy kanale ekstrem të gjata, për të cilat pastaj më vonë ato kaluan në duart e ekspertëve të UNMIK-ut ,e morën primatin dhe ata pastaj filluan të punojnë në të njëjtat” – tregon tutje Gërxhaliu.

Enis Gashi në rrëfimin e tij tregon se kur për herë të fundit ka parë babain, gjyshin dhe axhën e tij.

“Kam qenë edhe unë që e kam pa atë moment, të rreshtumë. E kemi pasë një pemë në oborr. ‘Kojsi’ i thojshim – te kojsia. Me fytyrë prej pjesës tjetër të oborrit, jo prej dyerve, me shpinë prej neve. Kanë qenë të rreshtuar, do të thotë baba, ka qenë axha Enver, ka qenë Arbeni – djali i axhës, ka qenë Bekimi edhe ka qenë babgjyshi Murati. Mirëpo kanë qenë krisma që realisht – e thash edhe më herët – kujtohen sikur sot, të kthejnë bash në momentin në të cilin ti e ke pa” – rrëfen Enisi.

Fundi i luftës nisi me shpresën për rindërtim. Në kohën kur të gjithë po fillonin rindërtimin e jetës së re pas luftës, familjarët e të zhdukurve nisën kërkimet për të zbuluar vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Një pjesë e madhe e tyre ranë pre e mashtrimeve, të cilat u zhvatën mijëra euro me premtimin se familjarët do të gjendeshin. Më e rënda është se disa familjarë u vranë gjatë kohës kur po kërkonin të zhdukurit.

Naser Mirena nga Fushë Kosova, të cilit i janë vrarë dhe zhdukur dy vëllezërit e tij, është një nga viktimat që ka rënë pre e mashtrimit dhe ka dhënë para me shpresën për të gjetur vëllezërit e tij.

“Janë lajmëruar gjinja privat, kanë marrë numra telefonit, kanë marrë lidhje se telefona celularë s’kemi pasur atëherë, derisa kisha qenë në Gjermani. Vijnë telefonatat personalisht mu, që këtu e kam Arbenin dhe Avninë” – rrëfen Naseri.

“Veç serbisht flisnin. A po do me t’i pru në Slloveni apo do në Itali ku të konvenon më shumë? Po duhesh me i transferu 30 mijë marka. Edhe kur ma ka dërguar letrën, e kam marrë letrën e kam fotografu, ia kam dërguar, m’ka thirrë, thash ‘po ti qe ku jam, ku me i marrë vllazninë a po e din, se ma bojke a po do në Slloveni apo do në Itali me i qitë. Në atë moment u mbyll telefoni më kurrë s’kam pasur qasje”.

Një i zhdukur apo një i vrarë nuk është vetëm një numër në statistika. Ai është një mungesë që vazhdon të jetojë çdo ditë në familje, një plagë që nuk mbyllet kurrë.

Në rajonin e Prishtinës, lufta nuk përfundoi me heshtjen e armëve. Për shumë familje, ajo vazhdoi si një pritje e gjatë, mes shpresës dhe pasigurisë.

Jeta e pasluftës për familjarët ishte një sifdë në çdo aspekt.

Familjet e varfëra dhanë mijëra euro për t’i zbuluar familjarët e tyre ndërsa në cdo hap kujtimi për të zhdukurit i shoqëroj secilin prej tyre, raporton Kallxo.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.