Shqetësim në policinë greke për fotot e keqbërësve shqiptarë në Facebook
Policia greke po ndjek me shqetësim rezultatet e hetimeve të para ndaj një grupi keqbërësish shqiptarë të arrestuar 10 ditë më parë me akuzën për vjedhje dhe një seri plaçkitjesh të përgjakshme në disa shtëpi në Athinë dhe Kallamatë.
Hetuesit grekë kanë zbuluar se shumë prej tyre kanë postuar në Facebook fotografi me kallashnikovë dhe armë të tjera me sfond flamurin shqiptar, persona me maska që mbajnë në dorë simbole nacionaliste të Shqipërisë, para’ ndoshta nga bastisjet, fotografi të të burgosurve shqiptarë në burgjet greke apo shqiptare, si dhe disa fotografi nga përleshjet me bomba molotov me forcat e ndërhyrjes së policisë greke gjatë protestave.
Shumë nga këto fotografi, siç thekson gazeta “To Vima”, që ka publikuar dhe disa prej tyre, janë të shoqëruara me “komente entuziaste” dhe në një prej tyre, ku fotografohen një numër i konsiderueshëm armësh, një prej shqiptarëve të arrestuar ka shkruar: “I plotësuar. Falenderojmë Zotin”.
Organet e rendit po përpiqen të kuptojnë nëse këto fotografi janë një demonstrim i thjeshtë i këtyre keqbërësve shqiptarë pa asnjë vazhdimësi apo pas tyre qëndron diçka më komplekse dhe lidhje të panjohura të personave të armatosur.
Grupi i përbërë nga 15 shtetas shqiptarë të moshës nga 22 deri në 51 vjeç dhe një grek, që akuzohen për 5 grabitje dhe 28 plaçkitje të dhunshme, hynin në shtëpitë e të moshuarve në orët e natës dhe i kërcënonin me armë ose thika, në mënyrë që të tregonin se ku mbanin paratë.
Policia ka arrestuar 14 prej tyre, ndërsa në shënimet e dosjes së tyre të hetimit theksohet se ata karakterizohen nga sjellje të rrezikshme dhe të paligjshme, duke mos respektuar jetën e njerëzve të tjerë dhe si shembull jepen mesazhet tek fotografitë e tyre në rrjetet sociale, që theksojnë ndjenjat e irredentizmit nacionalist shqiptar si dhe mesazhet e fotografive me armë, para’ dhe drogë.