“Tre tenorët spanjollë” koncert gala në TKOB, në skenë dhe artistët shqiptarë
Mbrëmjen e 21 prillit, skena e Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të mirëpresë koncertin gala “Tre tenorët spanjollë”, një event që sjell në
Mbrëmjen e 21 prillit, skena e Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të mirëpresë koncertin gala “Tre tenorët spanjollë”, një event që sjell në kryeqytet tre zëra të njohur të muzikës operistike ndërkombëtare.
Nën dirigjimin maestro Leonardo Quadrini, tenorët Ignacio Encinas, Oscar Encinas dhe Albert Deprius do të interpretojnë pjesë të përzgjedhura nga repertori klasik dhe operistik, duke premtuar emocione të forta për publikun shqiptar.
“Është një program brilant, sepse i dedikohet tre tenorëve spanjollë dhe në pjesën më të madhe, muzikës së gjallë dhe plot ritëm të Spanjës, që, në disa momente, duhet ta them, afrohet edhe me harmoni dhe melodi të muzikës popullore shqiptare. Përveç kësaj, do të kemi të ftuar sopranon Ramona Tullumani, një tjetër tenor dhe pianistin. Një program i pasur dhe festiv për të kremtuar këtë koncert të tre tenorëve”, tha Leonardo Quadrini, dirigjent.
Tenorët ndanë emocionet e tyre përpara koncertit, ndërsa theksojnë se repertori i përzgjedhur është i veçantë dhe me një identitet të qartë kulturor.
“Jemi shumë të lumtur, kemi shumë dëshirë ta realizojmë këtë koncert. Muzika është shumë e bukur, një muzikë e tokës sonë, dhe besoj se të gjithë do të jemi të lumtur duke e interpretuar këtë muzikë”, shprehet Oscar Encinas.
“Unë kam ardhur pak më herët. Ideja ishte të vinim të tre bashkë, sepse më ka pëlqyer shumë ky vend dhe njerëzit janë shumë të mirë. Do të bëjmë këtë koncert me muzikë italiane dhe spanjolle, pra një program krejtësisht latin. Sfida më e madhe për ne është të këndojmë në italisht, sepse jemi mësuar të këndojmë kryesisht në spanjisht. Quhemi “Tre Tenorët Spanjollë” dhe për këtë arsye vështirësia rritet kur interpretojmë jo vetëm italishten, por edhe napolitanen”, thekson Ignacio Encinas.
“Edhe për mua është hera e parë këtu dhe jam shumë i lumtur që po e bëj këtë koncert me dy miqtë e mi. Është një program i vështirë, por spektakolar, me pjesë spanjolle dhe italiane. Ju ftojmë të gjithëve të vini të na dëgjoni: do të sjellim opera italiane, këngë napolitane dhe klasike”, shtoi Albert Deprius
Ata shprehen se bashkëpunimi me artistët shqiptarë është një eksperiencë e çmuar artistike,
Oscar Encinas thekson sërish se: “Na bën shumë kënaqësi të bashkëpunojmë me artistët shqiptarë, sepse çdo bashkëpunim na pasuron. Të punosh me artistë të tjerë të muzikës lirike na jep mundësinë të zbulojmë mënyra të reja për ta ndjerë dhe përjetuar muzikën. Është një ndarje emocionesh dhe një lidhje e vërtetë mes artistësh”.
Koncerti do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura.
“Tre tenorët spanjollë” pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike të kësaj pranvere, duke sjellë në një skenë të vetme artistë ndërkombëtarë dhe vendas në një festë të vërtetë të muzikës klasike.
Koncerti “Tre tenorët spanjollë”, ku zërat ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë bashkohen në një skenë të vetme pritet të dhurojë një mbrëmje magjike në Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.