Vjedhja e dytë e epokës “Fullani”, reagon BSH
Edhe pse ka konfirmuar ekzistencën e një raporti auditues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Banka e Shqipërisë ka mohuar që bankat e nivelit të dytë të kenë përfituar padrejtësisht nga këmbimi i kartëmonedhave të dëmtuara.
Përmes një reagimi zyrtar, Banka Qendrore i ka cilësuar si të pavërteta lajmet për një skemë abuzimi me kartëmonedhat që dalin nga qarkullimi.
“Praktika e trajtimit të kartëmonedhave të dëmtuara, e verifikuar edhe me inspektimet e kryera në bankat tregtare, dëshmon se nuk ka pasur asnjë fakt apo rast, që mbështet atë çfarë është komentuar së fundmi në media”, bën të ditur BSH.
Sipas BSH-së, pretendimi se bankat e nivelit të dytë i kanë kompensuar klientët e tyre me vlerë më të ulët nga ajo që kanë marrë nga Banka e Shqipërisë është i pavërtetë.
“Banka e Shqipërisë ka bërë të gjitha verifikimet e nevojshme. Nga shqyrtimi nuk rezultoi asnjë komision i mbajtur nga bankat, që të pasqyronte se është mbajtur një penalitet në vlerën prej 20% për kartëmonedhat e dëmtuara”, shkruhet më tej në reagimin e BSH.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për këtë çështje nuk ka asnjë ankesë të paraqitur nga klientët e bankave të inspektuara për këtë çështje.
“Banka e Shqipërisë ka bindjen se nuk i është shkaktuar asnjë dëm buxhetit të shtetit, apo edhe vet klientëve të bankës që kanë këmbyer kartëmonedha të dëmtuara me bankat e nivelit e dytë”.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i përmendur i KLSH-së është trajtuar institucionalisht me komunikime zyrtare midis dy institucioneve. Por, pas publikimit të këtij sqarimi nga Banka Qendrore, Top Channel kontaktoi burime nga KLSH.
Këto burime thanë se, KLSH-ja i qëndron tërësisht përfundimeve se skema e këmbimit të kartëmonedhave të dëmtuara ka funksionuar në mënyrë të paligjshme dhe, përmes saj, bankat private kanë përfituar padrejtësisht 542 milionë lekë përgjatë periudhës 2010-2014, kohë në të cilën Banka drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani.
Burimet nga KLSH-ja bëjnë të ditur se ky institucion, sipas kërkesave të ligjit, raportin e auditimit do ta paraqesë shumë shpejt në Parlament.