Ekspo-Kongres për menaxhimin dhe trajtimin e integruar të mbetjeve
Ndërsa sot një nga çështjet me të diskutuara janë problemet e mjedisit, ngrohja globale, menaxhimi i mbetjeve dhe zgjidhjet teknologjike përkatëse, zhvillimi i qëndrueshëm, shtimi i sipëfaqeve të gjelbra, kursimi dhe mirëmenaxhimi i rezervave natyrore, të qenurit miqësor me ambientin ne industri e bizneset që ushtrojnë veprimtari të ndjeshme ndaj mjedisit, në Tiranë, merr jetë një nismë e promovuar dje në ambientet e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës: Ekspo – Kongresi i Parë Ndërkombëtar “Menaxhimi dhe Trajtimi i Integruar i Mbetjeve, në gjendje të Lëngët, të Ngurtë dhe të Gaztë” – “Western Balkan Waste Solution”. Ekspo-Kongresi do të organizohet në datat 23 deri në 26 Nëntor 2017, në Pallatin e Kongreseve.
Në fjalën prezantuese, ambientalisti dhe studiuesi i njohur Prof. Sazan Guri u shpreh: “Për 27 vjet, mbetja shqiptare e hapërdare, e flakur dhe e patrajtuar ka veçanësuar shqiptarin e sotëm të tranzicionit, duke na klasifikuar si popull jo të denjë për të qenë pjesë e bashkësisë europiane. Është kjo gjendje e mjerueshme e mbetjeve që ngrin buzeqeshjen e mikpritjes tipike shqiptare para një turisti, sepse befas dhe vrullshëm i kap syri plehra në kanal, qese në pemë, ujëra të ndotura në sipërfaqe dhe shtëllunga pluhuri në ajër. Mbetjet në Shqipëri, sikundër oborri i avllisë që tregon zonjën e shtëpisë, pasqyron edhe kjo amvisërinë e qeverisë.
Nisur nga kjo gjendje, ku politikëbërës e vendimmarrës e duan me të vërtetë daljen nga kjo situatë kaotike, pakëz vonë, por mjaft shpresëdhënëse, sot ndodhemi përballë një realiteti tjetër, ku për herë të parë, forca e veprimit bashkohet me atë të mendjes dhe të shkencës, sepse fitoret e vërteta të një populli janë ato të mendjes.”
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi shprehu mbështetjen e tij të plotë të nismës duke përgëzuar Komitetin Shkencor dhe Organizativ të Ekspo-Kongresit, e duke pohuar që një nga zotimet e para të Ministrisë që ai drejton, është zgjidhja rrënjësore e menaxhimit të mbetjeve në zonat urbane dhe turistike, si një mision qytetar dhe në hap me kohën.
Teksa Zv. Ministri i Energjitikës dhe Infrastrukturës, Gëzim Musabelli, gjithashtu shprehu angazhimin e Ministrisë që përmes politikave mbështetëse ndaj nismave të tilla gjithëpërfshirëse, të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve në dobi të qytetarit.
Si rrallëherë, përmasat e një veprimtarie dhe lëvizjeje të tillë sensibilizuese, zgjerohen me praninë aktive të Universiteteve Publike dhe Jopublike, përfaqësuesit e të cilëve shprehën gatishmërinë për të kontribuar konkretisht me studime dhe punë kërkimore për zgjidhje mjedisore afatgjata.
Të pranishëm në vetë të parë dhe sipërmarrës të sektorit të menaxhimit të mbetjeve, shoqata e ricikluesve shqiptarë, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës dhe industrialistë me praktikat më të mira të zgjidhjeve teknologjike miqësore me mjedisin, ndër të cilat Albtek – Energy, impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan, një ndër investimet më premtues në lidhje me dhënien udhë problemeve të trajtimit të mbetjeve urbane.