Delegacioni i BE në Tiranë dënon sulmin në Kiev: Sulm që kujton brutalitetin e luftës së paprovokuar
Delegacioni i Bashkimit Evropian ka shprehur solidaritet me Ukrainën dhe Shqipërinë, duke dënuar me sulmin me dronë dhe raketa që rrezikoi jetën e ambasadorit shqiptar në Kiev, Ernal Fino.
“Ky sulm i papërgjegjshëm na kujton edhe një herë brutalitetin e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në reagim.

Sakaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri ditën e diel, 24 maj, Ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë protestën e ashpër pas sulmeve masive përgjatë natës me dronë dhe raketa, gjatë të cilave u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë.
Gjatë takimit u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë, në çdo rrethanë, të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar.
Ambasadorit rus iu dorëzua një notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për të respektuar normat ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij.
Kujtojmë se sulmet ndodhen mbrëmjen e së shtunës, 23 maj, duke goditur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.
Në një intervistë për Klan News, Filo bëri me dije se situata ka qenë e vështirë, pasi sulmi ka zgjatur për disa orë dhe është shoqëruar me përdorim të dronëve dhe raketave të ndryshme.
“Sulmi ka filluar në orën 22:00 të mbrëmjes së kaluar dhe ka zgjatur deri në orën 06:30 të mëngjesit. Ishte një nga sulmet më të forta që ka ndodhur qëkur kemi hapur ambasadën vitin e kaluar me dronë dhe raketa nga më të ndryshmet, Iskander, Zirkon… deri tek Oreshnik. Ka qenë një sulm masiv që ka vazhduar për orë të tëra.”, u shpreh ambasadori.
Filo tha se vetëm fasada ka pësuar dëmtime, por ndërtesa është akoma e banueshme. Ai shtoi gjithashtu se ka pasur kontakte dhe ka marrë mbështetje nga institucionet ukrainase, ndërsa thekson se trupi diplomatik do të vijojë të qëndrojë në Kiev.
“Më kanë marrë në telefon, janë interesuar dhe më kanë dhënë mbështetje. Kanë shprehur solidaritetin dhe falenderimin që ne jemi këtu. Dhe ne u japim atë mesazhin që i gjithë trupi diplomatik do të qëndrojë këtu për t’i dhënë mesazhin edhe Ukrainës se ne jemi me ta dhe do të qëndrojmë me ta sa të jetë e nevojshme.”, tha ai.
Pamje nga shpërthimi që shkaktoi sulmi rus me raketa dhe dronë në kompleksin rezidencial ku jeton ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo. 👇
Lidhur me këto sulme, më herët pati një reagim nga ana e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili i konsideroi të papranueshme.
“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor. Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!
Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë. Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas. Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim.“, thuhet në postimin e kreut të diplomacisë shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që stafi i ambasadës shqiptare në Kiev vihet në rrezik nga Rusia.
Sjellim ndërmend se edhe në dhjetor të vitit 2024, një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse dëmtuan pjesërisht fasadën e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.